E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Brukseli flaku iluzionet e Maqedonisë

20-12-2012 / Nga Ismail Arsllani

Brukseli përfundimisht theu iluzionet e elitave politike në Maqedoni. Bagazhi i shpresave të pabaza treti si flluskë sapuni. Doli që pushtetarët në këtë vend ballkanik nuk nxorën mësim nga dështimet e deritashme, ndaj dhe janë të detyruar të përsërisin historinë. Data aq e pritur për fillimin e negociatave me BE-në, për herë të katërt mbeti vetëm si një iluzion në strukturën mentale të politikanëve të këtushëm ëndërrimtarë. Ata u përballën me një realitet të hidhur, me dështim përpjekjesh që ishin efemere, sipërfaqësore, mashtruese, në stilin: “Djali i tregon babës mezhdat e arës”.
Mesazhi i Brukselit sado i qartë që ishte për Maqedoninë, sado i vrazhdë dhe i drejtpërdrejtë se “s’ka datë për negociata”, përsëri garda pushtetmbajtëse ende po sillet me inerci anekdotike: “Bëje Zot ëndërr!”. Por, shtetet e vogla si Maqedonia, që fryhen e maten me të mëdhenjtë, do të kthjellen kur të vijë fatura e pagesës, atëherë, por, bëhet vonë për vajtim. Ai që nuk e sheh këtë me kohë, lotët nuk i shteren gjithë jetën.
Në shikim të parë dukej sikur Shkupi mori me qetësi lajmin e Brukselit, ndonëse ishte puna për të pritur edhe më tej përpara dyerve të BE-së. Madje, me dioptrinë politike qeveritare, një “jo” e këtillë e Brukselit s’qenkësh e vërtetë, por qenkësh një “diçka” që duhet lexuar si “po”, madje si një “sukses”, si ecje “përpara”, një “shpresë” më shumë, se në një të ardhme të afërt do të arrijë “data” për fillimin e negociatave. Ky optimizëm ndoshta është fiktiv, vetëm sa për ta qetësuar elektoratin para zgjedhjeve lokale të marsit. Ky optimizëm i ngërthyer me një verbëri politike, me një pa precedencë diplomatike, del në shesh kur përdoret vokabulari jo diplomatik se “me një gjest të këtillë Brukseli po humb imazhin”; se Maqedonia e meriton datën për negociata dhe anëtarësim në BE; se ka bërë reforma të mjaftueshme; se ka marrëdhënie mjaft të mira me fqinjët. Janë pikërisht ato elemente që janë inkorporuar si vërejtje dhe “test përmirësues” për Maqedoninë në Raportin vjetor të progresit të KE-së në tetor të këtij viti, ndonëse në të lavdëroheshin edhe detyrat e kryera dhe propozohej marrja e datës për negociata.
Pushtetmbajtësit në Maqedoni, me partnerë maqedonas e shqiptarë, madje edhe këta të fundit drejtojnë procesin e euro-integrimeve, bënë disa gabime strategjike që shkojnë deri në naivitet politik e diplomatik, kur optimizmin para takimit të Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së ushqyen me Raportin pozitiv të KE-së, se ky do të jetë njëfarë vize për të marrë datë për negociata, sikundër edhe me lajthitjet nga deklaratat e komisionarit për zgjerim Shtefan Fyle, se do të zhvillohet një proces paralel i negocimeve dhe të zgjidhjes së kontestit të emrit, por duke “harruar” se aty gjendet Greqia që konteston emrin e Maqedonisë dhe me kohë paralajmëroi se pa zgjidhjen e kontestit të emrit nuk do të ketë bisedime me BE-në.
Ndonëse Maqedonisë i ishte tërhequr vërejtja që do të duhet t’i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët, ajo u soll shumë me prepotencë edhe ndaj Bullgarisë, e cila po ashtu u pozicionua kundër, sikundër që ishte e përmbajtur edhe Sllovenia nga ish-Jugosllavia e përbashkët, për shkak të etiketimeve maqedonase ndaj disa funksionarëve të tyre në BE, ndërkohë edhe disa shtete të tjera më të mëdha morën anën e Greqisë. Së këndejmi, Greqia me të drejtë fërkoi duart dhe cakërroi gotat, që arriti me diplomacinë e vet të përfitojë shumicën e anëtarëve të BE-së, kur është fjala për veton e saj ndaj Maqedonisë.
