E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk shkrova recensionin për Titistët e Enverit

Baton Haxhiu

Edhe nëse do ta kishte pranuar ofertën, recensioni i tij nuk do të ishte botuar. Ai nuk ishte ndonjë dashamirës i madh i regjimit të Hoxhës e as atij jugosllav. Kur në Tiranë sapo ishte botuar libri i Enver Hoxhës, Titistët, gazetarit dhe studiuesit Shkëlzen Maliqi i kërkohet të bëjë një recension mbi të. Nuk pranoi ta bënte një gjë të tillë, edhe pse i hanin duart që të bënte ndonjë krahasim mes Enverit dhe politikanit slloven Eduard Kardel, të cilin e shihte si një alterego të Titos. Nëse do të bënte një libër lavdërues siç e donte koha, nuk ia kishte ënda ti bënte elozhe regjimit, nga ana tjetër ta shante atë, ishte e rrezikshme. Në një intervistë me gazetarin Baton Haxhiu, Maliqi shpjegon arsyet e refuzimit të recensionit për librin e ish-diktatorit shqiptar.

Ti, a ke pas këso detyra të shfaqjes së lojalitetit?
Unë nuk isha në parti e as në universitet. Në një moment pata një ofertë nga Rilindja, që të bëja një recension të librit të Enver Hoxhës Titistët, që sapo ishte botuar në Tiranë. Nuk ishte as urdhër, as kërkesë me presion, thjesht redaktorët e kishin hallin që ta gjejnë një person që do ta bënte këtë punë, sepse e kishin marrë për detyrë nga instancat më të larta. Dhe dikush ish kujtuar të më ftonte mua.
E pranove? Kush ta bëri kërkesën?
Po ka qenë dikush i redaksisë së brendshme, Zenun Çelaj ose Mustafa Rushiti, nuk më kujtohet saktë, dhe nuk është me rëndësi, ata vetëm e bënin detyrën që kishin, sepse edhe ata ishin nën dyshime se nuk janë vigjilentë dhe nuk po kontribuojnë sa duhet në luftimin e nacionalizmit shqiptar dhe enverizimit. Por, unë vërtet isha shumë kureshtar për ta lexuar librin, nuk kisha lexuar asnjë gjë nga Enveri… U thashë se do të doja ta lexoj dhe pastaj të vendos, dhe ata ma sollën pas disa ditësh. Ishte libër zhgënjyes, tepër i dobët, as histori, as analizë e proceseve. Nuk e bëra recensionin. Jo që nuk më kruhej dora, kishte shumë sende që kisha qejf ti komentoja, por nuk isha aspak i gatshëm që të bëja shërbimin regjimit të atëhershëm kosovar dhe jugosllav. E ndieja vetën gjysmëdisident. Edhe pse babain, Mehmetin, e kisha në pushtet, ishte madje në postin e frikshëm të ministrit të Rendit, unë kisha rezerva ndaj pushtetit, sikur që edhe pushteti kishte rezerva ndaj meje. Nuk më pranonin e as nuk më ofronin asgjë dhe pse ti bëja një shërbim të tillë. Nga ana tjetër, të shkruaja kundër Enverit, ishte diçka tepër obliguese, ta bënte një stigmë të propagandistit, që unë nuk doja ta mbaja. Po ajo Rilindja që shumicën e teksteve të mia nuk i botonte, ose i mbante në sirtarin e teksteve që pëlqeheshin, por për të cilët thuhej se për momentin nuk janë për botim, tani kërkonte të futesha në lojë, të bëhem lojal ndaj regjimit. Nuk ishte, pra, ndonjë zgjidhje e lirë prej intelektuali që ka pikëpamje të veta kritike për Enverin, por edhe për komunizmin jugosllav. Një ide që kisha atëherë, kur e shqyrtoja mundësinë e shkrimit të këtij  recensioni, ishte që ta bëja një krahasim me Eduard Kardelin, sepse e shihja si një alterego të Titos që zhvillonte teorinë e komunizmit jugosllav, duke i krahasuar dhe kritikuar edhe njërin, edhe tjetrin, për të dalë te përfundimi se Enveri më dukej shumë më dogmat, më malok i pagdhendur në teori se Kardeli, i cili po ashtu më dukej si teoricien shumë i dobët. Por, nëse do ta bëja këtë, shkrimi do të bëhej i pabotueshëm. Por, pos kësaj, problemi më i madh që kisha, ishte se unë nuk kisha ndonjë qëndrim dhe teori pozitive, të themi të liberalit, demokratit apo social-demokratit etj., nga e cila do të bëja shqyrtimin dhe kritikën. Unë e kisha vetëm shijen e keqe më shumë estetike, më shumë të lexuesit të zhgënjyer, që nuk bindej aspak me ato politika dhe diskurse komuniste, që kishin shkruar me një fjalor shumë të varfër, ideologjik, propagandistik dhe manipulativ. Një farë dore e kisha po atë konfuzionin dhe paqartësinë e vitit 1968, kur kinse u rebeluam e ne në të vërtetë nuk dinim për çka ishim rebeluar, e kishim të tabuizuar monizmin dhe kapitalizmin, besonim në progres dhe se nuk ka kthim prapa në pluripartizëm dhe ekonominë e tregut.

