E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse heshti "Njolla të murrme",



Në gazetën “standard” për herë të parë vijnë dëshmi të panjohura për këtë vepër nga dramaturgu i ri, i asaj kohe, Shpëtim Gina. Në librin “Ku e çuat Shpëtimin”, për herë të parë e motra e familjes Gina, Adelina na jep me saktësi atmosferën e asaj kohe në Teatrin Popullor, duke e plotësuar dëshminë e “Njollave të murrme” me kujtime nga i vëllai, dramaturgu që u zhduk pa gjurmë, që ende nuk është marrë vesh sot e kësaj dite se çfarë është bërë me trupin e tij, kush ishin njerëzit që iu vunë për ta eliminuar

Në teatër filloi puna, u ndanë rolet. Regjizori M.Luarasi, që mori përsipër vënien në skenë të dramës ishte optimist. Drejtori i teatrit, B.Kosova, një burrë elegant me flokë të zeza, i veshur gjithmonë shumë pastër, e donte dhe e vlerësonte Shpëtimin.

“Kurrë nuk kam menduar se ç’është e pastër dhe fisnike të gjendet tek një njeri, dhe sa i talentuar, sa shpresa na zgjoi”. Tregon ai për të dhe qesh. Ai me gjithë shpirt e ndihmonte Shpëtimin për t’u vënë drama në skenë, ai besonte në talentin e tij. Aktorët e rrethonin për natë, teatri ziente.

Në këtë kohë në teatër të gjithë flisnin, si të talentuarit, ashtu edhe ata që ishin të patalentuar. Erdhi një çast që këta të dytët po flisnin më shumë dhe fakti ishte se jo vetëm ishin dhe më shumë në numër, por dhe i dëgjonin më shumë, ishte koha e mediokërve. Kishte madje ndonjë me titullin Artist i Popullit dhe me funksionin e sekretarit të partisë, që thërriste se në skenë po ngjitej një dramë pacifiste, po prishej vija e partisë. Dhe këto mendime i çonte në komitetin e partisë, deri në Komitetin Qendror. Erdhi një ditë, Shpëtimit nuk i thanë gjë, dhe mblodhën këshillin artistik. Vajti atje edhe një shkrimtar i njohur dhe e heshtën dramën. Regjizori M. Luarasi filloi punën me një dramë të huaj, "Orfeu zbret në ferr". Një ditë tek shkallët e Pallatit të Kulturës, isha me Shpëtimin, takuam Mihallaqin. "E le dramën?", e pyeti Shpëtimi. Tjetri nuk u përgjigj, ndërkohë Shpëtimi kishte në dorë një copë llastik dhe e lëvizte. "Të uroj suksese!" dhe u larguam. "Përse u solle aq butë, përse nuk u zure!", i fola unë e indinjuar. "Çfarë t'i thosha, ai është si kjo copa e llastikut, e zgjasin dhe e tkurrin të tjerët, është për të ardhur keq". Shpëtimi u mërzit se edhe në Teatrin e Operas e ndaluan operën "Armiq". Kompozitori me muzikën e dramës "Armiq" vuri në skenë operën "Komisari".

