Thoma Deljana, ministri që guxoi të kundërshtojë Mehmet Shehun
Nga Sejdo Harka
Të shkruash për Thoma Delianën, do të thotë të shkruash për historinë 15-vjeçare të arsimit dhe kulturës shqiptare, në një periudhë sa të vrullshme aq dhe të vështirë. Është koha kur Zeusët e diktaturës, të cilëve u kishte hyrë lepuri në bark, kërkojnë që arsimin, kulturën dhe shkencën ti përdornin si armë për të vrarë lirinë dhe magjinë e ëndrrave të tyre të frikshme. Historia e jetës së tij ka qenë sa e heshtur aq dhe e trazuar, sa e bukur aq dhe e trishtuar, sa e nderuar aq dhe e përçmuar, sa entuziaste aq dhe e dëshpëruar. Në thellësitë e shpirtit të tij trazohen zjarri i luftës për liri, etja për kulturë e dituri, pasioni i njeriut të përkushtuar për punë e drejtësi dhe morali i njeriut ideal e mrekulli.
Për herë të parë Thomain e kam takuar në shkurt të vitit 2004, kur punoja në gazetën Mësuesi. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për të nderuar punën, organizoi përvjetorin e ditëlindjes së tij. Isha ngarkuar nga Ministria që të përgatisja materialin për jetën dhe veprimtarinë e tij. Ato ditë ai vinte shpesh në Ministri, ku na fliste me pasion për peripecitë e jetës dhe punës së ti si Ministër i Arsimit. Kur tregonte, herë entuziazmohej e herë trishtohej, herë ledhatonte muret e Ministrisë e herë revoltohej. Kujtonte luftën e ashpër midis kokave të nxehta, të etura për pushtet dhe dridhej i tëri, nga ajo betejë gjelash, që bluante koka dhe eshtra njerëzish të pafajshëm. Thoma Deljana i dha arsimit dhe kulturës sonë mendjen dhe përkushtimin, i fali vrullin dhe pasionin për masivizimin e forcimin cilësor të shkollës, për 15 vjet me radhë. Me emrin e tij janë lidhur ngushtë transformimet e vrullshme të arsimit dhe sportit, kulturës dhe shkencës. Për këto merita ai u dekorua disa herë, por më vonë do të bëhen pluhur e hi.
Ai njihet si një nga kundërshtarët e paktë të Kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehut. Për këtë dhe kundërshti të tjera, ai u fut në grupin armiqësor të arsim-kulturës, me në krye Abdyl Këllezin. Në vitin 1975 ai shkarkohet si ministër dhe dërgohet drejtor shkolle në Dhëmblan të Tepelenës. Pa mbushur viti, pushohet nga puna si drejtor dhe dërgohet të punojë si bujk e blegtor me kazëm e krrabë në dorë. Pas kësaj, për të do të fillonte kalvari i internimeve dhe përndjekjeve në Tepelenë dhe Elbasan. Meritat e tij u groposën, ndërsa dekoratat u kthyen në llamarina pa vlerë. Po cili ishte në të vërtetë Thoma Deljana. Ai lindi në 20 shkurt të vitit 1920 në lagjen Kala të Elbasanit. Shkollën e mesme e mbaroi në Normalen e Elbasanit. Kur ishte vetëm 12 vjeç, mori pjesë në demonstratën kundër qeverisë zogiste, që kishte vendosur të transferonte Normalen nga Elbasani në Shkodër. Në moshën 18 vjeç mori pjesë në Luftën kundër pushtuesve fashistë. Më vonë e shohim në demonstratën e bukës, në protestën kundër vrasjes makabre të disa të rinjve antifashistë në Vlorë. Në vitet e Luftës bën një jetë të dendur luftarake dhe politike. Shfaqet në Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste në Helmës të Skraparit, ku zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Konferenca e Rinisë Antifashiste, që u mbajt në shtator të vitit 1944 në Shpat të Elbasanit, e zgjodhi kryetar të rinisë së qarkut të Elbasanit dhe anëtar të kryesisë së Këshillit Antifashist të vendit. Gjatë Luftës kreu dhe shumë detyra të tjera të rëndësishme. Pas çlirimit, edhe pse në një moshë tepër të re, i besohen detyra e përgjegjësi të mëdha, si në Komisionin e Planit të Shtetit, në aparatin e Komitetit Qëndror etj. Në vitin 1955 dërgohet në Moskë për të vazhduar studimet për filozofi. Mbas mbarimit të shkollës,kur ende si kish mbushur 24 vjeç, emërohet Sekretar i Parë i Elbasanit dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në tetor të vitit 1961 emërohet zv. Ministër i Arsimit dhe Kulturës. Ndërsa pak më vonë Ministër i Arsimit dhe Kulturës.
