E Shtunë, 31 Tetor 2026

LAJTHITJA

05-07-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Nxjerrë nga libri “Qendërcikloni”, 2002

Diktatorët e duan dhe e ngrenë kultin.
Propaganda e kishte përpunuar gjetjen: Enver Hoxha, edhe pse kundër Niçes, portretizohej si Mbinjeriu niçjan. I pagabueshëm. Qenie njerëzore e paprekshme nga mikrobet e viruset – i pasëmurshëm. I palodhshëm. Erudit i pashoq. Dinte gjithçka ( ku fshihej nafta, si bëhej lufta vetëm e fitores kundër imperializmit botëror e revizionizmit të të gjitha ngjyrave, cila është rruga e pagabuar e marksizëm – leninizmit, si shkrihet çeliku e ç’janë skorjet, cila tokë është për pambuk, pse duhet bërë shpyllëzimi e prishja e livadheve për patate, si cingariset lakrori dhe cilët ishin armiqtë e ku fshiheshin). Perëndia tokësore zbriste mes nesh nga qielli, aq sa ditën e festimeve të përvitshme, të 1 Majit proletar, në ora 10 plot, me të zenë vend në tribunën e kuqe, edhe po të qe shiovinë, retë përçaheshin me patjetër, rrebeshi ndalonte me domosdo. Mbi kuadratet marshuese, bashkë me  vështrimin e tij, binin rrezet e ngrohta që lumturonin fytyrën e popullit., E, nëse rastiste zheg, bash në minutin e bashkimt të tij me apostujt, sipas një renditjeje të ngurosur, diellin e zinin re,  që hijezonin turmën lëvizëse sipas regjisurës. Komunistë besimtarë të idhujve të rrejshëm, edhe marshonin, edhe thoshin se “ kur del Enveri në tribunë, shiu pushon, dielli ngroh, populli gëzon”.
Ai kult perëndie u godit keqas, të dielën e radhës në emisionin FOCUS,  të Televizionit Shqiptar, në një mbledhje numërore, në sallën e Komitetit Qendror, përpara anëtarësisë së pamunguar të pleniumit: Enver Hoxha, në një filmim të Sigurimit të Shtetit, u shfaq i zvetnuar fizikisht nga lajthitja ( skleroza), duke  vërtetuar përfoljen e frikësuar. I mbaruar edhe mendërisht: Ai ngatërronte vitin 1938 me vite të tjera të mëvonshme, bënte çorbë kohët dhe ngjarjet. Ramiz Alia, aty pranë, në krah të tij, mori  rolin e pasuksesshëm të ndreqësit, edhe pse e dinte se lajthitja as kurohet, as redaktohet. Kurse anëtarët e Komitetit Qendror nuk guxonin as të buzëqeshnin, as të përloteshin. Ata ngjanin me njerëz të hutuar e gojëhapur që, kur dilnin përjashtë, të gjithë bënin gojëkyçurin. Kurrë deri atë natë, populli nuk ishte çuditur ashtu me udhëheqësin e dikurshëm, për të cilin propaganda thosh se ishte ai drejtonte, siç kinezët botonin fotografi të Mao Ce Dunit plak, tek e truponte me not lumin e gjerë Jangce. Diktatori i plakur vuante edhe nga paranoja, Çfarë disipline reparti ushtarak të majtësh: asnjë lajm, asnjë pipëtimë!
Për ithtarët e palëkundur të enverizmit, kjo, përveçse manipulim, përbënte edhe blasfemi. Madje nxiti nervozizëm, kundërshti e zemërim me publikime të artikujve – vetëm majtas, gjasme “Televizioni ka bërë qëllimshëm truke teknike”. Ajo mbrojtje, përveç padituri mbi teknologjinë televizive, ishte dhe vazhdimësi propagande. E vetmja gjë ku u përdor ndërhyrja qe motimi dy herë radhazi, i thënieve të çuditshme të diktatorit, enkas për t’u dëgjuar mirë nga veshi i teleshikuesve, sidomos për t’u kapur qartë nga veshët e fanatikëve pleq, me  dëgjim të rënë.  Thjesht për dy arsye: sinkroni ishte regjistrim i dobët dhe, kishte shumë rëndësi që shikuesit të kuptonin çdo batutë të hatashme, për t’u gajasur dhe për të vënë duart në kokë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›