E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse greva e urisë nuk shuhet, por ndizet

Në kah të kundërt do të thosha: Pse opinioni publik nuk ndizet, por shuhet? Përgjigjja e kësaj pyetjeje retorike që në vetvete përligj standardin real ekonomik e politik të jetës në Shqipëri, do të shpjegonte thershëm për çdo individ të zakonshëm (jashtë pushtetit, OJQ-ve e biznesit të madh) vrasjen e shpresës së tij për të ardhmen, deri edhe për çfarë rruge duhet të marrë (për kë të votojë) në momentet vendimtare për veten e tij. Përse? – Se realisht nuk e dëgjon kush, as pozitë e as opozitë njëlloj konfliktuale, cilado palë qoftë në pushtet. Kështu do të shpjegohej në thelb çdo vetëvrasje, çdo krim, incest apo përbindshmëri perversiteti kriminal pasionant seksual, si ky i 80-vjeçarit me minorenen së fundmi, për çka mund të ndalesh pafundësisht. Por çështja e grevës së urisë e ish-të persekutuarve politikë (përveçse ka hyrë në ditët e post të 20-tave) me vetëdjegiet e lemerishme të njëpasnjëshme është megjithatë krejt e qartë si situatë më vete, jo vetëm si rrjedhojë e çka thamë, por si krejt akute dhe me mprehtësinë deri ku ka prekur shpirtin e kësaj shtrese, sa duhen marrë masat urgjentisht. Për këtë qartësi s’ka nevojë të ndalesh e jo më kohë të humbësh, jo vetëm si e drejtë e tyre, por sidomos si domosdoshmëri zgjidhjeje humane nga ana e shtetit.

Pa komplekse, pa u intimiduar nëse ekonomikisht është i pamundur, qoftë deri në shtrirje dore ndaj donacioneve private të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Nuk ka rëndësi se si, gjithçka e thashë nga sensibiliteti im ose si do të kisha vepruar unë kur problemi degradon në humnerë. Përveçse zgjidhja e këtij problemi duhej të kishte qenë çështje platforme, programi e organizim politik i pluralizmit që në vitet ‘89-‘91, sorollatja e saj ishte qëllim, sepse pluralizmi nuk donte demokracinë e vërtetë e pushteti i sotëm është vepër e tij. Të dhënat konkrete për dëmshpërblimin e kësaj shtrese (iu është dhënë vetëm një këst kundrejt 4 kësteve të fituara, madje të detyruara jo vetëm moralisht, por me ligj) pas aprovimit të ligjit përkatës në 2007-ën, e lënë tërësisht në depresion këtë shtresë specifike, dëmshpërblimi i së cilës do të inicionte demokracinë reale e do të qetësonte militantët gjithnjë e më të egër të PS-së e PD-së. Dikur kam dashur (në emisionet televizive FOKUS) të inicioj zgjidhjen e kësaj çështjeje nëpërmjet lëvizjes publike, madje kam marrë në telefon z.Ngjela për bashkëpunim profesional në interes të kësaj shtrese, çka mendoja se duhej t’i interesonte moralisht dhe kryesisht atij vetë. Por u tremb së më paragjykuari si e reja e Enver Hoxhës. E kuptova që isha iluduar e s’mund të gjeja jo më për këtë çështje, por te kurrkush dhe për asgjë mbështetje e bashkëpunim. Madje edhe këto ditë TV Plus më “ndjell” për të qenë domosdoshmërisht unë e ftuara “e nderit” në emisionin e parë të ciklit të pasditeve, (që po inicion, me metodën e përsëritur “ndero”, në fakt çndero) së pretenduari se do joshem nga e ashtuquajtura ikonë bukurie (çka shkon kundër esencës së përmbajtjes e natyrës sime), për çka nuk pranova 2 herë. Deri të tretën herë me lutjen e pazakontë që të zgjedh unë vetë temën që dua e panelin pjesëmarrës. Pa pranuar ofertën e çuditshme që panelin ta zgjedh unë (sepse unë ulem me cilindo shqiptar për të ndarë idetë), propozoj si temë: krimin, vetëvrasjen deri tek vetëdjegia e grevistëve të urisë. Pasi më la në pritje të përgjigjes nga shefat, animatorja në këtë pikë nuk më kontaktoi më. Por nuk janë këto keqardhjet e mia, por fakti që kurrkush jashtë shtresës së ish-të persekutuarve politikë, asnjë autoritet me influencë politike apo intelektuale nuk iu përkushtua kësaj çështjeje kardinale gjatë këtyre viteve për të filluar demokracinë e vërtetë shqiptare, sado vonë (përveç manifestimeve aktuale).

Pretendimi nga ana e pushtetit se tragjizmi i grevës është politizuar nga PS-ja është tipikisht drama shqiptare prej më se 20 vjetësh, siç është faqja tjetër e së njëjtës monedhë (të garantimit të elektoratit për ruajtjen apo marrjen e pushtetit), përfitimi prej ndjenjave të mynxyrës që ka pllakosur këtë shtresë për më se 60 vjetësh, për ta precipituar fenomenin në kob, siç e ka pasur sistematikisht qëllim opozita. Më duket se çdo fjalë më shumë do të ishte fukarallëk nga shkalla marramendëse e tragjedisë psikike që ka zotëruar këta shqiptarë të tejlënduar (me krahasimin më elementar: si zgavra që gërryhet në shkëmb çdo sekondë prej pikës së ujit që bie prej 60 vjetësh në të njëjtin vend).

Demokracia presupozon mbi gjithçka drejtësi. Drejtësia presupozon ligjshmëri dhe ekzekutim të tij. Ligjshmëria për këtë çështje është formuluar e pranuar nga të dyja palët (sado sistematikisht konfliktuale) që në 2007-ën. Të mos ketë shteti fuqi ekzekutive të këtij ligji, ç’do të thotë? Që aktualiteti flet vetë. Ndaj të vuajturit tejkalojnë durimin njerëzor dhe opinioni publik si forca më eminente, si moral i përgjithshëm kombëtar shuhet nga fataliteti përpara presionit të amoralitetit të pushtetit të parasë së shtetarëve, të masmedias, të klientel-biznesit përkatës, si paterica të këtij shteti inekzistent.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›