Pse Berisha premton se do miratojë çdo projekt të Bashës dhe refuzon çdo projekt të Ramës?
Kryelajmi i një interviste të kryeministrit shqiptar tek një televizion i qeverisë, sipas gazetave të tij, ka qenë se qeveria nuk do të refuzojë asnjë projekt të Bashës nëse do të zgjidhet kryebashkiak. Kjo deklaratë është e rëndë për disa arsye.
Së pari ajo tregon se kush do të jetë kryebashkiak në rast se Basha do të zgjidhet në këtë post.
Së dyti ky është një pohim shumë i rëndë, sidomos kur bëhet nga një njeri që nuk ka miratuar asnjë grant e projekt të Bashkisë së Tiranës në vitet e fundit, pa përmendur këtu faktin që kryeqyteti është e vetmja bashki, që nuk i janë miratuar pronat, dhe që i grabiten nga qeveria edhe ato pak që ka. Është skandal të mendosh që paraardhësit nuk i ka miratuar asnjë projekt e këtij do ia miratosh të gjitha pa asnjë dyshim.
Së fundmi kjo tregon që ky kryeministër mendon çdo sekondë të jetës së tij për vota e kurrë për qytetarin, kjo do të thotë që ai nuk ka aspak respekt për Tiranën dhe tani garon në këtë qytet, të cilit nuk i ka dhënë asgjë, por i kërkon shumë.