E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i Bulevardit, fiton Grimshaw, ja si do të ndryshojë Tirana

Projekti i studios britanike Grimshaw Architects, u shpall fitues i konkursit për zgjatimin e Bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Shpallja e fituesit mes dy finalistëve Grimshaw dhe Dar Group u bë nga kryebashkikua Lulzim Basha, i cili kërkoi që brenda vitit të filloj zbatimi i projektit, i cili sipas tij do ti japë një zhvillim të ri Tiranës.
Basha për fituesin
Projekti që mishëron më së shumti aspiratat e qytetarëve të Tiranës është ai i përfaqësuar dhe i prezantuar nga studio arkitekturore Grimshaw Architects. Brenda këtij viti ne presim projektin e detajuar për Bulevardin e ri të Tiranës, ndërkohë që së bashku me institucionet përkatëse të bëhemi gati për punën për zhvendosjen e shinave të Trenit dhe shtyllave të tensionit të lartë, tha Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë Tiranë.
Grimshaw
Përfaqësuesi i Grimshaw i cili dha detaje rreth projektit tha se nuk mund të flitej ende për koston e projektit por shpresonte që punimet të nisnin në fund të vitit. Nuk sollëm një kompozim zyrtar. Ne propozuam një matricë të çlirët ku qyteti funksionalizohet. Ne vazhdojmë projektin që italianët e filluan 70 vjet më parë, pra vazhdon bulevardi por duke thyer elementët formal me ato që i quajmë dhoma urbane, ku secila prej tyre ka një natyrë të ndryshme, do të kemi një hapësirë të madhe për pallatin e drejtësisë, do të kemi një qendër bashkiake dhe një tjetër për kulturën, ku shpresojmë që qyteti të investoj, tha Neven Sidor Përfaqësues i Grimshaw Arcitects.
Projekti
Bulevardi do të jetë i ndarë në tri hapësira urbane në formën e xhepave ose siç quhen në maket Dhoma ndenje urbane. Hapësira e parë që nis nga Stacioni i Trenit, parashikon ndërtimin e një parku me një shesh dhe kafene përreth. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe ndërtimi i disa godinave me funksion publik. Brezi i dytë parashikon ndërtimin e hapësirave për qendra tregtare. Në brezin e tretë, ka një park me gjelbërim dhe ndërtesa me funksion publik, ku bëjnë pjesë që nga Biblioteka, Bashkia e re, Opera., dhe në fund është parashikuar të ngrihet Pallati i Drejtësisë. Projekti e sheh bulevardin si një urë lidhëse mes parkut të Liqenit Artificial dhe parkut të ri që do të ngrihet në Paskuqan. Prioritet tjetër i kësaj studioje do të jetë edhe ndërtimi i parkingjeve me kate.

Mungon kostoja e projektit fitues
Studio Grimshaw Architects ka projektuar bulevardin me gjerësi 60 metër, me tre sheshe kryesore, por ndryshe nga studio tjetër DAR, Grimshaw nuk ka prezantuar koston. Ndërkohë sipas zotit Basha studiove iu është kërkuar mesatarisht një kosto 100, deri në 130 euro për metër katror. Përfaqësuesi i Grimshaw ka shpjeguar dje më në detaje projektin duke thënë se: Mund të them se është zgjatimi i bulevardit, por thyhen elementët shumë formale, me një seri të atyre që ne i quajmë zona të jetuara urbane. Do të kemi një shesh që do të jetë qendra tregtare për të bërë pazar, apo për argëtim, do të kemi një kompleks kinemaje, supermarkete të mëdha dhe dyqane të vogla që përbëjnë një bërthamë. Një hapësirë më formale për drejtësinë, ku do të jetë edhe Pallati i Drejtësisë, avokatët, gjykatat dhe përtej kësaj do të kemi sheshin bashkiak dhe një tjetër për artin dhe kulturën”, tha Never Sidor, përfaqësuesi i studios.

PS: Projekti prish ekuilibrat social-mjedisorë
Nëpërmjet një deklarate kanë reaguar këshilltarët socialistë. Ata i kërkojnë Bashws tu tregojë qytetarëve se sa milionë euro u ka çuar dëm në këto 10 muaj, duke zhvilluar konkurse, që ishin zhvilluar më parë, si dhe sa milionë euro u kushton qytetarëve maketi i tij? Sa e shkatërrojnë ekuilibrin social dhe mjedisor të Tiranës, kullat që Basha ka planifikuar të ngrejë? Në deklaratën e këshilltarëve socialistë thuhet, se qytetarët e Tiranës kanë dëgjuar vetëm të pavërteta në këto muaj, ndërkohë që e ardhmja e tyre vazhdon të rrezikohet nga mashtrimi publik me makete, me miliona euro të çuara dëm, si në rastin e sheshit Skënderbej, me taksat që Basha premtoi të ulte, por në fakt u dyfishuan, me hipotekat që do ti gëzonin, por që ende nuk i kanë në dorë apo me Planin Urbanistik të 2008-ës, që po paraqitet si plan i sotëm i Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›