E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokoll për ngrohje qendrore

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, menaxheri përgjegjës për projekte në sektorin e energjisë në Kosovë i KfW-së Bankken Gruppe me seli në Frankfurt, Wilderich Horr dhe Fllanza Pula, drejtore e NPK “Termokos”, nënshkruan sot Protokollin për financimin e projektit të ngrohjes qendrore.

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” është përfituesja e radhës, pas ujësjellësit të Prishtinës.

Kjo ndërmarrje nga Komisioni Evropian ka përfituar rreth 20 milionë euro investime, derisa 5 milionë euro i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim, KFW-së, 2 milionë prej të cilave do të mbulohen nga Komuna e Prishtinës, thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga KK e Prishtinës.

Mustafa e ka vlerësuar projektin, duke e falënderuar Komisionin Evropian për bashkëpunimin dhe ndihmën, KFW-në për dhënie të kredisë si edhe drejtoreshën ekzekutive të “Termokosit”.

“Është një projekt kapital për kryeqytetin, pasi që me të do të përmirësohen cilësia dhe kushtet e përgjithshme të punës. Mënyra e tanishme është tepër e vështirë të menaxhohet”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, Wilderich Horr, pasi ka paraqitur investimet e bëra në drejtim të zhvillimit të projekteve në Kosovë, ka thënë se me këto mjete dëshirojmë t’i përmirësojmë kushtet e jetesës së qytetarëve.

Drejtoresha e “Termokosit”, Pula, tha se me sigurimin e këtyre investimeve do të heqim dorë njëherë e përgjithmonë nga mazuti”.

“Ngrohtorja do të lidhet me Termocentralin “Kosova B. “Objektivi kryesor që synohet të arrihet përmes projektit të Koogjenerimit, është furnizimi i qëndrueshëm dhe kualitativ i ngrohjes për qytetin e Prishtinës, me çmime konkurruese konform gjendjes sociale të popullatës”, ka thënë Pula.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›