KKRRTRSH miraton ndërtimin e kaskadës së Devollit dhe projektin TAP. 2.7 miliardë dollarë investime dhe 40 mijë të punësuar
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Territorit, kryeministri Sali Berisha ka prezantuar dy projektet gjigande, atë të Kaskadës së Devollit dhe projektin TAP, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë 2.7 miliardë euro investime në Shqipëri dhe që do të krijojnë 40 mijë vende të reja pune
Tiranë- Këshilli i Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë (KKRRTRSH), vendosi sot për dy projekte gjigante, që në tërësi përbëjnë investime në vend prej 2.7 miliardë euro, atë të Kaskadës së Devollit dhe atij të gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP). Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha theksoi të dy këto projekte që, për nga rëndësia e tyre dalin jashtë kufijve të këtij vendi, janë dy ndër më të rëndësishmet, që nisin zbatimin vitin e ardhshëm në Evropë. Kryeministri Berisha tha se impakti që këto dy projekte sjellin është jo vetëm në aspektin e fuqizimit të sistemit energjetik dhe të ekonomisë shqiptare, por edhe social, pasi së bashku projektojnë 42 mijë vende të reja pune.
Sipas kryeministrit, projekti i Kaskadës së Devollit, do ndërtohet nga kompania numër një e HEC në Evropë, ndërtuesi kryesor i HEC në botë, që menaxhon mbi 200 e ca hidrocentrale. “Ky është me më shumë se 800 milionë euro investim, në tre hidrocentrale, bazuar në tunele me dhjetëra kilometër, projekt ky që transformon në mënyrë rrënjësore sistemin hidroenergjetik të vendit dhe përbën një hap cilësor drejt shndërrimit të vendit në superfuqi energjetike rajonale. Punëson direkt e indirekt mbi 7 mijë punëtorë, teknikë, inxhinierë, ekonomistë, drejtues, jurist, etj”- tha Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha një tjetër projekt i rëndësishëm për vendin është edhe gazsjellësi TAP. “Edhe ku projekt është dëshmi i një besimi të madh të gjigandëve të gazit dhe naftës, kompanive më të mëdha në botë të kësaj fushe, të qeverive të këtyre vendeve, tek klima e favorshme e Shqipërisë për biznes. Me këtë projekt Shqipëria merr një rol qendror në shpërndarjen e gazit në Ballkan, në Ballkanin Perëndimor dhe krahun e Evropës Perëndimore pasi gazi do të kalojë drejt tregut tjetër por edhe drejt veriut dhe vendeve të tjera ballkanike”, shtoi Berisha.
Kreu i qeverisë tha se në këtë 4-vjeçar, vendi nis strategjia për gazifikimin e Shqipërisë, ndërsa premtoi se në fund të mandatit tjetër do të kompletohet projekti i “Shqipërisë vend i zhvilluar”. “Shqipëria nis e sigurt në 4 vjetor që vjen gazifikimin e familjeve shqiptare në të gjithë territorin duke iu garantuar atyre gaz. Shqipëria ka edhe depo të mëdha të gazit që përbëjnë një aset shumë të çmuar për suksesin e projektit në fjalë. Në këtë projekt i cili kalon me një gjatësi 200 km në territorin tonë do të bëhen 2 miliard euro investime dhe këtu punësohen direkt mbi 20 mijë punëtorë, inxhinierë teknikë dhe 15 mijë indirekt. Viti që vjen është fillimi i projekteve të mëdha dhe përfundon i cikleve vendos në mënyrë të sigurt Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluar. Përfundimi i të cilave do të dyfishojë, do të jetë faktor kryesor në dyfishimin e të ardhurave të këtij vendi dhe kalimin e saj në grupin e vendeve të zhvilluara. Premtimi im solemn është që Shqipëria vend i zhvilluar do të fillojë të bëhet i prekshëm që vitin që vjen dhe do të kompletohet në fundin e mandatit të tretë të vitit 2017”- tha Berisha.
...