E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vendos shpërblimin e pensionistëve, për festat e fundvitit

20-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: “Politikë konstante rritja e pagave dhe pensioneve - opozita t’u kërkojë falje pensionistëve”


“Nuk mund të preket politika e rritjes së rrogave dhe pensioneve, shtoi edhe faktin se kemi një zotim solemn elektoral që sa të na votojnë, do të rrisim rrogat e pensionet. Ne jemi të hapur, sepse këtë nuk e kemi bërë në vitet elektorale, por që nga viti 2006 e këtej kjo ka qenë politikë konstante e kësaj qeverie. Në të gjitha buxhetet e miratuara është parashikuar e do të parashikohet rritja e rrogave e pensioneve”


Tiranë- 560 mijë pensionistë përfitojnë nga vendimi i Qeverisë, shpërblimin e fundvitit në shumën prej 20 mijë lekësh nga fondi me vlerë të përgjithshme 12 miliardë lekë. Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se, vendimi i qeverisë, sado modest, është një akt respekti e mirënjohjeje për punën e përkushtimin që ata kanë dhënë ndër vite. Sipas kryeministrit, qeveria për asnjë rrethanë nuk ka pasur qëllime përjashtuese, pasi për gjashtë vite me radhë ka qëndruar e qëndron në anën e interesave të tyre. “Kryefjala e mbledhjes sot është vendimi për shpërblimin e pensionistëve. Pati një trysni të pamerituar, për të mos thënë të pashpirt, mediatike, të qëllimshme dhe të organizuar lidhur me shpërblimin e fundvitit. Jashtë rrethanave të jashtëzakonshme, qeveria nuk i ka harruar e nuk do t’i harrojë ata. Ka pasur rrethana të jashtëzakonshme, në të cilat u mobilizuan të gjitha fondet, për përballimin e tyre, por për gjashtë vite me radhë qeveria ka qëndruar e qëndron në anën e tyre. Në asnjë rrethanë, qeveria nuk ka pasur ndërmend të përjashtojë nga shpërblimi, sado modest, 560 mijë gjysh e gjyshe, nëna e baballarë në pension, të cilët meritojnë shumë më tepër sa marrin, por që kanë konsideratën më të madhe nga kjo qeveri, që ka dhembshuri e respekt të madh ndaj tyre, vlerësim për kontributin që kanë dhënë në ndërtimin e kësaj Shqipërie, që sot është krejtësisht tjetër falë lumenjve të djersës e mundit të tyre. Më duhet të denoncoj publikisht mediat e kontrolluara nga opozita, të cilat dezinformuan në mënyrë shumë të pandershme pensionistët shqiptarë dhe shkuan deri aty sa t’i përgjysmojnë dhe t’i përdorin për qëllime dezinformuese deklaratat e ministrit të Financave, duke krijuar një shqetësim tërësisht të pabazë tek pensionistët shqiptarë. Ne vendosim për shpërblimin e punonjësve të administratës me shumën e përcaktuar nga Ministria e Financave dhe shpërblimin në fund të vitit me 2 mijë lekë, të 560 mijë pensionistëve”, tha ai.


Kreu i ekzekutivit i bëri thirrje opozitës të kërkojë ndjesë për dezinformimin që u ka bërë pensionistëve si dhe që nuk votuan në Parlament, për rritjen e rrogave dhe pensioneve. “Opozita nuk votoi rritjen e pensioneve dhe rrogave, dëshmi e një lloj shpirtkazmërie që rrjedh kryekëput nga interesi për vota dhe ngaqë janë shumë të interesuar për votat mendojnë se rritja e rrogave e pensioneve apo këto shpërblime do të konvertohen në to. Ata nuk kërkuan as në parlament, as në komision e askund, rritje apo shpërblim për pensionistët. Përkundrazi, vrapuan të censurojnë edhe deklaratën e ministrit dhe të shpallin se qeveria nuk do të shpërblejë pensionistët, në fund të vitit, çka do të ishte në të vërtetë një lajm jo i mirë për ta. Ndaj ftoj opozitën, e cila nuk votoi për rritjen e rrogave e të pensioneve apo nuk kërkoi shpërblimin e pensionistëve në fund të vitit, të paktën të kërkojë ndjesë publikisht dhe të mësojë se edhe ndjesa është dhunti e njeriut të qytetëruar. 


