E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provim për tatimorët dhe doganierët

Roli i Akademisë: Verifikim pozicionit të punës, test për të rinjtë dhe trajnime

Askush nuk do të ngrihet në detyrë pa dhënë provim mbi aftësitë profesionale, sikurse nuk futesh në punë, edhe pse me diplomë, pa kaluar testet e posaçme për doganier apo tatimor. Këto janë dy elementet kryesore që përmban Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, e quajtur ndryshe me vendim qeverie, Akademia. Projekti ndodhet në hapat e fundit dhe zbatimi parashikohet të nisë në tre muajt e ardhshëm. Sipas ideatorëve, në Akademi do të kryhen teste për çdo punonjës që kërkon të ngrihet në detyrë, si dhe prova verifikimi për pozicionin, në mënyrë që të shikohet qartë aftësia e doganierit dhe tatimorit. Po ashtu do të ketë provime në disa lëndë për kandidatët e rinj, edhe pse janë me diplomë apo master. Roli i Akademisë është të forcojë strukturat e administratës tatimore dhe doganore, duke ngritur anën profesionale të punonjësve, përmes testeve, provimeve dhe trajtimeve. Projekti është hartuar duke parë modelet e njohura europiane, ndërsa mbështetet plotësisht nga buxheti i shtetit.

Kualifikimi

Aktualisht, tatimet dhe doganat kryejnë sipas mundësive kurse trajnimi, kurse plani i Akademisë synon zhvillime të posaçme kualifikimi, me specialistë të njohur, pedagogë nga administrata fiskale etj. Me një fond të veçantë, prej 20 milionë lekësh, Akademia do të vërë para testimit të gjithë punonjësit e administratës së fiskut, që mendohet se janë rreth 2500. Ai që kalon testin ngrihet në detyrë, në të kundërt rrezikon pozicionin, pra nuk do të jenë më pjesë e asaj kategorie të statusit të nëpunësit civil për të cilën aplikojnë. Forma e re e rekrutimit aplikohet prej vitesh në vendet e zhvilluara perëndimore dhe tani provohet të zbatohet edhe në Shqipëri. Sipas projektit, kandidati që kërkon të punësohet në tatime apo në doganë, si fillim do të ndjekë një kurs tremujor, duke dhënë provime specifike të fushës. Sa u takon tarifave të shkollës, nuk ka ende një plan të qartë, pasi një tjetër mundësi financimi do të jetë buxheti i shtetit. I gjithë projekti kushton 20 milionë lekë të vjetra, por nuk përjashtohet mundësia e sponsorëve nga ana e biznesit.

Akademia

Krijimin e Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (Akademia), do të jetë në varësi të ministrit të Financave. Akademia do të sigurojë formimin profesional të administratës tatimore dhe doganore, i cili përfshin trajnimin në periudhën e provës, për zhvillimin e karrierës, për përshtatje profesionale, në rastet e ndryshimit të kërkesave të vendit të punës, sipas ligjeve të fushës dhe me karakter të posaçëm për kryerjen e detyrave të veçanta. Organet drejtuese të kësaj akademie janë drejtoria dhe bordi, i cili përcakton çdo vit programet e trajnimit të detyrueshëm dhe atij fakultativ të akademisë dhe merr vendime për veprimtarinë e akademisë. Një herë në vit, Bordi do të miratojë tarifat e shkollimit, që do të aplikohen për kurset e trajnimit bazë në administratën tatimore ose doganore, për personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre administrative dhe për trajnimin e personave, që janë në periudhë prove. Bordi drejtues, i cili luan rol kryesor në zhvillimin e Akademisë, mund të miratojë kriteret shtesë, që duhet të plotësojnë trajnuesit.

Procedura e kurseve

Sipas vendimit të qeverisë, marrë në dhjetor 2009, trajnimi pranë Akademisë është i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e këtyre administratave. Sipas vendimit të qeverisë, datë 16 dhjetor, kurset organizohen për punonjësit në periudhë prove, si dhe në vazhdimësi për punonjës të tjerë, sipas një grafiku të hartuar në përputhje me listat emërore të paraqitura nga drejtoritë përkatëse. Gjatë kohës së trajnimit, nëpunësi merr pagën e plotë. Në përfundim të çdo kursi, organizohet provimi i vlerësimit të dijeve të marra. Vlerësimi i dhënë në përfundim të provimit bëhet pjesë e vlerësimit vjetor të të punësuarit në administratën tatimore apo doganore. Punonjësit në periudhë prove, të cilët nuk kalojnë provimin e vlerësimit të organizuar pranë Akademisë, nuk konfirmohen për përfundimin me sukses të periudhës së provës.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›