Kushdo që lexon këtë biografi të shkurtër, por të ngjeshur, shtron pyetjen: Përse u persekutua në të vërtet Thoma Deljana?! Ja çtregon ai: Kur u ndamë nga Kina, Shqipëria u izolua plotësisht. Intelektualët që e kuptonin situatën ishin të shqetësuar nga parulla: Shqipërinë do ta ndërtojmë vet, pa ndihmën e askujt. Kjo ishte një utopi e rrezikshme, që do ta çonte vendin në një varfëri të tejskajshme dhe në një kapitullim të plotë. I tronditur, në konfidencë i them Abdyl Këllezit që ti propozonim Enverit për tu lidhur me Evropën. Mirëpo siç më tha Abdyli, në Byronë Politike ishte vulosur izolimi i plotë i Shqipërisë me parullën: Bar do të hamë dhe nuk do të përkulemi. Në këtë situatë krize filluan plenumet e vrasjeve dhe të likuidimeve në ushtri dhe ekonomi. Në këto plenume-gjyqe, flisnin vetëm servilët dhe frikacakët që ishin ngritur në majat e partisë dhe pushtetit si me vinç, ndërsa të tjerët, gjëja më e madhe që mund të bënin, ishte heshtja. Më ka thirrur në zyrë Hysni Kapo dhe më ka kërkuar me insistim të flisja. Por unë iu përgjigja prerë: Nuk jam makinë qorre, kam edhe unë personalitetin tim dhe hapa derën për të dalë jashtë. Skaluan, veçse disa ditë që unë të pushohesha nga puna si Ministër dhe të dërgohesha në Dhëmblan të Tepelenës.
Pas një viti Thomain e thirrën në Komitetin Qendror për ta qortuar se paskësh propozuar sistemin 10-vjeçar të arsimit të detyruar në një kohë, kur ata e dinin mirë, që ky sistem ishte miratuar nga Komisioni qendror i arsimit, i cili drejtohej nga Mehmet Shehu, por për mungesë fondesh ishte lënë për tu zbatuar më vonë. Ramiz Alia dhe Manush Myftiu, jo vetëm e qortojnë rëndë, por dhe e akuzojnë se këtë mendim e kishte marrë nga Beqir Balluku dhe Abdyl Këllezi. Në debat me ta tregon Th. Deliana – u ndava tepër armiqësisht. Kjo bëri që, sapo u ktheva në fshat, organizata bazë, me porosinë e tyre, më përjashtoi dhe më detyruan të punoja si bujk dhe blegtor. Nuk kam për të harruar kurrë bujarinë e njerëzve të thjeshtë dhe të nënave labe, të cilat ishin gati të më jepnin edhe shpirtin, kur më shihnin se si vuaja bashkë me to.
Pas vdekjes së Enver Hoxhës, e pas daljes në pension, Thomain e dërguan në Elbasan. Por dikush në Komitetin Qendror pat kritikuar Ramiz Alinë për lirimin e tij, prandaj menjëherë e thirrën në Tiranë dhe e internuan në Elbasan, derisa erdhi dita që ai të bashkohet përsëri me familjen dhe nipçen e tij të vogël, i cili, siç tregon me dhimbje, ai i thoshte: Nga na dole more gjysh, nga fundi i dheut!? Megjithëse i internuar, Elbasani nuk e izoloi kurrë. Bazat e luftës së tij ilegale, nuk mund ti privonin lirinë njeriut që u dhuroi lirinë. Arsimi dhe kultura u bënë jeta dhe pasioni i tij. Kur kam qenë Ministër, thekson ai-, kam patur kurajon ta mbroj dy herë arsimin dhe kulturën nga rreziqet që i kanoseshin nga revolucioni kulturor kinez. Pas fjalës së Enverit në gjimnazin Qemal Stafa të Tiranës, filloi fushata kundër arsimit dhe kulturës. Në shumë rrethe u mbyllën shkolla dhe nxënësit çoheshin në fushata e aksione me urdhra verbalë, të cilat shpesh i kundërshtoja. Në një mbledhje të qeverisë për shkollën ai thekson se shkollat tona nuk janë shkolla partie që të mësohet vetëm ideologjia marksiste-leniniste. Në një takim të veçantë me Enverin, Th.Deljana do të mbronte me guxim forcimin cilësor të shkollës. -Në përgjithësi tregonte Prof.Hamit Beqja, në një përvjetor ditëlindjeje, Thoma Deljana ishte njeri i bindur, por kishte dhe momente guximi. Në periudhën e të ashtuquajturit revolucionarizimi i shkollës, Mehmet Shehu del me propozimin për ta bërë shkollën 5 muaj në vit, ndërsa shkollën e mesme ta ulte nga 4 në 3 vjet. Kjo do të thoshte që të gjymtoheshin shtyllat themelore të programeve shkollore. Unë, Hasan Duma dhe Muntas Shehu, si anëtarë të komisionit të arsimit, u tronditëm dhe u stepëm. Shkuam në zyrën e Ramizit dhe i kër