Pse James Baker ka të drejtë!!!
Nga Jona Dervishi
5 korrik 2011
James Addison Baker ka qënë sekretari i 61-të i shtetit në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe e ka ushtruar këtë detyrë që nga vitin 1989 deri në vitin 1992, në administratën e George H.W. Bushit. Pikërisht në këtë funksion ai ka udhëtuar në Tiranë në vitin 1991, ku dhe ju rezervua një pritje spektakolare prej popullit shqiptar. Nga një podium i improvizuar ai përcolli mesazhin e demokracisë amerikane për ata mijëra shqiptarë të etur për fjalën e lirë që kishin pushtuar rrugët e Tiranës dhe sheshin Skënderbe. Shumë vetë e mbajnë mend mire atë vizitë, pak nga ne e dinë që pas problemeve të zgjedhjeve në Florida, George W. Bushi e dërgoj James Bakerin si emisarin e tij special për të drejtuar post fushatën për stafin e tij në Florida. Ndërkohë që një tjetër ish sekretar shteti, Sir Warren Christopher, mori drejtimin ë stafit elektoral të Al Gorit. Përzgjedhja e strategjive post-elektorale ishte diametralisht e kundërt, ndërsa fushata e Al Gorit ishte përqëndruar në ruajtjen e integritetit dhe figurës së Shteteve të Bashkuara në një kohë që sytë e botës ishin përqëndruar në kontetë e Miami-Dade, Palm Beach, Volusia, apo gjetkë në Florida, fushata e Bushit e kryesuar nga James Baker u fokusua vetëm tek një objektiv, fitoren e kandidatit të tyre, pavarësisht cmimit dhe imazhit që një vend i tërë duhet të paguante në sytë e botës. Ndërsa Warren Christopher nuk lejonte priftin Jessie Jackson të bënte protesta për margjinalizimin që i ishte bërë popullsisë së varfër dhe minoriteteve në procesin zgjedhor prej administratës shtetërore të Floridas që në atë kohë kishte si guvernator Jeb Bushin, vëllain e vogël te George W., James Baker shtynte republikanët të organizonin protesta aty ku bëhej numërimi, vetëm për të imtimiduar dhe bërë presion mbi stafet numëruese dhe gjykatat lokale. Në asnjë moment të atij procesi post zgjedhor republikanët nuk vunë interesat e Amerikës përpara atyre të George Bushit, prandaj mua sot më duket e cuditshme tek lexoj ato rreshta që zoti Baker paska shkruar për Shqiperinë, procesin elektoral dhe ecurinë demokratike në këtë kohë të vështirë për vendin tonë. Nga letra e shkruar për publikun shqiptar del nje Baker i superinformuar, por që në fakt tregon se nuk është i mirëinformuar. Për ata që e dinë historinë e zgjedhjeve në Florida, e dinë shumë mirë që republikanet fituan zgjedhjet vetëm duke e cuar cështjen në gjykatën supreme të Shteteve të Bashkuara, si asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Pavarësisht të gjithë përpjekjeve të tyre me një vendim per curiam, gjykata supreme për herë të parë në historinë e vet dha një vendim që nuk do të aplikohej universalisht, por vetëm për rastin në shqyrtim. Vendimi në thelb mbronte integritetin e votës së qytetarëve amerikanë kur thoshte që procesi i numërimit kishte qënë problematik dhe për të respektuar universalitetin e votës duhej të bëhej rinumërimi i votave (dhe këtu pranonte kërkesën e Al Gorit), por duke qënë se në ligjin zgjedhor të shtetit të Floridas kishte një nen ku thuhej që procesi elektoral duhej patjetër të mbyllej përpara datës 12 dhjetor, gjykata supreme e mbledhur për të shqyrtuar cështjen në datën 10 dhjetor, vendosi që të respektonte afatin e parashikuar nga ligji dhe për numërimin të jepte vetëm një ditë e gjysëm afat, duke e bërë atë praktikisht të pamundur dhe duke vulosur kështu fitoren e Bushit.