Përse e ndaluan dramën, çfarë kishte ajo? Drama "Armiq" qëndron e veçuar në krijimtarinë e viteve 70'- 80', nuk ka asnjë lidhje me realizmin socialist. Për të gjetur ndonjë afërsi tipologjike duhet të kalosh në një truall tjetër, kryesisht në atë të ekspresion-izmit. Është e çuditshme se letërsia shqipe deri në këtë kohë nuk ka as një pikë afrimi me këtë rrymë dhe dihet se Shpëtimi nuk e njihte këtë rrymë, dhe se aso kohe të shkruaje një vepër ekspresioniste jo vetëm nuk ishte e lehtë, por konsiderohej madje si një faj penal nga diktatura. Është një reagim i natyrshëm i shpirtit të artistit para tmerreve dhe absurditetit të realitetit totalitar që ishte i urrejtshëm dhe i neveritshëm për Shpëtimin. Drama e tij vë në pikëpyetje me një guxim të habitshëm disa nga kryedogmat zyrtare dhe përshkohet nga nota e protesës kundër arrogancës së diktaturës. Drama është e mbushur me tension, dhimbje, mëshirë për vuajtjet e njeriut nga dhuna shtetërore. Burimi i armiqësisë nuk janë dallimet etnike, popujt dëshirojnë marrëdhënie mirëkup-timi midis tyre. Burim i ndeshjes së ashpër nuk janë as klasat sepse ato mund të merren vesh. Vija e armiqësisë së vazhduar kalon nëpër kufirin ku përballohet e mira me të keqen etike, humanizmi me çnjerëzoren. Shpëtimi parandjeu dhe shprehu alegorikisht atë tension tragjik që shpërtheu gjatë viteve 70' në plenumet haluçinante IV, V, VI dhe VII. Kjo ishte arsyeja që drama u ndalua nga lart. Parimi i tij drejtues ishte: artisti i bindet vetëm kërkesave të zërit të vet të brendshëm dhe përbuz dogmat dhe skemat zyrtare.

Pra, drama "Armiq", duke qenë rasti i parë dhe i vetëm në letërsinë shqipe i një vepre të ekspresionizmit, krijoi jo vetëm shumë zhurmë, por dhe famë për autorin. Ishte dhjetor, së shpejti do të ndërroheshin vitet. Shpëtimi kishte ikur në shtëpi, tek babai. Unë isha në punë. Gazeta ku punoja është në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Afër saj ndodhet gjykata e rrethit. Është një ndërtesë e vjetruar nga koha. Zakonisht aty zhvillohen gjyqet ordinere. Gjithmonë ka njerëz që kalojnë orët në seancat gjyqësore, ka dhe hajdutë të vegjël, prostituta. Të tillë publiku kishte edhe atë ditë kur shkuam unë dhe Sadija në gjyq. Ajo e dinte se atë ditë do të bëhej gjyqi i dy artistëve, i M Luarasit dhe i M.Jeros. Në sallë ishin ca tipa të rëndomtë, asnjë artist për be. U ulëm, prapa nesh një grua qante me ngashërim, ishte gruaja e Minushit, dramaturgut. Të pandehurit, sidomos Mihallaqi, ishin dyll të verdhë. Kryetar ishte Irakliu me vulën e injorancës në fytyrë. Prokurori, një bjond, hiqej si njohës i artit. Avokat nuk kishte, sepse në diktaturë ndodhin gjëra absurde. Para ca vjetësh ishin hequr avokatët. M.L akuzohej se kishte vënë në skenë dramën e Minushit "Njolla të murrme", një vepër revizioniste, dhe se kishte shfletuar literaturë të huaj, kishte parë skenografi revizioniste. Ai kishte studiuar në Hungari. Për ta vërtetuar këtë prunë si dëshmitar drejtorin e Biblotekës së Universitetit që dridhej. Kur foli Mihallaqi midis të tjerave tha: "Unë njoh një djalë të ri të talentuar, që nuk lexon në gjuhë të huaja, megjithatë vepra e tij është e një rryme të huaj, ekspresioniste". U mat të thoshte edhe emrin, por prokurori e ndaloi: "S'kemi nevojë për emra".

Gjyqi vazhdoi me Jeron dhe pastaj suallën dëshmitarët. Seanca u ndërpre. Të nesërmen nuk hyje dot. Lajmi ishte përhapur, gjithë artistët kishin mbushur sallën dhe sheshin para gjykatës.

U takuam në shtëpi për vitin e ri. Ia tregova ngjarjen. Ai deshi të mbrohesh me atë tezë, kur foli për ty. Aty nuk e lanë ta nxirte emrin tënd, por në hetuesi e ka thënë. Shpëtimi heshti. Mesjetë, kjo ishte mesjeta. Dhe si për ta larguar këtë të keqe më tha: "Kam bërë goxha punë me Venemën".

(fragment nga libri “Ku e çuat Shpëtimin)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›