E Martë, 3 Nëntor 2026

Pse Blinken po viziton Shqipërinë? Analistët japin arsyet: Kryesisht lidhen me sigurinë e rajonit

Gazetarët e Radio Televizionit Shqiptar pyetën disa komentatorë për mesazhet që pritet të sjellë vizita e Sekretarit Amerikan Antony Blinken sot në Shqipëri.

Analistët tregojnë rëndësinë që ka kjo vizitë, pse u zgjodh Shqipëria sipas tyre dhe çfarë kërkojnë amerikanet nga autoritetet shqiptare.

Ish-ambasadori në SHBA, Fatos Tarifa u shpreh se vizita e Blinken tregon se Shqipëria është aleati më i sigurt në SHBA.

“Shqipëria është për SHBA aleati më i sigurt që ata kanë në Ballkan. Shqipëria, të paktën këto tre vitet e fundit ka treguar se ka qëndruar besnik politikave amerikane, partner i besueshëm në NATO, sidomos gjatë 2 viteve që kishim radhën e kryesimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe si rol që kemi luajtur si vend dhe si qeveri duke krijuar vetëm stabilitet”.

Për analistin, Ben Andoni mesazhet e Blinken do të jenë për të ardhmen e rajonit.

”Ajo që pritet nga Blinken është përballje më Shqipërinë në një farë mënyre, përkrahje në sistemin e drejtësisë. Mendoj se mesazhet e zotit Blinken do të jenë për të ardhmen e rajonit dhe vendin që do të ketë Shqipëria në përshkallëzimin e situatës në Kosovë”.

Analisti Mentor Kikia vë theksin tek vijimi i partneritetit me SHBA.

“Vijimi i partneritet, i këtij raporti të rëndësishëm i cili do të duhet të vazhdojë të jetë i pandryshueshëm, pavarësisht problemeve të brendshme politike që mund të ketë Shqipëria. Është shumë e rëndësishme të ruhet kjo marrëdhënie jo thjesht në nivelin e servilizmit që shpesh demonstrohet nga politikanë shqiptarë, por serioze partneriteti”.

Gazetari Flogert Muça, kjo vizitë tregon se Shqipëria është epiqendra e NATO-s, si një lajm i mirë për sigurinë e vendit.

“Kemi të bëjmë me sekretarin e shtetit që shkon në Gaza, shkon në Ukrainë, dhe ai që në Ballkan zgjedh Tiranën. Mesazhi që jep sigurisht që aleati më i rëndësishëm në Ballkan është Tirana dhe vendi aleat, epiqendra e NATO-s është Shqipëria dhe ky është nja lajm i mirë për sigurinë e vendit dhe për drejtësinë e re”.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›