LSI, koalicion me të gjelbrit në zgjedhje
LSI-ja nënshkroi dje marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në një koalicion me Partinë e Gjelbër Shqiptare, që është anëtare e Partisë së Gjelbër Evropiane. Në emër të LSI-së nënshkroi kryetari i saj, Ilir Meta, ndërsa në emër të Partisë së Gjelbër Shqiptare marrëveshjen e nënshkroi kryetari i kësaj partie, z. Edlir Petanaj. Gjatë këtij takimi Meta tha se marrëveshjen e parë e bën në emër të një mjedisi tmerrësisht të kërcënuar sot për qytetarët shqiptarë, të një mjedisi që po kthehet jo vetëm në një kërcënim social, por edhe në një agresion ndaj shëndetit të qytetarëve dhe të popullsisë, dhe në një dimension të munguar të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. “Ky është angazhimi ynë dhe besoj se edhe kjo marrëveshje që nënshkruajmë me Partinë e Gjelbër Shqiptare, e cila vërtet deri tani ka qenë një forcë modeste, por domethënëse, e tani në të ardhmen besoj se do të bëhet një protagoniste e fuqishme”, - tha Meta. Ndërsa Edlir Petanaj, kryetari i Partisë së Gjelbër Shqiptare, tha se nënshkruan me LSI-në edhe si anëtare e Partisë së Gjelbër Evropiane me të drejta të plota. “Partia e Gjelbër në këtë koalicion vjen edhe me një aleancë që ka bërë me shoqërinë civile ambientaliste, duke thithur në gjirin e saj ambientalistë të shquar, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të klubeve ekologjike të prefekturave, të cilët do të jenë përfaqësuesit tanë për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit”, - tha Petanaj.