Të vegjël dhe të zemëruar

Plotësimi i 94 votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese duket se është i vetmi “gur” që aleatët shpresojnë se kanë në dorë përkundrejt kryetarit të qeverisë Sali Berisha. Partia Demokratike është e detyruar që të marrë parasysh kërkesat e aleatëve, sipas gjykimit të tyre, nëse do edhe votat e tyre për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Në të kundërt, sistemi mbetet i njëjtë. Të pyetur nga “Korrieri” rreth mundësisë që ekziston për të mos u bërë ndryshimet kushtetuese, për shkak të votave të deklaruara kundër nga ana e aleatëve të Partisë Demokratike, krerë të partive të koalicionit thanë se takimi me kryeministrin do të zgjidhte këtë problem. Por, ata më shumë se një herë kujtuan çështjen e votave që duhen për të bërë ndryshimet në Kushtetutë. Megjithatë, aleatët pranojnë se i kanë “këmbët në tokë”, që nëse votat janë të njehsuara, numrat e tyre nuk bëjnë punë. Deputeti reformator, nënkryetar i PDR-së, Tritan Shehu, e sheh pothuajse të vështirë mundësinë e mosndryshimit të sistemit zgjedhor, edhe pse aleatët shprehen se do të votojnë kundër nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre. “Është e vështirë të thuhet tashmë, sepse është paraqitur një variant për sistemin proporcional rajonal, kështu që realisht bëhet mjaft e vështirë ruajtja e sistemit aktual. Kjo ndodh vetëm nëse deputetët pastaj nuk do ta miratojnë, nëse nuk do të bëhen ndryshimet kushtetuese. Sepse që të miratohet sistemi proporcional rajonal, duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat kërkojnë 94 vota. Kjo është e vetmja mundësi”, thotë reformatori Shehu. Sipas tij, zgjidhja e këtij problemi mund të vijë vetëm nga tryeza e së djathtës, ku do të diskutohet për kërkesat e aleatëve dhe pastaj mund të bëhet një qëndrim i përbashkët. I pyetur nëse kërkesat e aleatëve mund të çojnë Partinë Demokratike në një përplasje me Partisë Socialiste, ai shprehet se këto gjëra duhen parë me kujdes”. Duhet të shikohet se sa është e mundur hapësira e një kompromisi. E rëndësishme është që koalicioni të mblidhet sa më shpejt dhe të bisedojë për këtë çështje. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të mblidhemi dhe të diskutojmë për ndryshimet kushtetuese që na janë paraqitur”, thotë deputeti Shehu. Ndërkohë, çështja e plotësimit të 94 votave shihet si problemi i vetëm për ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor edhe nga deputeti i pavarrur, i zgjehdur në zonën 98 Himarë-Delvinë në 3 korrik 2005, Spiro Peçi. “Çështja nuk shtrohet nëse ka ndonjë mundësi që të ruhet sistemi aktual zgjedhor, por nëse dy partitë e mëdha i kanë 94 votat e duhura për miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, thotë Peçi, i njehsuar me qëndrimet e tij sikurse PBDNJ. Demokristiani Nard Ndoka e pohon faktin se, nëse nuk arrihet një marrëveshje mes aleatëve të djathtë, ka shanse që të mos ndryshohet sistemi zgjedhor. Ndoka si një ndër aleatët kryesorë të PD-së, është aleati i dytë, pas republikanëve, që duhet të bindet nga kryeministri, duke parë që ai në Parlament ka një numër të konsiderueshëm që mund ta ndihmonin PD-në që të miratonte së bashku me votat e PS-së ndryshimet në Kushtetutë. Ndërkohë, më i ashpër tregohet kryetari i grupit parlamentar agraro-ambientalist, Petrit Gjoni, kur thotë se “hartuesit dhe mbështetësit e këtij propozimi duhet t’i thërrasin mendjes që kjo gjë nuk shkon dhe duhet rishikuar”. “Kam shumë besim në një mundësi të tillë jo vetëm për faktin e votave kundër të aleatëve, por edhe për një sërë arsyesh të tjera. Ftesa e NATO-s dhe detyrat që burojnë nga anëtarësimi mendoj se do të kenë efektin e duhur që hartuesit dhe mbështetësit e këtij propozimi do t’i thërrasin mendjes që kjo gjë nuk shkon dhe duhet rishikuar. Demokracia duhet të lulëzojë më tepër se kurrë në Shqipëri në këto kohë. Ky projekt jo vetëm nuk e lë të lulëzojë, por edhe e minon atë”, ka thënë deputeti Gjoni i pyetur nga “Korrieri”, nëse ekziston ndonjë mundësi që të mos ndryshohet sistemi elektoral, duke parë votat kundër të aleatëve. Sipas Gjonit, kjo do të thotë që “në Shqipëri të vendoset sistemi dypartiak, që do të thotë t’i afrohesh sistemit monist”. Edhe kjo forcë politike beson se takimi me kryeministrin Berisha do të jetë zgjidhja e këtij problemi, ndërsa shprehet se kryeministri Berisha nuk do ta lejojë miratimin e një sistemi të tillë. Propozimet e Partisë Socialiste për të bërë ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor janë kundërshtuar fillimisht nga republikanët dje, pastaj edhe nga aleatët e tjerë të PD-së, të cilët e kanë deklaruar votën e tyre kundër këtyre ndryshimeve.