E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse duhen ndryshimet

Partia Demokratike duket shumë e bindur për miratimin e shpejtë të ndryshimeve në Kushtetutë dhe këto ndryshime shihen si një mënyrë për të përmirësuar ligjet që kanë qenë problematikë ndër vite dhe krijojnë stabilitet politik. Kjo është deklaruar ditën e djeshme nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Sipas Patozit, tashmë nuk duhet humbur më shumë kohë me ndryshimet në Kushtetutë, ndryshime të cilat sipas tij, duhet të miratohen në bllok. Gjatë prononcimit për mediat, Patozi ka komentuar edhe propozimet e Partisë Demokratike për ndryshime të tjera në Kushtetutë, përveç atyre të propozuara më parë nga socialistët. “E mira është që të miratohet gjithçka si një paketë e plotë, pasi koncepti ynë është, që Kushtetuta nuk është një han me shumë porta, ku mund të hyhet e të dilet pa orar, por do të ishte shumë serioze të mbyllim çdo vatër potenciale krize që kjo kushtetutë mund të na krijonte. Kjo paketë e propozuar nga Partia Demokratike nuk i jep kompetenca të tjera kryeministrit”, ka deklaruar kreu i grupit parlamentar demokrat. Ndryshimet e propozuara dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve nga ana e Partisë Demokratike, kanë hasur në kundërshtimet e opozitës, e cila i ka konsideruar këto ndryshime si cenim për dokumentin themeltar të shtetit, ndërsa kanë vënë në dukje se këto ndryshime i japin kryeministrit kompetenca që i përkasin presidentit. Paketa e ndryshimeve në Kushtetutë e propozuar nga PD-ja, synon amendimin e disa neneve të Kushtetutës, që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ndryshim lidhur me mocionin ndaj kryeministrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›