Në bazë të kësaj llogjike juridike unë jam plotësisht dakort me zotin Baker, ligji duhet respektuar, pasi demokracia funksionon vetëm në respekt të ligjit. Baker e shpreh këtë nocion në momentin kur thotë Po, liria funksionon, por ajo punon më mirë kur qytetarët respektojnë shtetin ligjor dhe garantojnë bazën ligjore për një demokraci të konsoliduar apo më pas kur thotë Mënyra e vetme se si të zgjidhet situata, si ajo e Floridas në vitin 2000 dhe Tiranës sot, është të realizosh një proces të besueshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet bazuar mbi faktet dhe ligjin duke deklaruar fituesin. Kandidati humbës duhet të përgatitet për të njohur rezultatin e procesit. Pyetja ime në rastin konkret është a e njeh kaq mirë James Baker ligjin elektoral shqiptar sa të bëj paralelen me realitetin tonë? A di zoti Baker që paragrafi 1 i nenit 122 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë thotë Tabela përmbledhëse e rezultatit të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor nxirret nga KZAZ-ja jo më vonë se ora 17:00 e ditës së nesërme të votimit, ndërsa dy fjalitë e para të paragrafit të parë të nenit 123 thonë tekstualisht KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ-ja plotëson Tabelën e Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore dhe e miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të Zonës Zgjedhore? Në këtë moment na del e drejta të bëjmë një paralele midis vendimit të gjykatës supreme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në cështjen Bush vs. Gore, dhe situatës post zgjedhore në Shqipëri, për të parë si janë respektuar limitet e vëna nga kodi zgjedhor shqiptar. Në një proces të zvarritur qëllimisht nga Partia Demokratike në numërimin maratonë të votave në njësinë 5, sigurisht që rezultati nuk mund të dilte dot në ora 17:00 të ditës së nesërme, por mos vallë duhej ndërprerë numërimi në ora 17:00 të ditës së hënë atherë kur Edi Rama udhëhiqte me më shumë se 1,000 vota plus, për të respektuar ligjin? Për sa i përket pjesës së dytë ama është mëse e qartë që KQZ-ja në mënyrë taksative duhej të miratonte rezultatin e nxjerrë nga KZAZ-të 48 orë pas dorëzimit të procezverbaleve në KQZ dhe të shpallte fitues kandidatin e Aleancës për të Ardhmen me +10 vota dhe për këtë KQZ-ja i kishte të gjitha materialet dhe mundësitë, por i mungonte vullneti. Dhe cfarë bëri KQZ-ja pa u preokupuar aspak për afatet ligjore, të cilat James Baker e di shumë mirë sa të rëndësishme janë, KQZ-ja jonë që intepreton në mënyrë shumë kreative dhe të relaksuar ligjin vendosi të bëhej organ ligjvënës e ta ndryshonte atë duke urdhëruar një numërim pa patur as edhe një vendim për një numërim të tillë…dhe pastaj ne të gjithë e dimë historinë. E nisa duke u marrë me një aspekt shumë të thjeshtë të problematikës tiranase dhe po i futem shumë pak valles së votave të kontestuara të klasifikuara të pavlefshme dhe pastaj të riklasifikuara në një proces të pandershëm dhe antiligjor që dëmton në thelb parimin e kaluzolës së mbrojtjes së barabartë (equal protection clause) e cila ishte teza me të cilën u mbrojt Bushi në gjykatën supreme Amerikane dhe po e përmend këtë meqë zoti Baker duhet ta ketë shumë mirë parasysh. Ajo klauzolë thotë që asnjë shtet nuk ka të drejtë ti mohoj asnjë personi nën juridiksionin e tij mbrojtjen e barabartë të ligjeve (no state shall … deny to any person within its jurisdiction the equal protection of the laws. A ja mohoj KQZ këtë të drejtë qytetarëve të Tiranës që nuk kishin votuar në 117 kutitë që u hapën herën e parë…pa diskutim që po, a ja dha Kolegji Zgjedhor këtë të drejtë qytetarëve të tjerë të Tiranës, po ja dha me një vendim që në thelb e shndërronte vendimin individual të KQZ-së në një vendim normativ që kërkonte një aprovim me 5 vota pro, i cili nuk ishte arritur dhe që automatikisht e kthente në nul numërimin e paligjshëm të atyre kutive. Duke shkuar dhe më tej, meqënëse Shqipëria nuk është vetëm Tiranë, a ju mohua qytetarëve të tjerë të Shqipërisë kjo e drejtë, sigurisht që po, pasi asnjë nga votat në kutitë e bashkive apo komunave të tjera nuk u numërua.