Pse rriten rrogat dhe pensionet?
Qeveria në mbledhjen e fundit të saj miratoi projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2010. Të bën përshtypje në këtë projekt-buxhet rritja e dukshme që do të pësojnë rrogat e buxhetorëve dhe pensionet e pensionistëve në qytet e fshat, sidomos pensionet e vogla. Disa pseudo-analistë nxitohen të deklarojnë se kjo është lajthitje, se nuk mund të shtosh borderonë e pagave duke pasur një situatë të pasigurt me të ardhurat nga tatimet dhe doganat. Ata harrojnë se një gjë është e sigurt, njëlloj sikurse është shprehur ish-Guvernatori historik i Bankës Qendrore Amerikane, Alain Greenspan. Se “kriza e sotme luftohet vetëm me rritje të konsumit, të besimit të qytetarëve tek pagesat që ata kryejnë”. Përpara se sa të jetë një veprim në hulli të premtimeve parazgjedhore, rritja e rrogave dhe pensioneve largon njëherë e përgjithmonë fantazmën e krizës. Nxitja në treg do të jepet pikërisht me këto të ardhura të rritura, si dhe me investimet publike. Nuk mund të thuash se nuk është veprim kurajoz ky i qeverisë sonë. Në mes të krizës në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vende si Hungaria dhe Ukraina arritën deri aty sa të ulnin pagat publike. Investimet publike në vende si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia etj., u tkurrën po gjatë kësaj periudhe. Vendi ynë ishte i vetmi vend në Ballkan që mbajti një ritëm të pandryshuar investimesh publike. Dhe kjo kurajo në përzgjedhjen e shpenzimeve publike dha frytet e saj. Jo pa shkak Shqipëria do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Evropë, me 4-5 për qind për këtë vit. Jo pa shkak ish-përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar tek ne, Anne Margaret Westin, e ka cilësuar performancën ekonomike të Shqipërisë si një histori suksesi. Jo pa shkak Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare vendosën kohët e fundit t’i japin 110 milionë euro një kompanie kanadeze që nxjerr naftë në Shqipëri, në kohën kur investimet e huaja vetëm në Mal të Zi kanë rënë me 30 për qind në nëntëmujorin e parë të këtij viti. Mund të imagjinohen lehtë pasojat, nëse qeveria jonë nuk do të kishte guxuar kaq shumë. Investimet e ulura publike do të kishin sjellë shumë kontrata të papërfunduara apo të vonuara në ndërtime. Ndërkohë kur sektori i ndërtimit ishte ai që vuajti jo pak në tetë muajt e parë të këtij viti. Mungesa e “punës” nga ana e qeverisë mund të kishte rezultuar fatale për të. Në të kundërt, qeveria shpalli programin e subvencionimit të kredive bankare për 6 mijë apartamente për ish-pronarët e pastrehë. Kjo i dha një shtysë jo të vogël kompanive ndërtuese. Ndërtimi u mbajt si sektor dhe e kaloi rrebeshin. Ndërkohë, qeveria po guxon sërish me projekt-buxhetin 2010. Ministri i Bujqësisë kërkon me të drejtë dyfishimin e fondeve për sektorin e tij. Kritikë dhe skeptikë ndaj buxhetit të shtetit për vitin që vjen ka dhe do të ketë sa të duash, por një gjë është e sigurt. Investimet e rritura publike dhe pagat e pensionet më të larta deri tani vetëm sa e kanë ndihmuar ekonominë tonë të përballojë pasojat e krizës. Kështu që nuk ka asnjë arsye që ky përafrim të mos ndihmojë edhe në të ardhmen. Qeveria duhet përkrahur dhe nxitur nga opinioni i shëndoshë publik i vendit. Nuk është e lehtë të distancohesh nga konservatorizmi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Por një thënie e pashkruar në biznes është se po nuk guxove, po nuk rrezikove, nuk fiton. Qeveria tashmë e ka mësuar mirë “biznesin” e sprovës mes deficitit publik dhe rritjes së shpenzimeve prodhuese. Leku shqiptar që edhe pse i zhvlerësuar nga rrebeshi i krizës, ende mbahet mirë, inflacioni në nivelin historik më të ulët prej vetëm dy për qind, janë të gjithë tregues se beteja me pasojat e krizës është fituar. Tani fillon beteja e madhe për të siguruar një rritje ekonomike të ndjeshme. Dhe sfida më e fortë, krahas rritjes së besimit të bankave tregtare në programet e tyre të kreditit, do të qëndrojë tek tatimet dhe doganat. Të ardhurat e tyre duhet të konsolidohen dhe për këtë lypset një tolerancë zero ndaj mospaguesve dhe evazorëve fiskalë të çdo lloji e madhësie, pavarësisht nëse janë shtetërorë apo privatë. Me ngjarjet e fundit në kërkesën e llogarisë ndaj kompanive të tilla kyçe për të ardhurat buxhetore si “Albpetrol” dhe ARMO, qeveria tregoi se ka vullnetin e duhur për të vendosur shtetin e plotë ligjor dhe për të realizuar të ardhura buxhetore të mjaftueshme për një rritje ekonomike të kënaqshme për vitin e ardhshëm.