E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse një libër i ri për “fenomenin Kadare”?

Nga Shaban Sinani

Njohja e burimeve dokumentare për gjykimin dhe rendin zyrtar të botimit të letërsisë në totalitarizëm, një çështje kulturologjike në pamje të jashtme, në të vërtetë, përveç aspektit të funksionimit të veprës në variante tekstore, ka dhe një anë tjetër thellësisht letrare, që lidhet me historinë e receptimit të veprës, me receptuesit e parë të saj, me funksionimin dhe mosfunksionimin e ligjshëm të skemave të komunikimit të veprës “pasi autori ka vdekur”, domethënë pasi vepra është shpallur dhe lexuesi (bashkë me të dhe studiuesi) nuk duan t’ia dinë për mendimin e autorit. Historia e receptimit të letërsisë së realizmit socialist nuk mund të bëhet pa historinë e receptimit të saj në fazën para botimit, në procesin e editimit, kohë e mbikëqyrjes paradigmatike prej zyrave dhe institucioneve të specializuara për kulturën, letërsinë, ideologjinë, partishmërinë dhe vigjilencën. Studimin e letërsisë së realizmit socialist në kushtëzimin e vet me politikën, ideologjinë, kanonet zyrtare, nuk e pengojnë vetëm paragjykimet e pafundme dhe mitizimi deri në përjashtimin e fuqisë dhe modernitetit të metodës, por dhe faktorë të tjerë, si mungesa e arkivave të krijimtarisë (arkivat e dy shtëpive botuese, arkivat e Lidhjes së Shkrimtarëve, arkivat e teatrove, arkivat e kinostudios, përgjithësisht arkivat e krijimtarisë, janë dëmtuar deri në moskthim). Kjo pamundëson certifikimin dëshmues të historisë së receptimit të veprës letrare në procesin e editimit të saj (që shumë shpesh mund të kthehej dhe në proces ndalimi), ku do të veçohej roli i redaktorëve, recensuesve, rirecensuesve, diskutimeve në redaksi, ekspertimeve të jashtme, konsultimeve zyrtare me Lidhjen e Shkrimtarëve, i pjesëmarrjes në diskutimet ideologjike të organizatave të partisë, i vërejtjeve të sektorit të kulturës, sektorit të botimeve dhe sektorit të shtypit në aparatin e KQ të PPSH; i raporteve të posaçme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe policisë politike, porosive dhe urdhrave të udhëheqjes së lartë të PPSH dhe të qeverisë; deri tek ekspertimet për qëllime kriminalistike. Këtyre u shtohet dhe fakti që, pasi realizmi socialist u shemb bashkë me sistemin politik, karakteri i sistemit letrar në hapësirën shqiptare ndryshoi, nënsistemet e saj filluan së funksionuari si një sistem policentrik, hierarkitë e vjetra autonome u shembën, gjithashtu dhe sinkronikisht lindën dhe vullnete të kundërta: për të ruajtur a për ta ndryshuar status quo-në e mëparshme, pavarësisht deformimeve të saj. Të gjitha këto e bëjnë të detyrueshëm vështrimin e raportit të letërsisë me politikën shtetërore në totalitarizëm, si mundësia e vetme për të deshifruar procesin e ndërlikuar të editimit të letërsisë në shoqëritë e kontrolluara; historinë e receptimit të saj në fazën para publikimit; shkaqet e përshtatjes së letërsisë dhe të shfaqjes së dukurisë së motërzimit; arsyet pse midis dorëshkrimit dhe botimit, ka shpesh dallime të karakterit të vullnetit krijues.

Reagim i drejtuesit të shtëpisë botuese “Naimi”:

Duke marrë shkas nga ligjërata e prof. dr. Shaban Sinani, mbajtur para dy ditësh në Seminarin XXX Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë, ku, ndër të tjera, autori iu referua librit të vet më të ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, i cili këto ditë del në treg nën siglën e botimeve “Naimi”, në median kosovare dhe pastaj edhe në Tiranë, janë publikuar disa shkrime me referenca dhe informacione të pasakta. Për respekt të lexuesit dhe të së vërtetës, sqarojmë se disa citime të vëna në gojën e profesorit apo të librit të tij janë të pasakta. Kështu, për shembull, nëse autori në ligjëratën e tij, apo edhe në libër, duke iu referuar burimeve arkivore vë në dukje se “në vitet 1970-1980 vetëm udhëheqja partiake merrte mesatarisht 7-14 letra vullnetare nga populli”, kjo nuk do të thotë që këto letra e ankesa me shkrim ishin të gjitha për shkrimtarin I. Kadare apo për veprën e tij. Po ashtu, disa media kanë vënë në gojë të autorit të librit, citime nga dokumentet e asaj kohe të ofruar në libër si dëshmi apo ilustrim. Ndërkohë, disa gazeta librin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, e kanë ngatërruar me librin tjetër të botuar para disa vitesh me titullin “Një dosje për Kadarenë”, duke shkaktuar konfuzion tek lexuesi i interesuar.

Naim Zoto, drejtor i shtëpisë botuese “Naimi”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›