BE duhet ta detyrojë të njohë të drejtat e minoriteteve
1. Rigjallërimi i frymës anti-Gjermane në Greqi si pasojë e refuzimit të Berlinit për të shpëtuar Greqinë nga katastrofa financiare është tregues se sëmundjet e Athinës shtrihen shumë përtej sferës ekonomike.
2. Mashtrimet dhe korrupsioni në shtetin grek që kërcënojnë stabilitetin e të gjithë Eurozonës janë pasoja anësore të një nacionalizmi agresiv që dhunon të drejtat e minoriteteve në Greqi dhe destabilizon Europën Juglindore.
3. Përveç kushteve ekonomike, mbi Greqinë duhet të vendosen edhe kushte politike si çmim që duhet të paguajë në këmbim të ndihmës financiare nga BE; këto kushte duhet të përfshijnë minimalisht nënshtrimin e Greqisë përballë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me të drejtat e minoriteteve, si dhe heqjen e vetos greke ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.
* * *
Qe vetëm çështje kohe. Sapo u bë e qartë se BE-ja nuk kishte ndër mend të ndihmonte Greqinë pa kushte për të zgjidhur krizën e borxheve që u krijua pikërisht nga korrupsioni dhe shthurja e Athinës, qe e pashmangshme se ulërimat do të fillonin në Greqi mes qarqeve që synojnë ta nxjerrin vendin si një viktimë të imperialistëve komplotistë të huaj. Kryeministri Jorgos Papandreu u hapi rrugë këtyre ankesave, duke thënë se BE-ja ishte fajtore për Greqinë dhe jo anasjelltas: “Greqia nuk është një superfuqi politike apo ekonomike dhe nuk mund të luftojë e vetme. BE-ja dha mbështetje politike gjatë muajve të fundit të kësaj krize, por në betejën kundër përshtypjeve dhe psikologjisë së tregjeve kjo mbështetje erdhi shumë vonë dhe qe e vakët”. Për më tepër, sipas Papandreut, gabimet e BE-së shkuan përtej “vakësisë” në përgjigjen që dha ndaj krizës së Greqisë, aq sa ai u përpoq të gjente edhe një fajtor tjetër për krizën përveç vetes: “Pati spekulime mbi vendin tonë, gjë që krijoi psikologjinë e kolapsit të menjëhershëm, profeci që rrezikojnë të bëhen vetë-realizuese”.
Sipas tij, “pati mungesë koordinimi mes enteve të ndryshme të bashkimit, komisionit, vendeve anëtare dhe Bankës Qendrore Europiane, madje pati edhe opinione të ndryshme të dhëna prej tyre”.
Zëvendëskryeministri Theodoros Pangalos shkoi më tutje, duke reaguar ndaj mungesës së vullnetit në Gjermani për të blerë borxhin e Greqisë, përmes rikujtimit të fakteve historike nga Lufta e Dytë Botërore, kur nazistët e patën pushtuar këtë vend: “Ata (nazistët) morën arin e Greqisë që gjendej në Bankën e Greqisë, morën paratë e Greqisë dhe nuk i kthyen kurrë”.
Sipas tij, “kjo nuk do të thotë se ata duhet të kthejnë paratë me doemos, por duhet të thonë faleminderit. Ata (qeveria gjermane) nuk duhet të ankohen shumë kur vjen fjala për vjedhje, ndërkohë që nuk janë shumë specifikë në marrëveshjet ekonomike”.
Duket se nuk është normale që zëvendësdrejtuesi i një qeverie të zgjedhur demokratikisht i një vendi anëtar në BE e në NATO t’i rikujtojë Gjermanisë nazistët, vetëm e vetëm se kjo e fundit nuk dëshiron të paguajë katrahurën që krijoi dikush tjetër, por mendimet e Pangalosit janë pasqyrë e një vale të gjerë anti-Gjermane që po përshkon të gjithë Greqinë.
Margaritis Tzimas nga Nea Demokracia në opozitë, pyet retorikisht: “Si ka fytyrë Gjermania të na denoncojë në lidhje me financat tona, ndërkohë që nuk e ka paguar ende kompensimin për viktimat greke të kohës së luftës?” Deputetë nga koalicioni i majtë jo vetëm që i kërkuan qeverisë të ushtrojë presion mbi Berlinin në lidhje me reparacionet e luftës, por edhe e akuzuan Gjermaninë për krizën financiare: “Përmes deklaratave të tyre, politikanët e Gjermanisë dhe institucionet financiare të këtij vendi patën një rol udhëheqës në një lojë të ndyrë spekulative në dëm të popullit grek”.
Një shkallë më poshtë në shakanë pa kripë, është një barsoletë që po qarkullon në Athinë këto ditë, duke komentuar përpjekjet e qeverisë për të mbledhur më shumë taksa e për të nxjerrë tregtarët nga tregu i zi: “Për çdo faturë me TVSH të pambledhur, gjermanët do të ekzekutojnë dhjetë patriotë”. Ndjesia prej viktime që kanë grekët sot po merr përmasa komike. Siç raportoi edhe “Reuters”, “grekët rikujtojnë sot se ‘Gastarbeiter’, emigrantët grekë që punuan në Gjermani në vitet ’60-’70, ndihmuan këtë vend të përjetonte një mrekulli ekonomike, ndërkohë që vendi i tyre vuante nga një diktaturë ushtarake e mbështetur nga NATO, ku qe vend anëtar edhe Gjermania Perëndimore”. Me fjalë të tjera, Gjermania duhet të ndihet njëkohësisht në borxh ndaj Greqisë, sepse i pranoi si emigrantë dhe fajtore, për shkak se Greqia sundohej nga një diktaturë.
