E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të burgosurit e urisë

Kjo është përshtypja e fortë që të krijohet, kur sheh se forcat e rendit të dislokuara pranë ish-të burgosurve politikë të ngujuar prej mëse tri javësh në grevë urie, kanë marrë në dorë edhe kontrollin e lëvizjes së lirë në ambientet e grevës: Familjarë që nuk lejohen të takojnë grevistët, kontroll i imtësishëm i vizitorëve të jashtëm, pengim i mediave për të kryer detyrën e tyre në pasqyrimin e grevës së urisë, e sidomos kontrolli dhe heqja e përkohshme e lëngjeve në çadrat ku po mbahet greva e urisë. A nuk është kjo e njëjta procedurë që ndiqet me çdo të burgosur që vuan dënimin në një institucion dënimi? Ndërsa mburremi se prej dy vjetësh kemi fituar të drejtën për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen, forcat e rendit po përdoren për të penguar lëvizjen në ambientet e një greve urie. Përpjekja për të shmangur përsëritjen e pamjeve makabre të vetëdjegies njerëzore, duke mos lejuar futjen e shisheve me benzinë në ambientet e grevës, po tejkalon masën normale të sigurisë, duke kaluar në shkelje të hapur të të drejtës së lëvizjes së lirë. Nga ana tjetër, nëse një person vendos të vetëdigjet, ai mund ta bëjë këtë edhe jashtë ambienteve të grevës, siç e realizoi një 47-vjeçar në Pogradec. Për këta ish-të burgosur politikë, duket se historia po përsëritet, me një model të ri izolimi që pason këmbënguljen politike për ta parë këtë gjest si të përdorur politikisht.
Ka një investim të përditshëm me omniprezencë mediatike për sfumimin publik të efektit solidarizues ndaj situatës lexueshëm të vështirë të ish-të burgosurve të futur në grevë urie, e akoma më keq, sfumimi mediatik që tentohet me mospasqyrim në media të caktuara, të një lajmi që ka kapërcyer tashmë kufijtë e Shqipërisë.

Dikush më fort e dikush në mënyrë diplomatike, të gjitha partitë politike në vend, i mbështesin ish-të burgosurit politikë e kërkojnë vendosjen e dialogut të tyre me qeverinë. E sigurtë është që të njëjtën gjë mendojnë, pa guxuar ta shprehin publikisht, edhe shumë eksponentë apo anëtarë të partisë më të madhe në qeveri, ish-të përndjekur të tjerë politikë në funksione zyrtare apo të lidhur me interesa shtetërore. Kjo, pasi përveç pjesës njerëzore, humanizmit, ky refuzim politik për dialog me shtresën që mbështeti pa kushte ardhjen e të djathtës në pushtet, do ketë edhe kosto politike.
Një tubim cilësor më shumë se numerik i gazetarëve e përfaqësuesve të shoqërisë civile përpara Kryeministrisë, dëshmoi se shoqëria civile po gjen forca të dalë hapur e të kapërcejë indiferencën e shpërfilljen, që na është bërë si lëkurë e dytë, për gjithçka që nuk lidhet me ne, në nivelin e ngushtë personal.
Të merresh vesh në gjuhë të huaj
Makina me targa diplomatike, me përfaqësues të Këshillit të Europës, që mori tre grevistë ish-të burgosur politikë, e i dërgoi në ambientet e Presidencës, në një takim me Kryetarin e Shtetit si përfaqësues i unitetit të kombit, i fiksuar nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, është imazhi absurd që prodhon një vend që sapo ka marrë një status të kushtëzuar nga Bashkimi Europian.

Ambasadorët Arvizu e Sekui dhe përfaqësuesit e KiE, që takohen në mënyrë periodike me grevistët, apo shprehja tragjikomike e ambasadorit amerikan, se do punojnë gjithë natën për të gjetur një zgjidhje, janë të tjerë tregues të paaftësisë së një vendi për të zgjidhur mes vetes, e në gjuhën amtare çështjet e veta. ‘Emërimi’ i të huajve si interlokutorë për një dialog me qeverinë nga ana e grevistëve ish-të burgosur politikë është shenjë e mungesës së fortë të besimit, një tipar karakteristik i klasës politike në Shqipëri.

Përpjekja për vetëflijim duke i vënë flakën vetes, e vuri sërish Shqipërinë në faqet e para të mediave më prestigjioze, duke bërë xhiron e botës e duke sfumuar lajmin se vendi ynë bëri edhe një tjetër hap të vogël përpara me marrjen e statusit të kushtëzuar në BE, si ilustrim se Shqipëria vazhdon të ofrohet si shteti me probleme të brendshme, i konflikteve politike që e pengojnë të ecë përpara, si vendi në të cilin jeta e njeriut është aseti që kuotohet më pak në shoqëri.
Arsyet e mosarsyes
Situata aktuale e ish-të përndjekurve politikë dukshëm është një përgjegjësi e klasës politike në 22 vjet demokraci, një detyrim i pashlyer për të cilin, kërkimi i ndjesës verbale është sa e pamjaftueshme aq edhe cinike. Po aq cinik është edhe mobilizimi për t’i bërë të ditur Europës e botës çdo çudi tonën, kur informimi mbi çka ndodh në këtë vend është si detyrë funksionale e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri.

Nga ana tjetër, as ata që e quajnë publikisht grevë politike, nuk e besojnë se në vitin 2012, ish-të përndjekurit mund të përdoren nga opozita, në grupe të mëdha apo të vogla, ashtu siç e kanë të qartë se kjo shtresë nuk mund të jenë më si dikur, pa kushte në funksion të mazhorancës së djathtë.
Kjo, edhe për arsyen krejt bazike të mungesës së një ligji për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve, mangësi thelbësore që mbron e mban ngrohtë prej 22 vitesh, ish-eksponentë politikë e shërbëtorë të tyre, të periudhës së diktaturës, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në opozitë e në qeverisje.

Kjo duket arsyeja e “qetësisë olimpike” përballë gjesteve të vetëflijimit, përballë presionit të ndërkombëtarëve për t’u ulur në dialog me grevistët apo edhe kostos në imazhin e Shqipërisë, për shkak të jehonës botërore të zjarrvënies njerëzore.
Kjo është arsyeja që shteti ende nuk po pranon të zbatojë kontratën sociale që ka me çdo qytetar, pavarësisht nëse mendojnë apo jo si ai, nëse mbështesin qeverinë apo opozitën, nëse janë grup i madh apo i vogël, nëse janë qytetarë model apo problematikë.

Kjo është arsyeja që shteti ende nuk po pranon të dialogojë me ish-të burgosurit politikë mbi arsyet objektive e subjektive të vonesave në procesin e dëmshpërblimit të tyre, por preferon sqarimin publik me deklarata nga foltoret e institucioneve apo tribunat e aktiviteteve elektorale.
Por ama kjo duhet të jetë edhe arsyeja më madhore, për të lënë pas ndasitë e preferencat për qytetarë “blu” apo “të kuq”, për t’u ngritur në lartësinë e detyrimit shtetëror, për t’u ulur në dialog, në mënyrë që t’i jepet fund kësaj greve, që e ka tronditur mjaftueshëm opinionin publik. Ky është një detyrim shtetar i modeleve më të mira të demokracisë, pasi, për të perifrazuar Presidentin Regan, kur del një problem, duhet ta zgjidhësh, sepse kjo është puna që të është ngarkuar, e nuk mund të presësh ta bëjë dikush tjetër apo të zgjidhet vetë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›