Monumenti vizual për kohën dhe personalitetet
Shënime për dy filmat dokumentarë të Saimir Kumbaros: “Mid’hat Frashëri-Shërbestar i kombit” dhe “Martirët”
Saimir Kumbaro, njëri ndër regjisorët më produktiv dhe më të shquar të kinematografisë shqiptare, sivjet doli para shikuesve me dy filmat dokumentarë: “Mid’hat Frashëri Shërbestar i kombit’, portret historik i intelektualit dhe protagonistit aktiv të historisë së shekullit XX, Mid’hat Frashërit dhe, filmin dokument “Martirët”, monument vizual, kujtim për disa nga njerëzit më të shquar të kombit të cilët u pushkatuan nga diktatori Enver Hoxha. “Mid’hat Frashëri sherbestar i kombit’, sipas skenarit të Aleko Gjergos (prodhim i Papadhimitri film production”) paraqet epokën dramatike të rilindësve të fundit, të cilët përpiqeshin të zbusnin goditjet me pasoja tragjike. Në qendër të rrëfimit është Mid’hat Abdyl Frashëri njëri ndër njerëzit më të shquar të historisë sonë, emri i të cilit gjithnjë është kujtuar më pietet, por meritat asnjëherë nuk janë dhënë si e sa duhet, ashtu sikurse nuk është ndriçuar figura e tij deri kur ra diktatura. Arsyet pse u la në heshtje i thotë regjisori e skenaristi, ashtu sikurse e le filmi në fund pikëpyetjen e madhe: vdiq fare papritur apo e vranë në një hotel të Nju-Jorkut, rilindësin e fundit.
Dokumentari vizual pretendon të ndriçoj figurën komplekse të Lumo Skendos duke hulumtuar në arkiva të ndryshme, nëpër biblioteka, në takime me njerëz që dinë dhe kanë shprehur interesim profesional, artistik e intelektual për te. Dhe më atë që ia ka ofruar shikuesit, dendësinë e të shprehurit, ngjeshjen e periudhave e të ngjarjeve, Kumbaro ka arritur të bëjnë një film të mrekullueshëm dokumentar, që të le të mendosh edhe pasi ta kesh shikuar. Duke e ndjekur linjën e rrëfimit, narratori na shpie nga një shtet në tjetrin, nga kontinenti në kontinent, gjithandej nga bridhte heroi i rrëfimit, i cili pati një jetë dinamike, përpjekje të mëdha për t’iu kundërvënë të papriturave dhe energji të pashtershme që të ballafaqohet më problemet. Më intervistat e njohësve të kësaj periudhe, të historianëve e të biografëve, jepet kronika dokumentare në një mënyrë të veçantë, të drejtpërdrejtë, ilustruese, dinamike dhe interesante. Ka dendësi të dhënash, material arkivor të bollshëm, ka mori studimesh e veprash që janë shkruar për te, ashtu sikurse që jepen edhe veprat të cilat i la pas protagonisti i filmit dhe i historisë shqiptare, Mid’hat Frashëri, alias Lumo Skendo. “Sherbestari i kombit’ është një orë historie e thënë në një mënyrë atraktive, dinamike, aspak të njëtrajtshme.
Lapidarë i zymtë për viktimat e diktaturës/Lapidari i zymtë “ Martirët’, ( SK Production) homazh të pushkatuarve nga diktatori më mizor në Evropë, është ndër dramat më të rënda dhe më tragjike që është dhënë ndonjëherë nga kinematografia shqiptare. Dhe pikërisht për këtë fakt nuk do të duhej të kalonte heshtur, përkundrazi do të duhej të shfaqej dendur që t’ua kujtonte brezave të rinj nëpër çfarë golgotash kaluan shqiptarët. Për vrasjet e pushkatimet, për burgjet dhe Kampet e Përqendrimit të Enver Hoxhës kemi pa një mori filmash të nivelit të lakmueshëm, mirëpo ky film shquhet më veçantësitë e veta, me dinamikën e kuadrit dhe me formën atraktive të të shprehurit vizual. Përshkallëzimi i kësaj tragjedie jepet në formë gradacioni, me efekte vizuale e të zërit që të mbajnë pezull, me tinguj që të rrëqethin, më fytyrat që parakalojnë në ekran njëri pas tjetrit, secili më i shquar se tjetri për kontributin kombëtar apo për mençurinë. Ata u pushkatuan sepse kërkuan demokraci e pluralizëm, ata ranë, sepse kërkuan një komb, një atdhe, jetë normale për të gjithë. Ata ishin shumë dhe secili më i shquar se tjetri. Kur parakalon lista e tyre para ekranit, ke përshtypjen se nuk do të përfundojë kurrë dhe, s’do të mbetet kush prapa. Duke e shikuar këtë dramë dokumentare shikuesi rrëqethet, skandalizohet me mizorinë e një udhëheqje.
Skenaristi Uran Butka, historian i njohur dhe regjisori Saimir Kumbaro me një opus të madh të filmave artistik e dokumentar përqendrohen më një vëmendje të jashtëzakonshme në dokumentet që i kanë qëmtuar nëpër arkiva, kërkojnë më këmbëngulje dëshmitarët e kohës, njerëzit e familjes, apo fëmijët jetimë të të pushkatuarve që tash, kur dalin para kamerës janë burra pleq të cilët flasin qetë, duke kujtuar ato ditë tragjike, por që çuditërisht s’kanë urrejtje ndaj xhelatëve që ua varën a pushkatuan prindërit, vëllezërit apo motrat, ndaj atyre që i lanë jetimë dhe ua ngrysen jetën. Ata kujtojnë më pikëllim e si të përhumbur të afërmit e tyre.
Dramën që e ka në fokus të rrëfimit dokumentar regjisori Kumbaro, mjeshtër i llojit dokumentar, është e rëndë, gati e papërballueshme me zymtësinë e vet. Ky tmerr merr përmasat akoma më të mëdha kur dihet se mizoritë që i shpalon filmi “Martirët’ i bëri klika vendëse.