Natyrisht, realiteti se kush ndihmoi kë, nga pikëpamja ekonomike është disi i ndryshëm. Gjermania është në masën dërrmuese furnizuesi më i rëndësishëm i BE-së me fonde, ndërsa Greqia është përfituesi më i madh i tyre pas Polonisë e Rumanisë, si dhe përfituesi më i madh kur llogaritet në bazë të popullatës. Gjermania pretendon se ka dhënë rreth 33 miliardë marka në ndihmë të Greqisë që nga vitet 1960, qoftë në marrëveshje dypalëshe, qoftë në kontekstin e BE-së, ndërkohë që reparacionet e luftës qenë rreth 115 milionë marka. Duke parë se çfarë falënderimi po marrin gjermanët për këto para, nuk është fare i habitshëm ngurrimi i tyre për të dhënë akoma më shumë.
Megjithatë, në një farë kuptimi, grekët kanë të drejtë dhe BE-ja duhet të marrë përsipër një pjesë të përgjegjësisë për krizën financiare. Në fund të fundit, ishte pikërisht BE-ja që e subvencionoi shthurjen e Greqisë për më shumë se tri dekada, pavarësisht korrupsionit në sektorin publik të këtij vendi dhe nivelit shumë të lartë të evazionit fiskal, burokracisë së tejfryrë dhe moshës së ulët të daljes në pension.
BE-ja është bërë si një nënë e dashur që shfrytëzohet nga fëmija i saj plëngprishës dhe që vuan mosmirënjohjen kur nuk i plotëson të gjitha dëshirat një për një. Në fund të fundit, nëna i vuan pasojat e keqedukimit të fëmijës në kuptimin pozitiv apo negativ.
Inati i shfaqur nga Greqia kundër Gjermanisë nuk është një rast i mënjanuar; ky vend është i mbushur me ndjenja antiperëndimore, ndjenja që janë shfaqur deri me veprime terroriste.
Por ndërsa sot po diskutohet gjerësisht papërgjegjshmëria financiare e Greqisë që ishte nxitur edhe nga BE-ja, ende po flitet shumë pak mbi faktin se kjo papërgjegjshmëri shtrihet përtej sferës ekonomike. Greqia është gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut si një vend që thyen të drejtat e minoriteteve të veta maqedonase e turke, por ajo vijon t’i sfidojë vendimet e gjykatës, ndërkohë që nuk është penalizuar nga BE-ja. Greqia ka qenë aleatja më entuziaste e regjimit të Millosheviçit në Serbi; ndihmoi në rrëzimin e planit të OKB-së për ribashkimin e Qipros më 2004-n; është vetëm një nga pesë vendet e BE-së që nuk njeh pavarësinë e Kosovës (dhe e vetmja që nuk mund ta justifikojë këtë veprim mbi bazën e frikës ndaj separatizmave); dhe, më e rrezikshmja nga të gjithat, ajo po i vë veto Republikës së Maqedonisë që dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe BE. Nga ana tjetër, Greqia ka vetëm 15 trupa në misionin e NATO-s në Afganistan, ndërkohë që Maqedonia ka dërguar 165 dhe nuk është ende vend anëtar dhe ka një të pestën e popullatës së Greqisë. Fqinjët e tjerë kanë dërguar gjithashtu më shumë trupa: Shqipëria, 255, Kroacia 295, Bullgaria 540 e Rumania 945. Duket se këto vende që qenë në anën e gabuar gjatë luftës së Ftohtë kontribuojnë më shumë për aleancën Perëndimore se sa vendi i vetëm i Ballkanit me popullatë kristiane që shijoi mbrojtjen e NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, e ndërkohë që Turqia ka dhënë më shumë trupa për luftën në Afganistan, megjithëse është vend mysliman.
Rezultati i përgjithshëm i marrëdhënieve mes Greqisë dhe pjesës tjetër të NATO-s e BE-së është si vijon: Ne e mbrojtëm Greqinë; financuam me paratë tona mirëqenien e këtij vendi dhe i dhamë mbështetje të pakushtëzuar diplomatike për Maqedoninë dhe Qipron. Greqia ndjek politika që destabilizojnë BE-në ekonomikisht dhe Europën Juglindore politikisht, ndërkohë që jep kontribut minimal për sigurinë e botës demokratike. Ndërkohë, klasa politike dhe intelektuale e Greqisë ankohet pafundësisht për djajtë gjermanë e amerikanë, si dhe për imperializmin perëndimor në tërësi.
Kjo duhet të marrë fund. Reformat që i janë kërkuar Greqisë nga BE-ja si çmim për shpëtimin nga falimenti nuk duhet të kufizohen te sfera ekonomike, por duhet të zgjerohen te sfera politike. Greqia duhet të detyrohet të njohë të drejtat e minoriteteve kombëtare, përfshirë të drejtat për lirinë e organizimit, ndërgjegjes dhe vetëpërcaktimit, si dhe duhet të deklarojë menjëherë se do të pranojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ajo duhet të heqë veton për anëtarësimin e Maqedonisë në BE e në NATO dhe të shpallë se mosmarrëveshja e saj me Maqedoninë nuk do të zgjidhet përmes shantazhit dhe as nuk do të zgjidhet duke rrezikuar destabilizimin e të gjithë Europës Juglindore.
Autori është drejtor i Seksionit të Fqinjësisë në Europë për Henry Jackson Society, projekti për Gjeopolitikën Demokratike
#