Uroj që të kërkojnë ndjesë se nuk miratuan në parlament rritjen e rrogave dhe pensioneve, të kërkojnë ndjesë se përhapen lajmin dezinformues, të pandershëm, me të cilin donin të mërzisnin e të trysnonin psikologjikisht pensionistët, në një kohë kur ata do të shpërbleheshin. Një shpërblim i merituar dhe është kënaqësi që kjo qeveri është nga më të paktat që ka mundësi t’ju dërgojë një kartolinë të tillë 560 mijë pensionistëve dhe të gjithë punonjësve të administratës, me urimin më të përzemërt për një vit të ri plotë suksese, gëzime, shëndet dhe mbarësi”, deklaroi ai. Kryeministri garantoi pensionistët se qeveria e ka primare angazhimin për mbështetjen e tyre si dhe premtoi gjithashtu se politika e rritje së rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë të jetë konstante, edhe përkundrejt kundërshtisë së opozitës, në bindjen më të thellë se ky është interesi më i ngushtë dhe më imediat i qytetarëve shqiptarë. “Me këtë rast dua të siguroj pensionistët se asgjë nuk mund të lëkundë vendosmërinë tonë për mbështetjen e tyre. Rikujtoj këtu se gjashtë vjet më parë, në fillim të vitit 2006, pensioni mesatar në fshat ishte 34 dollarë. Sot është rritur me 110 për qind. Çdo vit opozita ka kërkuar të mos rriten pensionet dhe ka votuar kundër rritjes së tyre. A mbani mend të ketë sjellë opozita ndonjë amendament për të rritur pensionet e rrogat? Sigurisht që jo. Por amendamenti i tyre për të përllogaritur borxhin si përqindje e GDP-së po regjistrohet në Guinness, si një gafë e përmasave ndërkombëtare. Ndërkohë që çdo gjimnazist, për shkak se tashmë në gjimnaz janë futur njohuritë ekonomike, e ka të qartë se borxhi nuk llogaritet ndryshe, veçse si përqindje e GDP-së. Por opozita jonë zbuloi Amerikën, në një kohë kur ajo është fuqia kryesore e botës! E kuptoni sikur të ishte në anën tjetër të hënës e jo në këtë planet”, tha kryeministri. Berisha iu referua edhe qëndrimeve kundërshtuese të institucioneve ndërkombëtare, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Sipas kreut të mazhorancës, qeveria nuk mund të pranojë të ulet standardi i jetesës, pasi premtimi i saj solemn elektoral, është rritja e pagave dhe pensioneve. “Këtu dua të bëj edhe një sqarim. Kundërshtimi nga institucione ndërkombëtare për rritjen e rrogave e pensioneve nuk është marrë e nuk mund të merret parasysh nga kjo qeveri. Ata janë partnerë të shkëlqyer e ne kemi një mirënjohje të pakufishme ndaj punës e kontributit të tyre, por ne jemi të detyruar të mbajmë parasysh edhe interesat më të ngushtë, më imediate të punonjësve të administratës shqiptare dhe të pensionistëve shqiptarë dhe nuk ka interes më imediat se rritja e rrogave pensioneve, gjë të cilën ata e kanë të domosdoshme. Në asnjë rrethanë, qeveria nuk mund të pranojë që të ulet niveli i jetesës. Qeveria nuk mund të pranojë jo që të mos indeksojë, por të mos indeksojë dyfish rritjen e çmimeve. Le të vazhdojnë të merren me çmimin e fasuleve, që sigurisht çmimet rriten, por qeveria i rrit rrogat e pensionet minimumi dyfish më shumë sesa inflacioni. Unë kam mirëkuptim për thirrjet që vijnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, sepse qëllimin e kanë të mirë, por shenjën nuk e godasin. Është njëra anë të kesh qëllim të mirë dhe ana tjetër është të godasësh në nishan. Nuk mund të preket politika e rritjes së rrogave dhe pensioneve, shtoi edhe faktin se kemi një zotim solemn elektoral që sa të na votojnë, do të rrisim rrogat e pensionet. Ne jemi të hapur, sepse këtë nuk e kemi bërë në vitet elektorale, por që nga viti 2006 e këtej kjo ka qenë politikë konstante e kësaj qeverie. Në të gjitha buxhetet e miratuara është parashikuar e do të parashikohet rritja e rrogave e pensioneve”, theksoi më tej, kryeministri Berisha.


“Shpërblimi i pensionistëve, kartolina për festat e fundvitit”

Kryeministri Sali Berisha në Facebook


“Pata kënaqësi që në mbledhjen e sotme të qeverisë të vendosim për një shpërblim prej 20 mijë lekësh, për festat e fundvitit për 560 mijë pensionistë, që në total arrin shifrën e rreth 12 miliardë lekëve. Së pari, ky shpërblim, vjen përsëri si një shenjë respekti dhe mirënjohje ndaj tyre, për gjithçka kanë bërë, për punën dhe përkushtimin e tyre për këtë vend. Por dhe si një mundësi për ta kremtuar e pritur më mirë këtë vit të ri. Kjo vjen si një kartolinë me urimin më të përzemërt për gëzime, shëndet dhe mbarësi!”


...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›