BSH miraton dokumentin mbi veprimtarinë bankare dhe financiare
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar “Dokumentin mbi veprimtaritë bankare dhe financiare, sipas ligjit “Për Bankat në Republikën e Shqipëris듔. Burime zyrtare nga Banka e Shqipërisë thanë se dokumenti i miratuar një ditë më parë bën një krahasim të veprimtarive bankare dhe financiare sipas përcaktimit të tyre në ligjin në fuqi, ligji nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Ky dokument do të shërbejë si bazë për përditësimin e anekseve të licencave të bankave dhe degëve të bankave të huaja. Krahasimi i veprimtarive bankare dhe financiare të legjislacionit bankar në fuqi me atë të shfuqizuar u bë i nevojshëm, pasi pjesa më e madhe e bankave të sistemit që kryejnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë licencuar me legjislacionin bankar të shfuqizuar. Të njëjtat burime theksojnë se Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi edhe disa ndryshime të ligjit “Për sigurimin e depozitave”, si dhe argumentet ekonomike për rritjen e masës së sigurimit të depozitave, për të cilat Banka e Shqipërisë do t’i bëjë propozimet përkatëse Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Rregulla të reja për kredinë konsumatore dhe hipotekare për individët
Të gjitha bankat e nivelit të dytë që japin kredi konsumatore dhe hipotekare për klientët në Shqipëri, detyrohen për dhënien e informacionit parakontraktor dhe kontraktor. Gjithçka mbështetet në miratimin e djeshëm nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të rregullores “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët”. Burime zyrtare nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se rregullorja është hartuar në bazë të dispozitave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të direktivës evropiane për kredinë konsumatore, të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe të eksperiencave të vendeve të tjera për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët. Rregullorja do t’i sigurojë kredimarrësit një informacion më të kualifikuar, nëpërmjet një procesi të krahasimit të ofertave që ofrojnë banka të ndryshme për të njëjtin produkt. Ajo vendos rregulla dhe kërkesa specifike në lidhje me informacionin që i jepet klientit për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare për individët.