E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet islamike miratojnë rezolutë për njohjen e Kosovës

05-07-2011 / Gazeta 55

Në sesionin e 38 të OKI-së, që u mbajt në Kazakistan, u miratua unanimisht një rezolutë, e cila u bën thirrje 57 vendeve anëtare të organizatës, që ta njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës, duke respektuar vendimin e GJND-së, por edhe legjislacionin e tyre kombëtar


Organizata e Konferencës Islamike (OKI), në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit, ka miratuar një Rezolutë për situatën në Kosovë. OKI-ja në pikën e tetë të Rezolutës, për herë të parë thërret të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që të marrin në konsideratë njohjen e Kosovës, duke u bazuar në të drejtat e tyre të lira dhe sovrane si dhe përputhje me praktikat e tyre kombëtare, njofton Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Po ashtu, kjo konferencë, me Rezolutën e aprovuar, njeh plotësisht opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, i publikuar me 22 korrik 2010, në të cilin Gjykata ka konkluduar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur as ligjet e të drejtës ndërkombëtare e as rezolutat relevante. Në këtë sesion të Konferencës ishte prezent edhe ekipi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i udhëhequr nga Beqiri Ismaili, këshilltar i jashtëm i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Rexhep Boja dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt njohjeve që rezulton nga Strategjia për njohje e miratuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet në komunikatë. Në Rezolutën numër 17/38, Organizata e Konferencës Islamike nënvizon progresin e bërë nga Kosova për forcimin e demokracisë dhe punën institucionale në të gjitha nivelet në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend dhe në tërë rajonin. Në Rezolutë, OKI-ja mirëpret anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. OKI-ja pranon zhvillimet e rëndësishme politike që kanë ndodhur në Kosovë që nga takimi i fundit, përfshirë zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjen e qeverisë së re dhe presidentit të ri, të cilat janë zhvilluar në një formë të rregullt dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. OKI-ja, po ashtu, mirëpret përkushtimin e të gjitha palëve të interesuara (lokale dhe autoritetet ndërkombëtare), për forcimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit në Kosovë. Organizata e Konferencës Islamike, në rezolutë, mirëpret përpjekjet e vazhdueshme të Unionit Evropian për të avancuar perspektivën evropiane të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor, duke dhënë në këtë mënyrë kontribut vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon. OKI-ja mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian për çështje teknike, si kërkesë e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, 64/298. Organizata, po ashtu, mirëpret bashkëpunimin e Kosovës me institucionet ekonomike dhe financiare të OKI-së, dhe thërret komunitetin ndërkombëtar, përfshirë vullnetin e mirë të shteteve anëtare të OKI-së, që të vazhdojnë kontributin e tyre për mirëqenien ekonomike të Kosovës. Në rezolutën e miratuar në këtë sesion të Këshilli të Ministrave të Jashtëm të OKI-së, kërkohet nga sekretari i përgjithshëm i saj, që në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OKI-së të sjellë të një raport përcjellës për progresin e kësaj rezolute. Organizata e Konferencës Islamike, është organizata e dytë më e madhe ndër qeveritare pas Kombeve të bashkuar me gjithsej 57 shtete anëtare nga katër kontinente të ndryshme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›