E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Psikologia Haxhiu për ATSH: Siguria e fëmijëve, përgjegjësi e gjithë shoqërisë

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Ngjarja e rëndë e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, ku viktima dhe autori ishin frekuentues të së njëjtës shkollë, ka tronditur komunitetin e nxënësve dhe prindërve të kësaj shkolle, por edhe mbarë shoqërinë tonë, duke nxitur edhe reagimin e profesionistëve të fushës për këtë krim të rëndë.

Pedagogia e Psikologjisë, Jonida Haxhiu foli për ATSH duke analizuar që nga motivet e mundshme të sjelljeve agresive tek të rinjtë, deri te forcimi i sistemit të sigurisë nëpër shkolla.

“Kjo ngjarje e rëndë, e cila na tronditi të gjithëve ishte në të njëjtën kohë një këmbanë alarmi për të gjithë ne, për dhunën e agresivitetin që e gjejmë rëndom në ambientet e mjediset, të cilat të gjithë i frekuentojmë. Për fat të keq duket sikur po mësohemi apo jemi mësuar me këtë realitet, ku dhuna e agresiviteti janë formë komunikimi apo reagimi. Mund të ketë disa arsye për këtë dhunë, duke filluar që nga modelet prindërore e familjare, e deri te modelet e tjera, sikurse janë bashkëmoshatarët, persona të famshëm apo personazhe të medieve sociale”, u shpreh Haxhiu.

“Dhuna e agresiviteti diku reflektohet e merret si model pa ndërgjegje, si në familje për shembull. Diku tjetër promovohet në mënyrë të qëllimshme si mjet për të rënë në sy e për të marrë vëmendje, sikurse ndodh jo rrallë nga personazhe të medieve sociale”, tha Haxhiu.

Pedagogia e Psikologjisë e vë theksin te siguria në shkolla dhe forcimi i këtij sistemi, ku secili aktor kryen rolin e tij.

“Siguria është baza, nëse ajo nuk është e garantuar, nuk mund të flasim për asnjë element tjetër për zhvillimin personal apo social, sikurse është shkolla apo mjediset edukative. I gjithë institucioni, i gjithë sistemi dhe e gjithë shoqëria ka një lloj përgjegjësie. Patjetër që ka disa persona që kanë direkt lidhje me çështje të sigurisë, evidentimin dhe adresimin e tyre, por ajo që na shqetëson të gjithëve është prania e një mentaliteti që e normalizon dhunën, fjalorin banal dhe agresivitetin. E këtu patjetër që vështirësohet shumë puna, pasi në situata të tilla ka nevojë përveçse për evidentim, ashtu edhe për ndërgjegjësim e parandalim”, thekson pedagogia.

Profesionistët e fushës nuk munden që ta vendosin gishtin mbi një shkak të vetëm, pra faji i brezave që ndryshojnë, e që janë më të ekspozuar ndaj rrjeteve sociale, faji i familjes, modelet e prindërimit, shoqëria, komuniteti apo sistemi arsimor.

“Problemet ne i pikasim tek brezi i ri, por në fakt sigurisht nuk fillojnë e mbarojnë aty. Për shumë arsye që lidhen edhe me moshën, ata kujdesen më pak t’i fshehin këto sjellje e reagime, por në fakt problematika të tilla dëshmojnë për probleme të gjithë shoqërisë, patjetër familja si një nga shtyllat themelore të edukimit njerëzor, për të vazhduar me shkollën e cila përveç dijeve ka një rol të pazëvëndësueshëm në promovimin e sjelljes së mirë, e për të vazhduar me të gjithë shoqërinë, ku secili e kudo mund të jetë (shpesh pa e kuptuar) një model pozitiv apo negativ”, argumenton Haxhiu.

Mbikëqyrja prindërore është një tjetër themel i nevojshëm për të ndërtuar të rinj dhe individë të denjë për shoqërinë tonë.

“Nuk mund të flasim për modele fikse, që përshtaten me këdo, në çdo kohë. Çdo individ është i ndryshëm dhe si i tillë edhe në mënyrën si komunikon, krijon apo mban marrëdhënie. Këtë gjë është shumë e rëndësishme që ta kenë në konsideratë prindërit, fëmijët janë të ndryshëm dhe për një prindërim të suksesshëm është e domosdoshme që prindi të kuptojë natyrën e fëmijës, mundësitë apo kufizimet.

Bazuar në karakteristikat individuale të fëmijës prindi duhet të kujdeset që krijojë dhe mbajë një komunikim efektiv me fëmijën, vazhdimisht, pavarësisht problemeve apo sfidave. Investimi kryesor që një prind mund të bëjë për fëmjën është komunikimi. Nëse komunikimi është efektiv shumë probleme të fëmijëve do të parandaloheshin në kohë ose do të zgjidhen në mënyrën më efikase kur ndodh”, tha Haxhiu.

Pedagogia e mbylli fjalën e saj me një mesazh të qenësishëm për të rinjtë, brezat, familjet dhe prindërit që duan që investimi më i mirë në jetën e tyre të materializohet në një të ri/re adoleshent/e të formësuar nga ana shpirtërore, mendore dhe edukative. Dhe përtej kësaj, ndikim të madh kanë rrjetet sociale, por sidomos koha e shpenzuar në to.

“Rrjetet sociale sigurisht që përbëjnë një arritje për kohën kur jetojmë. Nëse përdoren në mënyrë të arsyeshme duke u fokusuar në përmbajtje me vlerë për secilin, do të ishin një përfitim shumë i madh.

Problemi është se individë të caktuar, nuk janë në gjendje të jenë selektivë në përmbajtjet me të cilat bien në kontakt, apo nuk arrijnë të menaxhojnë “komunikimet virtuale”, të tilla si ftesa, komente, kërcënime, etj., duke rrezikuar kështu të futen në probleme personale e jo vetëm. Në këtë kontekst fëmijët sidomos, por edhe adoleshentët janë të rrezikuar.

Këshilla ime për prindërit është të kujdesen në çdo moment për të ndërtuar dhe ruajtur komunikim efektiv me fëmijën. Komunikimi është ndihma kryesore në përpjekjen e një prindi për të qenë aty për fëmijën; në çdo situatë të vështirë. Nëse ka komunikim shumë probleme lehtësohen në mënyrën më të përshtatshme të mundshme.

Po ashtu edhe për mediet sociale, mundohuni të kufizoni kohën e fëmijëve në to, sidomos duke i ofruar aktivitete alternative si sporte, arte, angazhime në familje. Si dhe të monitorohet në çdo moment aktiviteti i fëmijës në mediet sociale, sikurse edhe në atë reale, në formën e një kujdesi për të cilin fëmija duke e patur pjesë të vazhdueshme të rritjes, e pranon dhe e konsideron si një aspekt ndihmës nga probleme të mundshme”, përfundon ajo.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›