Pse politikës nuk i intereson populli
“…Por në fillim të 2009 kryeministri, parë nga SHBA, është tashmë një njeri i dobët, peng i konflikteve të tij të interesit dhe i abuzimeve me pushtetin. Pra kishte nevojë për ndihmën amerikane për t’u legjitimuar në planin e brendshëm dhe të jashtëm dhe për këtë arsye i gatshëm, siç i kërkohej, të sillej si “aleati më i mirë”. Pra nuk është në gjendje të thotë asnjë “jo” kujt e mbështet. Një lloj pengu, që pranon menjëherë të gjitha kërkesat në çështje ushtarake dhe politike në pikat strategjike që shkojnë nga Afganistani në rivendosjen e të burgosurve të Guantanamos, nga bazat në territorin italian, në sanksionet ndaj Iranit. Një çmim, që deri tani, nuk ishte marrë vesh se ishte paguar…” Gazeta italiane la Repubblica ka siguruar në mënyrë ekskluzive dhe po publikon filet sekrete të Wikileaks: raportimet e funksionarëve të ambasadës amerikane në Romë dhe komunikimin me Uashingtonin. Kjo ishte një copëz nga shkrimi që prezanton materialet voluminoze që duket se shpjegon mirë dhe për ne shqiptarët se si qëndron e vërteta dhe qartëson disa sjellje të pashpjegueshme edhe të ambasadorit amerikan në Tiranë. Filet sekrete të Wikileaks dëshmojnë se SHBA, edhe pse të bindura se Italia me Berluskonin po merr të tatëpjetën, insistojnë ta mbështesin nga përfitimet që kanë prej tij në planin ndërkombëtar. I tremb çorganizimi i opozitës. Eshtë një fjali në filet sekrete që flet shumë dhe për ne: “…Me Premierin vendi është në tatëpjetë, por na duhet dhe duhet ndihmuar: Obama duhet ta shpëtojë me organizimin e G8 në Aquila”. Berluskoni ishte në kulmin e skandaleve dhe në vështirësitë pas tërmetit që goditi krahinën e Abrucos, organizimi i G8 në rrënojat e tërmetit dhe ardhja e Obamës, njeriut që Berluskoni ishte nxituar ta quante “i nxirë”, ishte oksigjeni më i mirë për pushtetin e një lideri shumë të diskutueshëm.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)