Xhevahir Spahiu, poeti hesht në 65-vjetor
Prej foltores, aktori Bujar Asqeriu interpreton poezitë e Xhevahir Spahiut. Herë me ton të lehtë, herë ledhatar, herë të zemëruar e herë të rebeluar dhe të dashuruar ai i vjen pas vargjeve të poetit. Në rreshtin e parë, e ulur këmbëkryq përtokë, një vogëlushe rreth gjashtë vjeç vështron fotografitë e gjyshit të saj. Ia ka rrëmbyer prej duarve atë dhuratë të miqve të shoqatës “Tomori” e në të njëjtën kohë lëkundet e kërcen nën ritmin e fjalëve të thurura prej tij. Ngre kokën dhe i thërret: “Gjysh, o gjysh...” dhe ia bën me dorë. E vogla kërkon vëmendjen e flokëthinjurit në sallën e mbushur plot me intelektualë, njerëz të letrave, miq, kolegë, gazetarë, të afërm e dashamirës, të cilët i ka mbledhur bashkë 65-vjetori i lindjes së Xhevahirit poet. Dhe ai, Xhevahir Spahiu, energjiku, njeriu i fjalës, i qeshuri dhe zhurmëmadhi u tha: “Faleminderit! Faleminderit!” dhe heshti. Tentoi të thoshte dy fjalë më shumë, por sëmundja përzier me emocionet e bëri këtë shfaqje të tij publike, thjesht fizike. Poeti për herë të parë nuk foli gjatë. Por buzëqeshja e shoqëronte ngado, me gjithë sytë e mendueshëm që diç më shumë shprehnin. “Shëndet e jetë të gjatë!”, ky urim vinte më i shpeshtë nga goja e të gjithë atyre që afroheshin për ta përgëzuar, sepse më në fund pas sëmundjes së rëndë që e goditi plot një vit më parë e pas ndonjë dalje sporadike në publik, e ndonjë kafeje mes miqsh në të përhershmen kafe “Evropa”, poeti i madh është përballur me kamerat, me kureshtjen e mediave dhe me interesimin e të gjithëve. Në pamundësi për të qenë i pranishëm për ta uruar e përqafuar mikun e tij, poeti Dritëro Agolli i ka dërguar një letër. “Të uroj nga zemra 65–vjetorin e lindjes. Fillimi i 66-vjetorit të jetë një rilindje moshe edhe në krijimtarinë tënde aq vlerëmadhe, me idetë dhe temat e tua të ndritura lart me metaforën tënde të natyrshme, që nuk është rritur në sera të librave, apo në qymezet e këndes-poetëve, por në mendjen dhe ndjenjën tënde në aleancë me shoqërinë dhe natyrën. Poezia jote rron dhe do të rrojë”, shkruan ai. Dhe Xhevahiri vjen në këtë 65-vjetor, si poeti që sipas akademikut Myzafer Korkuti, hapi një epokë të re në poezinë moderne shqiptare, apo siç Jorgo Bulo e quajti, si një prej ikonave të saj. “Ai është poeti që ka lëvruar fjalën shqipe dhe i është falur kultit të saj. është poeti që krijoi poezinë e shpirtit të lirë njerëzor, poeti që i përket çetës së rebeluar të poetëve”, vijon Bulo, duke iu drejtuar Xhevahirit se krijimtaria e tij duhet të vijojë rrugën, “sepse i ke ende borxhe fjalës”. Për studiuesin Shaban Sinani kjo ditëlindje e poetit është një ngjarje e gëzueshme për të gjithë letërsinë shqipe, për lexuesit e studiuesit e saj; për kulturën shqiptare dhe dashamirësit e saj kudo që ajo krijohet, trashëgohet dhe zbut e qytetëron njeriun shqiptar. “Xhevahir Spahiu iu largua kësaj tradite dhe hapi udhën e vet të poezisë pa madhështi dhe heroizëm historik, të poezisë që kishte në qendrën e vet njeriun: nënën, motrën, të dashurën, mikun, Nolin, çabejin apo qytetarin pa emër. Nuk ka në poezinë e Xhevahirit qytete të përfytyruar, ardhmëni postindustriale, antena, trena të shpejtë, kibernetikë, urbanizim të qëllimshëm, teknologji të frikshme për vetë fatin e poezisë. Dallimin kryeneç që bëri Xhevahir Spahiu me paraardhësit e tij hijerëndë mund ta vërejë edhe lexuesi i përditshëm, prej fjalorit poetik apo fjalëve çelësa”, thotë në fjalën e tij Sinani. Sipas tij, Xhevahir Spahiu dhe bashkë me të edhe Frederik Rreshpja dhe të tjerë, dalluan prej një brezi të mëparshëm poetësh edhe në një mënyrë tjetër: jo duke iu varur dikujt prej hierarkisë së mëparshme, por duke mbështetur dhe lartësuar ata të rinj poetë që donin t’i dorëzoheshin urdhrit të shenjtë të poezisë, por shtigjet i shihnin të mbyllura. Ai vijon më tej duke thënë se të vetmet “aleanca” të Xhevahir Spahiut qenë ato me më të ngratët e më të papërkrahurit prej çetës së re të krijuesve; shpesh dhe me më problematikët e më shqetësuesit prej tyre. “Xhevahir Spahiu është një prej poetëve që ka për të qenë gjithnjë një referencë si ai që e nderoi deri në madhështim vlerën e fjalës. Në dy periudha, të dyja inkurajuese të një omnigrafie përmbytëse dhe të shumë manive të tjera të lidhura me fjalën e shkruar e të folur, të lirën dhe të ndaluarën, ai është më i kursyeri dhe më mirëbesuesi në fuqinë e fjalës. Në një kuptim të tillë, Xhevahiri ishte dhe është një idealist, sepse ka dashur dhe do t’i ndryshojë gjërat me fuqinë e ndikimit të mendimit dhe jo të veprimit, sikurse është zakon ndër shqiptarët. Kohë të artë për idealizmin nuk ka pasur ndonjëherë. Sidomos kur zëdhënësi “vjen i bardhë” në kohëra komisarësh e në kohëra të mëvonshme të lojës me lirinë. Shumë interesante është të vërehet se poezia e Xhevahir Spahiut e vazhdon vetveten përmbi cakun që ndan dy periudhat historike-politike pa ndonjë sforcim, pa ndonjë shtrëngim, gati-gati me pandjeshmëri ndaj asaj që kishte ndodhur. Ishte dhe mbeti njeriu në poezinë e tij. Ardhtë i bardhë Xhevahir Spahiu dhe për njëqind vjet të tjera!”, e përfundon fjalën e tij Shaban Sinani. Ndërsa për zëvendësministren e Kulturës, Suzana Turkun, ky poet i madh i letërsisë shqipe, që i ka kaluar kufijtë e vendit të tij, ka sakrifikuar jetën dhe qetësinë e tij për të thënë të vërtetë. “Ti e do shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo që ke krijuar u përket atyre, kudo që ndodhen”, i drejtohet ajo poetit. Gjatë aktivitetit të organizuar me këtë rast, veç dhuratave e luleve për Xhevahir Spahiun, interpretoi një këngë popullore grupi i Skraparit, teksti i së cilës ishte shkruar nga vetë poeti, si dhe u shfaq edhe një dokumentar i titulluar “Magjia perse për princin e poezisë shqipe”. Xhevahir Spahiu lindi në Malind të Skraparit më 1 mars të vitit 1945. Aktiviteti në nder të tij u organizua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
#