E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Buxheti 2010, më i miri në historinë e qeverive

Rritje pagash dhe pensionesh në masën 10 për qind

Nëse rritet çmimi i energjisë, fond rezervë për kompensim

Në vitin 2010 do të rriten investimet, pagat dhe pensionet do të kenë një rritje prej afro 10 për qind, skema e ndihmës ekonomike do të zgjerohet duke ndihmuar më shumë familjet e varfra. Të gjitha këto janë parashikuar në buxhetin e vitit 2010, i cili është cilësuar dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, si më i miri i realizuar ndonjëherë nga qeveritë shqiptare. Në takimin e tij të përjavshëm me gazetarët, ministri Prifti zgjodhi dje të flasë për buxhetin e shtetit 2010, duke detajuar efektet që do të ketë ky buxhet në ekonominë dhe në vetë familjet shqiptare. Ai e cilësoi një buxhet ambicioz, që do të mundësojë rritjen ekonomike në një masë më të avancuar sesa vendet e rajonit. “Në këtë buxhet parashikohen 360 miliardë lekë të ardhura dhe afro 410 miliardë lekë shpenzime, në të cilat bëjnë pjesë edhe financimet e huaja. Këto janë arsyet që Shqipëria, ndryshe nga vendet e rajonit, të zhvillohet më shpejt dhe të ketë një inflacion në masën 2 deri 3%. Pavarësisht se bota është në krizë, në Shqipëri të ardhurat rriten me 12% dhe Shqipëria mbetet një nga vendet që po zhvillohet më shpejt në rajon”, - ka theksuar ministri Prifti. Për kreun e dikasterit të Ekonomisë, një zë i veçantë do t’i kushtohet në buxhetin e vitit 2010 dhe rritjes së pagave dhe pensioneve, me qëllim diferencimin e atyre të fshatit me ato të qytetit. Prifti tha se premtimi i qeverisë për rritje pagash dhe pensionesh është një tjetër zë në këtë buxhet, që ndryshe nga vendet e rajonit që i kanë ulur në masën 10%, ne do t’i rrisim, duke diferencuar në këtë mënyrë pensionet minimale dhe ato të fshatit me ato të qytetit. “Një gjë që vërtet na ndan dhe na veçon nga të gjitha vendet e tjera evropiane dhe sidomos nga vendet fqinje, është parashikimi që kemi për të rritur rrogat dhe pensionet. Parashikohet një rritje prej 10% e rrogave dhe pensioneve, duke filluar nga data 1 korrik e vitit që vjen”, - shpjegoi Prifti, ndërsa nënvizoi se një kujdes i veçantë do t’iu kushtohet investimeve në sektorin e bujqësisë, sidomos në skemën e ndihmës ekonomike”, - tha ministri Prifti. Sipas ministrit të Ekonomisë, kjo ndihmë do të synojë të shkojë drejt familjeve të varfra, numri i të cilave ka vazhduar të rritet. Zgjerimi i skemës ekonomike për të nxjerrë nga varfëria 1.4% të familjeve shqiptare që janë në nevojë, si dhe dyfishimi i fondit për investimet në sistemin e kullimit dhe atë të ujitjes ishin disa nga zërat që për kreun e dikasterit të ekonomisë e bëjnë këtë buxhet më të mirin e hartuar ndonjëherë në vend. Duke prezantuar sipas zërave konkretë buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri i Ekonomisë ka pohuar se ky do të jetë një buxhet që i lejon qeverisë më shumë investime dhe vënie lekësh në përdorim për nevojat e shtresave të varfra të qeverisë. “Ky është një buxhet që na lejon të shpenzojmë më shumë për SME-të dhe bizneset. Është buxheti më i mirë në të gjitha kuptimet, kjo pasi të ardhurat asnjëherë nuk kanë qenë më të larta, pasuar edhe nga shpenzimet që rrjedhin prej tyre, në efekt të vazhdimësisë së reformave”, - citoi Prifti. Buxheti i vitit 2010 do të ketë prioritet infrastrukturën, shëndetësinë, arsimin si dhe zhvillimin e bujqësisë. Buxheti i vitit 2010 pritet të jetë 12 për qind më i lartë se ai i vitit në vazhdim, çka përkthehet në më shumë mundësi për të rritur investimet. Në vitin 2010 të ardhurat parashikohen të jenë rreth 28.3% e PPB-së. Sipas ekspertëve, bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit, shpenzimet e përgjithshme buxhetore parashikohen që për vitin 2010 të arrijnë rreth 31.6% të PBB-së. Burimet financiare do të përdoren kryesisht për reduktimin e deficitit buxhetor, rritjen e diferencuar të pagave, rritjen e pensioneve dhe për mbajtjen e një ritmi të lartë të investimeve prej rreth 7.2% të PBB-së në vitin 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›