E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi i shtetit, ngelin gjysma e studentëve të privatit

Skandali i diplomave të universiteteve private në Shqipëri nuk ndalet vetëm me rastin e Renzo Bossi-t. Institucionet që udhëheqin provimet e shtetit në vendin tonë (tashmë të detyruara me ligj) kanë vënë alarmin se shumica e studentëve të diplomuar në institucionet private nuk e zotërojnë kualifikimin e duhur për të kaluar provimin e shtetit dhe aq më tepër për të ushtruar profesionin e tyre. Sipas të dhënave të nxjerra nga faza e dytë e provimit të shtetit, duket qartë se kandidatët për farmacistë janë nivel i dobët Më pak se gjysma e të regjistruarve kanë kaluar. Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, Arjan Jaullapri, thotë se pjesa dërrmuese e të regjistruarve në këtë provim por dhe e mbetësve vijnë nga universitetet private. Ai kërkon që të verifikohet mënyra e pranimit të studentëve nga universitetet private, pasi profesioni i farmacistit ka të bëjë drejtpërdrejt më jetën e qytetarëve. Morën pjesë në provim 272 kandidatë dhe nuk morën pjesë 31 kandidatë. Provimin e shtetit e fituan 134 kandidatë ose 49.3 për qind e tyre dhe nuk e fituan 137 kandidatë, ose 50.7 e tyre. Kalueshmëria është në shifrat nën 50 për qind, çka flet për një nivel të ulët të formimit bazë të farmacistëve. Ky rezultat në disa universitete private shkon përtej shifrave normale”, tha Arjan Jaupllari, President i Urdhrit të Farmacistit. Urdhri i Farmacistit ndërkohë sheh me shqetësim edhe faktin se tregu është i tej mbushur me farmaci, aq sa farmacistët e rinj janë të tepërt. Ndaj ka kërkuar që fakultetet private të nxjerrin kuota të kufizuara, pasi kështu rritet edhe cilësia. Duke llogaritur me një shifër mesatare, në qoftë se tek ne do të kemi kritere të farmacistëve për banorë nuk ka nevojë më për farmacistë. Me këto ritme të regjistrimit në universitete, me këto ritme të hapjes së universiteteve për farmacistë ne do të furnizojmë me farmacistë gjithë Europën, vijon Jaupllari. Këtë sezon sërish konkurrentët farmacistë, që nuk kaluan në provimin e shtetit nuk mund të ushtrojnë profesionin kundrejt pagesës, pra nuk mund të punësohen. Nëse ata nuk kalojnë këtë provim deri në pesë raunde diploma u zhvlerësohet dhe nuk kanë të drejtë të punësohen më në këtë profesion.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›