Gabimi i dytë strategjik ishte që Maqedonia më shumë i dha rëndësi vendimit të Gjykatës së Hagës, e cila u prononcua se “Greqia është ajo që e ka thyer Marrëveshjen e përkohshme nga viti 1995”, fakt ky që u injorua nga klubet politike të BE-së. Por u vu në spikamë Memorandumi për mirëkuptim i Greqisë, të cilit së voni Maqedonia iu përgjigj me shumë hamendje.
Gabimi vijues ishte injorimi i “momentit” të takimit nga mesi i dhjetorit të Këshillit të ministrave të BE-së nga ana e kompetentëve për euro-integrime në Maqedoni, të cilët ditë të tëra para dhe pas këtij takimi nuk ishin në vendin e tyre, për t’i përcjellë zhvillimet dhe për të ndikuar në to me takime në nivele të larta me përfaqësues të shteteve të BE-së, por shkuan në SHBA për “punë të tjera”. Ky injorim nuk kaloi pa u vërejtur nga zyrat e vendosjes në Bruksel.
I katërti ndër gabimet ishte provokimi i herë pas hershëm i Bullgarisë fqinje, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe e cila ishte e para që njohu Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Me këtë, nomenklatura maqedonase, me qëllim apo pa qëllim, humbi një lobiste në strukturat euroatlantike.
Dhe, gabimi i radhës konsiston me faktin se partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, pas shpalljes së raportit pozitiv të KE-së, hynë në një konfrontim të kontrolluar për ngritje reitingu politik, me metoda tensionimi. Kjo gjë nuk u shikua me simpati nga ana e Brukselit.
Kështu pra, Brukseli në këso rrethanash i rekomandoi kryeministrit maqedonas që të zgjidh problemin e emrit deri në muajin maj të vitit 2013, dy javë para mbajtjes së sesionit të Këshillit të Evropës, në qershor. Brukseli është kategorik, pa zgjidhjen e kontestit me Greqinë dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, nuk do të ketë datë për bisedime. Së këndejmi, është pak e besueshme që një kontest kaq i vështirë dhe i zvarritur 20 vjetët e kaluar, do të mund të zgjidhet për pesë muaj. Në të kundërtën, agjenda e zhvillimit të bisedimeve për BE me Maqedoninë ka gjasa të ngrijë përkohësisht. Dëmi mund të jetë kolateral. Mund të ndodhë edhe rivënia e vizave në zonën Shengen që nga shtatori i vitit të ardhshëm për Maqedoninë, siç është paralajmëruar për vendet që ende nuk kanë filluar bisedimet me BE-në.
Ka edhe një vistër dëmesh zinxhirorë: pasiguri e përgjithshme në mungesë perspektive, lëkundje stabiliteti politik në planin e brendshëm, kurdisje skenarësh për tërheqjen e vëmendjes nga kriza, mungesë investimesh kapitale nga jashtë etj. Në anën tjetër, duhet kuptuar se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë një nga kriteret më të rëndësishme të Kopenhagës, që duhet përmbushur nga kandidatët për aderim në BE. Brukseli duhet bindur nga pala maqedonase se “doktrina” e BE-së që mbështetet në konsensus dhe parandalim të importimit të problemeve në këtë Mega-klub nga ana e vendeve aderuese, nuk është ndonjë komplot dhe padrejtësi ndaj asnjë shteti aspirant, ndaj dhe as kundër Maqedonisë. Së këndejmi duhet evituar tentimet për mbjelljen e disponimit anti-evropian në vendet kandidate. Maqedonia, pas një kohë të gjatë, ka simptomat e një disponimi të këtillë. Një anketë së voni ka treguar se qytetarët në Maqedoni, në radhë të parë ata maqedonas, për disa për qind janë më të dëshpëruar nga politikat e BE-së dhe NATO-s. Kjo e kthen Maqedoninë nga Lindja, të cilën gjë nuk e dëshiron Brukseli dhe Uashingtoni.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›