E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse jam edhe shqiptar, edhe krenar

Share

Nga Kristi Pinderi

Ka disa ditë që më mundon fakti se si një aktivist për të drejtat e LGBT, në një moment kyç si ky që po kalon në Shqipëri lëvizja LGBT, nuk mund tu përgjigjem me argumenta ideologjikë (pse jo, fundja!) dhe parimorë mijëra komenteve nacionaliste që po pushtojnë mediat online shqiptare, sa herë që ka ndonjë lajm rreth LGBT, apo sa herë që mediat vetë shpikin ndonjë lajm të tillë. Janë argumenta të tipit: Ne jemi shqiptarë; Ne skemi homoseksualë; Këto që po na dëgjojnë veshët janë tregues se sa poshtë ka rënë krenaria shqiptare; Ky është fenomen i importuar nga perëndimi; Po na e ndosin flamurin me ato ngjyrat e shpifura të tyre, etj, etj.

Për të qenë i sinqertë, kemi vendosur të jemi informues, më shumë se reagues, duam të edukojmë, më shumë se të çedukojmë, po mendojmë më shumë si të bashkojmë, më shumë se si ti ndajmë më qartazi njerëzit në qëndrime të imponuara, ne kemi nevojë të përfshijmë, më shumë se të veçojmë. Lëvizja LGBT është ndër më të rejat në Europë, mosha mesatare e vajzave dhe djemve (maja e ajsbergut e kësaj lëvizje) të përkushtuar në të është 22-23 vjeç, por megjithatë e dimë shumë mirë se ky vendi ynë i rropatur nga të gjitha drejtimet nuk ka nevojë për një llogore më shumë, qoftë edhe në emër të nacionalizmit. Ndaj isha i dyzuar në duhet ta shkruaja këtë shkrim, apo jo… Por do e shkruaj që tani: unë besoj se metodat që përdoren sot për të frymëzuar nacionalizëm, kanë qenë metodat që dikur kanë frymëzuar nacional-socializmin, fashizmin, apo dhe Shqipërinë ateiste, Pan-afrikanizmin e Gedafit, genocidin e Millosheviçit, etj. etj.

Këto ditë një aktiviste amerikane e cila ka frymëzuar jo pak lëvizjen LGBT në Shqipëri kur ishte në Tiranë për plot 4 vjet, e që për këtë arsye u nderua me medalje nga vetë Presidenti Obama, botoi një shkrim entuziast në Huffington Post të cilin e niste me fjalët: Shqipëria! Jo tamam vendi që të vjen i pari në mendje nëse mendon për ndonjë ambient të ngrohtë për aktivizmin LGBT. Mindy Michels, autorja e këtij shkrimi ishte ndoshta më entuziastja e të gjithë autorëve të tjerë të asaj rubrike në atë media të njohur online amerikane dhe ndihej krenare me çfarë po ndodh në Shqipëri. E përktheu media shqiptare dhe e botoi këtë lajm menjëherë, por çtë shikoje nëpër komentet online!

Skënderi, një komentues i zakonshëm i Tema Online shkruante i indinjuar: Besa e shqiptarit është vlerësuar nga bota me ndihmën që i ka dhënë populli ynë hebrenjve në luftën e dytë botërore, tani rasti përsëritet ku shtetet europiane me prodhimtari të lartë homosh, kërkojnë nga shqiptarët që çdo familje të strehojë nga një homo. Na e paskan ndotur Flamurin me atë sfond, vazhdonte Vlora1912: Turp që kjo po na ndodh për 100 vjetorin e Pavarësisë. Jo se kjo është gjëja më e keqe që po ndodh, por është njëra nga më të mëdhatë.

