Publikisht korrekt
Ambasadori amerikan në Shqipëri u bë qendra e vëmendjes mediatike dhe publike për më shumë se një arsye këto ditë. Përveç zhbllokimit të procesit të numërimit në KZAZ-në e fundit në Tiranë, sytë e të gjithë shqiptarëve u kthyen tek ai, edhe pasi procesi përfundoi, edhe teksa KQZ-ja rishikon kasetat e lojës jo për analizë, por për të përcaktuar rezultatin pas i bilbili i finishit ka rënë e, për më tepër, pritet që të shfaqet ambasadori edhe si arbitër, për të bërë vlerësimin përfundimtar se kush nga mediat ka bërë të pabërën në Shqipëri e meriton të shpallet më e ndjekura.
E vërteta është se asnjë nga proceset e mësipërme nuk do të kishte funksionuar normalisht pa prezencën e tij, për të cilën, të lodhur nga zvarritjet dhe betejat absurde politike, shqiptarët i thonë Faleminderit!. Nga ana tjetër, shqiptarët ndjehen gjithaq të turpëruar. Po, po. Të turpëruar deri në maksimum që në vitin 2011, një popull që pretendon të ketë identitet kombëtar më të vjetër nga çmund të mendojnë amerikanë e europianë bashkë, paska nevojë për një arbitër për të mbikëqyrur luftën brenda llojit. Turpi, sigurisht, nuk është as i popullit votues, as i Arvizut vëzhgues (dhe sigurues që loja e numërimit të kishte një fund). Faji na vjen andej pra, nga elita për të cilën votojmë të na drejtojë, të na menaxhojë jetën e të marrë vendime për të tashmen e për të ardhmen tonë. Aq bukur kujdesen për jetën tonë, sa personazhi Arvizu, e paralel ose pas tij edhe ambasadorë të tjerë, u detyruan të luajnë rolin përcaktues në procesin e numërimit të votave në Tiranë.
Deri tani, politika nuk ka treguar ndonjë shenjë skuqjeje në përfaqësuesit e saj, kështu që do të ishte e tepërt të prisnim ndonjë reagim prej të zgjedhurve tanë të fortnderuar, pas shfaqjes së rrallë të trupës diplomatike në Tiranë javën pas zgjedhjeve. Të gjithë shqiptarët që diskutojnë në media, në punë, në ambiente sociale e zyrtare, ndjehen të turpëruar që pas 20 vitesh vetëqeverisje duhej të na merrnin ndërkombëtarët për dore që të gjenim rrugën e daljes nga tuneli ku fshihen votat. Pothuajse të gjithë. Kurse politikanët, jo. Madje, megjithëse mëngëpërveshuri Arvizu dërgoi mesazh të qartë ditën që përfundoi numërimi për Njësinë përcaktuese 5, politikanë dhe media, mos shpallni rezultat pa folur institucioni që ka të drejtën ligjore ta bëjë këtë shpallje, politika hiç. Veshin me dyllë, jo me pambuk politika. Pretendimet gjithë ngjyra të palëve e zbehën fare sugjerimin e qartë të ambasadorit me të cilin kanë për tu identifikuar përfundimisht këto zgjedhje. Tani, ambasadorit Arvizu i ka ngelur vetëm të bëjë një zyrë me tri vende pune, në mes të ulet vetë e anash të ketë Ramën e Berishën, se ndryshe, këta të fundit zor se thonë gjë që ka lidhje me botën jashtë tyre.
Momenti kur ambasadori amerikan priste i pari te porta e shkollës Vasil Shanto, arritur në kohë për të vëzhguar numërimin që palët kishin vendosur të fillonin në orën 08:00, e në orar aty ishte Arvizu, është domethënës për të dyja anët: sa seriozisht e marrim veten ne dhe sa shumë besim kanë ndërkombëtarët te politika shqiptare.
Edhe shpërveshja e tij e mëngëve momentin kur numërimi u ndërpre për të disatën herë në KZAZ-në e famshme 49, ishte gjithaq domethënës: Enough is enough, thoshte qëndrimi i tij. Pra, boll me kaq, se latë nam.
Arvizu, ashtu si edhe ambasadori holandez, që ishte gjithaq i drejtpërdrejtë, ishte aty për të dhënë një mesazh fare të qartë: Koha mbaroi. Me delikatesën karakteristike që mbart pozicioni i kreut të Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, edhe z. Sequi mbajti ison e tij në këngën vendçe të marrë nga Arvizu. Me hezitimin e përhershëm që identifikon organizatën e tij, edhe Vollfarth i dha një tjetër zë prezencës së OSBE-së këtë vit. Me pjesëmarrjen e zonjave që drejtojnë ambasadat e Zvicrës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, grupi i diplomatëve që këtë herë u rreshtua me publikun, jo me politikën, është një gjest për tu përshëndetur publikisht, por edhe një thirrje për të reflektuar mbi gjendjen në të cilën është katandisur sot Shqipëria. E prapë, faji na vjen nga ata që zgjedhim, nga ata për të cilët votojmë, nga veprimet e papërgjegjshme të atyre prej të cilëve ky gardh i ngritur diplomatësh u detyrua në njëfarë mënyre të na rrinin pranë në ditët që numëroheshin votat e hedhura aq qetë më 8 maj nga shqiptarët.
Ka edhe një mënyrë tjetër pozitive me të cilën mund ta interpretojnë shqiptarët e thjeshtë pjesëmarrjen e ambasadorëve, kryesuar nga Arvizu, gjatë këtyre zgjedhjeve: rrugëtimi nuk do të ndërpritet më. Sepse shqiptarët parapëlqejnë ta përkthejnë kështu prezencën që u shndërrua në domosdoshmëri, për ndryshe, do të ishim akoma duke numëruar.
E nëse nuk na marrin sërish për dore, mund të vazhdojmë të zihemi edhe dy vitet e ardhshme për fletët dhe kutitë. Se nuk po e harxhojmë përditshmëritë publike me zgjedhjet, por me kutitë.
Shqiptarët votuan. Ndërkombëtarët mundësuan numërimin. E për kë? Për një grusht njerëzish që nuk meritojnë as të votohen, as të numërohen, as të merren në konsideratë.
Po të paktën tani duket se loja është 2-1. Të gjithë duke i tërhequr veshin politikës. Madje edhe media po del nga guaska e saj (edhe pse pjesërisht).
Arvizu e solli politikën shqiptare (dhe kolegët e tij ndërkombëtarë), në një pikë të re përballë medias e publikut. Për të mirën e të gjitha palëve, do të ishte mirë që vazhdimi të mos ishte vetëm inerci.
