E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të ikin barbarët!

16-10-2012 / Nga Muharrem Nitaj

Pse po spekulohet kaq shumë për një koalicion të mundshëm ndërmjet dy partive, deri dje pothuaj të hasmuara me njëra-tjetrën, PDK-AAK! A ka diçka konkrete për këtë koalicion, apo të gjiha këto janë “futja pordhë e gri sallatë” të disa gazetarëve që nuk e kanë idenë se çka po zihet në skenën politke në Kosovë.
Më shumë sesa “t’gamet” për një koalicion të mundshëm, ajo që shihet si me llupë, është shtensionimi i raporteve ndërmjet këtyre dy forcave politike, që deri para pak kohësh ndodheshin në istikame dhe kundra njëra-tjetrës. A është e mundur që jo pak njërëz të “hyjnë në dhe për së gjalli” nëse e ndjejnë ofrimin e këtyre dy forcave politike dhe të gjithë ata mund ta shohin fundin e tyre në një koalicion të tillë, apo thjesht ata janë të shqetësuar për vendin. Çuditërisht në disa javët e fundit, janë shqetësuar jo pak njërëz për fatin e AAK-së. Bile janë shqetësuar edhe kundërshtarët e tyre politikë nga LDK ose VV, apo “opozitarët” brenda PDK-së e AAK-së, e disa të tjerë nga “gestapoja” politike e mediale duke bërë edhe deklarata publike se si do të duhej të vepronte AAK-ja, thua se ata janë padronët e saj. Për të gjithë këta njerëz, partia e zotit Haradinaj është një parti serioze vetëm nëse ajo nuk shkon në një front të përbashkët me PDK-në, ose edhe më keq se kaq, kjo parti “vlen” vetëm nëse do të ishte e vdekur. Logjika e pazareve me Aleancën, i kapërcen vullnetet e kësaj partie, dhe është “pazar pa hanxhinë”.
Tashmë, disa nga “bishat” e politikës dhe të paguarit e tyre, do të donin të bënin pazar me partinë që nuk është e tyre, sepse me gjasë e kanë nuhatur se jo pak njerëz nga kreu i kësaj partie, janë më të ç’orientuar sesa “macja para qenit”, dhe në një situatë të tillë AAK-ja do të mund të ishte një “pre” e lehtë për ta kafshuar në qafë. Gabimi që bënë deputetët e kësaj parte, në rastin e mocionit për privatizimin, dëshmon më së miri se sa të çorientuar janë ata. Në vend që të thoshin hapur; “kishim gabuar se nuk e kishim parë se çfarë po nënshkruanim”, ata, secili më bylbyl se shoqi, shitnin mend nëpër gazeta. Nuk është fare shqtësues debati për një koalicionin të mundshëm PDK - AAK dhe as analizat se pse eventualisht një koalicion i tillë do të mund të mos ishte i mirë për vendin. Por, shqetësuese është demonizimi që i bëhet këtij koalicioni dhe shkelja me këmbë mbi të. Shqetësuese janë përpjekjet që një koalicion i tillë, të paraqitej si një koalicion që do ta “shiste” veriun e Kosovës, një e zezë futë, që iu mvishet atyre që kishin dhënë për lirinë e vendit, më shumë se sa të gjithë politikanët e gjallë dhe tellallët e tyre bashkë. Thaçi e Haradinaj mund të akuzohen për çfarëdo, por jo edhe për tradhti.
Tonet acaruese të eksponentëve të partive të caktuara, dhe të “gestapos” politike e mediale, dhe përtej kësaj, babëzia për të përbuzur gjithçka dhe secilin, ma kujton Makjavelin dhe thënien e tij të famshme “Kur të ikin barbarët”. A është e mundur që soji i këtyre njerëzve këtu dhe në Shqipëri, e të cilët po del të mos jenë pak, të jenë mësuar të jetojnë me barbarët dhe të mos e kenë pyetur veten kurrë se çfarë do të bënin ata kur të iknin barbarët.
A është e mundur që sot, kur shqiptarët kanë mbetur pa barbarët e tyre, të provojnë që t’i sajojë ata brenda llojit, dhe t’i luftojnë me gjithë shpirt, mu si populli i Makiavelit të sajuarit barbarë të tij. Si shpjegohet që po duam t’i ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit. Unë nuk po gjej shpjegim tjetër përpos teorisë së Makiavelit. Askush nuk e di me saktësi sa njerëz janë djegur, janë vrarë dhe janë zhdukur pa shenjë pa dokë, ç’prej se ikën barbarët.
Por, bilanci është më tepër se tragjik, është më i keq sesa në luftë për lirinë e munguar. Zhvillimet dhe arrestimet e njerëzve më problematikë të kombit, t’i dridhin mishtë, se çfarë mund të flasin ata, se me kë kanë pasur kumbari, se të kujt “pobratim” kanë qenë, apo se nga kush dhe për çfarë janë paguar. Çarshia po flet për do arrestime të reja dhe për do dëshmitarë të rinj, ende pa u bërë “ispat” nga gjyqësia. Ndoshta e gjithë kjo është pasojë e të mësuarit të jetosh me barbarët!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›