E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikimi i interesave do të rrisë konkurrencën

Autoriteti i Konkurrencës

Publikimi i interesave të bankave të nivelit të dytë do të rrisë mundësinë e zgjedhjeve të sakta dhe më të leverdishme për konsumatorët. Autoriteti i Konkurrencës reagoi dje për vendimin e Bankës së Shqipërisë për publikimin e të gjitha tarifave dhe komisioneve për bankat. Një nismë e tillë do të rrisë transparencën në tregje, si dhe do të zvogëlojë asimetrinë e informacionit ndërmjet klientëve të shërbimeve bankare dhe bankave, theksohet në reagimin e Autoritetit. Por më e rëndësishmja është përfitimi i qytetarëve. Rritja e transparencës do tu ofrojë më shumë mundësi zgjedhjeje klientëve, duke rritur në këtë mënyrë konkurrencën midis bankave. Banka e Shqipërisë, vetëm pak ditë më parë publikoi në faqen e saj të internetit të gjitha tarifat, komisionet dhe normat e interesit për kreditë dhe depozitat në të gjitha monedhat. Në këtë mënyrë, çdo qytetar mund të shikojë vetë se cila bankë ka interesa më të leverdishme për depozitimin e parave, apo për kreditimin e biznesit dhe konsumit individual. Këto masa janë në të njëjtën linjë me rekomandimet e dhëna nga Autoriteti i Konkurrencës, me anë të vendimit nr. 174, datë 25.01.2011 Për disa rekomandime në lidhje me transparencën dhe komisionet e aplikuara në tregun e shërbimeve bankare, thekson njoftimi i Konkurrencës. Në fakt ka pasur disa tentativa për ti detyruar bankat të rritin transparencën me qytetarët. Por vendimi i Bankës së Shqipërisë dhe njoftimi online për të gjitha tarifat dhe detyrimet e qytetarëve, duket se i dha fund një kalvari të gjatë për rritjen e transparencës dhe rrjedhimisht konkurrencës në sistemin bankar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›