E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunim mes tre shteteve, deportohet nga SHBA 44-vjeçari i dënuar në Itali me 30 vite burg

Një 44-vjeçar i arrestuar më herët këtë vit në Florida është deportuar sot nga SHBA dhe më pas është arrestuar nga policia shqiptare për llogari të Italisë. Sipas burimeve zyrtare, 44-vjeçari Kamer Duhanxhiu është dënuar me 30 vite burg nga autoritetet italiane për vrasje të mbetur në tentativë dhe vrasje në rrethana cilësuese.  

“Policia e Shtetit, Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Fast Albanias të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë/Zyrën e Hetimeve Kriminale në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në koordinim të veprimeve të përbashkëta me Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane – Shërbimi i Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe Zyrën e Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, prej shumë kohësh, ka bashkëpunuar duke shkëmbyer informacion lidhur me shtetasin shqiptar Kamer Duhanxhiu 44 vjeç”, njoftoi policia.

ARRESTIMI

Ky shtetas, në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999, është dënuar nga autoritetet italiane, me 30 vjet burgim për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Vrasja në rrethana cilësuese”, ngjarje të ndodhura në vitin 1999 në Asti, Itali.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet këtyre agjencive partnere ligjzbatuese në Shqipëri dhe Itali, si dhe të Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në Shtetet e Bashkuara, shtetasi Kamer Duhanxhiu, i cili fshihej në SHBA prej shumë vitesh, ishte arrestuar më herët, këtë vit, në Florida.

Pas përpjekjeve të përbashkëta koordinuese ndërmjet këtyre agjencive, ai u deportua nga SHBA, me fluturim çarter, në Tiranë, më datë 19.11.2025.

Sapo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, bazuar në urdhrin e arrestit ndërkombëtar/kartelën e kuqe të Interpolit, të lëshuar nga autoritetet italiane. Ky shtetas do të përballet me dënimin e tij 30-vjeçar, në Itali.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›