Dialog me Shkëlzenin

Baton Haxhiu

Skelzen Maliqi

Të pranuarit për të rrëfyer, është rrëfim në vete. Ky është dhe ka qenë motivi personal që ta bëjë Shkëlzen Maliqin të flasë për veten e tij.
Ideja ka qenë e vjetër, fillimisht e bazuar në gjashtë intervistat me Shkëlzenin që i pata realizuar në vitet 90. Do ti shtonim këtyre pastaj edhe një intervistë aktuale, që do të ishte kapak dhe do të reflektonte historinë dhe zhvillimet sot. Por, kur u nis kjo bisedë e re, ajo u dimensionua ndryshe, lëvizi në disa drejtime. Nuk mjaftonin më intervistat që dokumentonin kohën, por unë po bëhesha kureshtar dhe insistues që të dëgjoja një zë që rrëfente një kohë të thyerjeve historike, njëkohësisht edhe si protagonist, edhe si analist. Mendoja se kjo është e rrallë, që dikush të reflektonte në pjesën e dytë të shekullit XX në Gadishullin e Ballkanit, përmes përjetimeve dhe përvojës së tij në disa hapësira dhe kultura, me zig-zage të fatit dhe vetëdijesimeve për sfidat e kohës.
Ky nuk është një rrëfim thjesht moralizues për të nxjerrë një biografi të Shkëlzenit. Libri është rrëfim që del nga stereotipi dhe krijon një kundërstereotip ballkanik, me Shkëlzenin rrëfimtar.
Kam jetuar me shkrimet dhe mendimet e Shkëlzenit për më shumë se dy dekada. I kam dëgjuar shpesh copëzat e rrëfimeve të tij, që vetëm disa i bëri edhe me shkrim. Dhe aty në të thënat dhe të shkruarat, më ravijëzohej rrëfimi i tij për shkatërrimin e një shteti, që mendoja se do të jetë interesant për opinionin. Andaj, mëtova që me të, të eksplorojmë dhe mësojmë për jetën e një shteti, për mrekullinë e nacionalizmit shkatërrues, për lirinë, për liderët dhe liderucët, për atë shtetin hibrid, për vrasjen, për politikën, për pafuqinë, për rezistencën dhe inatet, për Ballkanin, Europën dhe Amerikën.
Kur i biseduam temat sipas një plani që plotësohet dhe mbindërtohej gjatë kohës, herë duke i shpejtuar, herë duke i lënë pezull dhe në pritje, ato intervistat e viteve 90 u zhdukën nga horizonti, dhe rrëfimi mori formën që e keni në këtë vëllim.
Çka është e rëndësishme, pasi që erdhëm te një pikë kur libri do ta shihte dritën, ishte se rrëfimi në shumë pjesë mbetej disi i pjesshëm dhe i hapur, gjithnjë më dukej se ka çka të thuhet më shumë për ato çka janë thënë,  edhe gjëra të pathëna, apo që mund të thuhen edhe ndryshe. Vetëm se rrëfimi mori formën që ka, dhe unë kam bindjen, tash pasi që u tregua, se jam mbështetur jo vetëm në rrëfimin si formë e shprehjes, por edhe në dijet që i ka Shkëlzeni, – që ai me modesti nuk i thekson shumë, por ato shfaqen në trungun e rrëfimit brenda mendimeve dhe shqetësimeve që i thoshte për politikën, kulturën dhe fenomenet e jetës në Ballkan, si gadishull i vakive që prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë!
Shkëlzeni është bashkëbisedues i lehtë kur e motivon të flasë, por i përtueshëm në parim që të flasë për vetën. Ngandonjëherë, mendoja që mund ta bëj unë vetë portretin e tij prej mendimtari, analisti politik dhe kulturor. E kuptova se më mirë është që të flasë vetë, duke e nxituar shpesh dhe kapur në disponimet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›