Të njëjtët njerëz që mendojnë në këtë mënyrë, janë të aftë, për fat të keq, të ndihen të përmbushur edhe kur një lider i thërret në emër të ndonjë superioriteti të bazuar o në gene, o në racë, o në territore gjeografikë, o në filozofi të tipit ne jemi më të mirët! Dhe për fat të keq, ne jemi të rrethuar nga përvoja të tilla. Fjala vjen, Aleksandra Musolini nuk duroi dot gjatë në një emision të Bruno Vespas, vetëm pak vite më parë, pa thënë: Më mirë fashist (si gjyshi i saj Musolini), se homoseksual. Po nga Italia na vjen edhe rasti tjetër, i ngjashëm, kur një lider përdor metodat tipike të mobilizimit nacionalist për të justifikuar njëkohësisht edhe dobësitë e veta, pak a shumë kështu: Më mirë të paguash femra (përfshirë edhe ato shqiptare që i kërkonte para një konference për shtyp) se të jesh homoseksual! Kështu shprehej Berlusconi ekzaktësisht kur Anders Breivik në Norvegji planifikonte me mendje të ftohtë në vetminë e skizofrenisë së vet si të luftonte multikulturalizmin duke masakruar qindra vetë    Të njëjtën filozofi superioriteti përdor çdo regjim agresiv në çdo cep të botës. Arma më e fortë në duart e një shtypësi është mendja e të shtypurve, nënvizonte Steve Biko një aktivist emblematik në mes të aparteidit në Afrikën e Jugut. E dini që Afrika e Jugut është që nga viti 1996 promotorja më e madhe në nivel ndërkombëtar e të drejtave të LGBT?
Jo se krahasimi i fundit dhe sidomos shprehja e Biko më lart është fiks njësoj me realitetin e sotshëm shqiptar, por besoj është një argument më shumë për të vërtetuar se padrejtësia e bazuar në mosedukimin e një populli, nuk njeh, në fakt, kufij.
Një ambasador i Perëndimit në Tiranë u pyet se çfarë mendonte për deklaratat e ndonjë zyrtari shqiptar që kërkon ta marrë me hu komunitetin LGBT dhe u përgjigj me një fjali diplomatike: Injorantë ka kudo (Ambasadori i Hollandës në Shqipëri, z. Van Den Dool). Nuk di në mund të kuptohet simbolizmi i një përgjigjeje të tillë, por në thelb, zotëria në fjalë, i cili është drejt përfundimit të mandatit të tij po tenton të tregojë se nuk ia vlen që publiku të jetë aq symbyllur sa taktikat nacionaliste të tipit ne jemi tradicionalë ti marrë si vlera, e mos e kuptojë që në fakt, mund të jenë (siç janë) shenja publike të një injorance që nuk ka më asnjë arsye pse të na qeverisë apo të na japë mend.

Babai i një djali gej lexon çdo ditë gazetat shqiptare që kur mësoi se i biri është gej. Jeton mes një presioni të jashtëzakonshëm të shoqërisë dhe me frikën se mos dikush që nuk i përket familjes së vet, e mëson këtë fakt të të birit. Babai i një tjetër djali të mrekullueshëm që nuk ka mbushur akoma 21 vjeç e që me siguri do të jetë një aset për vendin dhe për familjen e vet sapo të diplomohet, i ka thënë më mirë vdis se të jesh gej  Ai tjetri, mu në mes të kamerave tha: e vras vetë me duart e mia nëse është gej! Babai i një vajze që është në mënyrë konstante duke u vetmohuar sepse beson tashmë te një kauzë, nuk del nga shtëpia i trembur se mos kjo shoqëria jonë ia ve në dukje me humor faktin se vajza e tij është lezbike. Lexoja një ditë një artikull nga një palo gazetar-spiun, thuajse të neveritshëm i cili shpjegonte mënyrat se si regjimi i dikurshëm pasi hynte në shtratin e dikujt që ishte homoseksual, niste proçesin e neveritshëm të dehumanizimit të atij qytetari. E bënte spiun, i keqpërdorte dhe ia shkatërronte jetën duke i mbajtur mbi kokë një sëpatë si ajo që Musolini na e la peshqesh simbolikisht përmes formës që mori Bulevardi i dëshmorëve tanë, plus stadiumi aty pranë (sëpata e Demokleut).

Për këto arsye, të Hënën do të marrim nga një biçikletë të Ecovolis dhe mbi të njëjtin bulevard të sëpatës së Demokleut do të parakalojmë krenarë! Pastaj te i njëjti qytet që përpara 100 vjetësh na bëri të ndihemi të lumtur, pra në Vlorë, do të shkojmë për të folur ballë për ballë me të rinjtë, prindërit dhe mësuesit e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut, për tu kthyer në Tiranë po atë ditë, ku në galerinë Tirana Express (dikur e braktisur dhe e lënë në mëshirë të fatit) do ekspozojmë jo vetëm portretet e qindra qytetarëve të këtij vendi në një labirint aq të ngushtë sa është hapësira publike dhe personale  që u kemi lënë motrave, nënave, baballarëve, vëllezërve, motrave, miqve e mikëshave tanë që janë LGBT, por do tregojmë për herë të parë s

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›