E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Zoti është dashuri që fal, por ka nevojë për zemra të mira

19-05-2011 / Gazeta 55

Dje, në audiencën e përgjithshme, Papa vijoi katekizmin kushtuar lutjes, duke e lidhur ngushtë me Biblën që, theksoi, na prin për të thelluar dialogun e besës së lidhur ndërmjet Zotit e njeriut, i cili përshkon gjithë historinë e shëlbimit, deri në kulm, deri në fjalën e fundit, deri tek Jezu Krishti. Duke përshkuar këtë rrugë, kujtoi Papa, do të ndalemi tek disa tekste të rëndësishme e disa figura paradigmatike të Besëlidhjes së Vjetër e të Re. Do të jetë Abrahami, Patriarku i madh, ati i të gjithë besimtarëve (cfr Rom 4, 11-12.16-17), që do të na japë shembullin e parë të lutjes, në episodin e ndërmjetësimit për qytetet e Sodomës e të Gomorrës. Dëshiroj të përfitoj, shtoi Papa, nga kjo rrugë, në të cilën po nisim shtegtimin, që të mësohemi ta njohim më mirë Biblën, që, shpresoj, e keni të gjithë në shtëpitë tuaja e, gjatë javës, të ndaleni një ças, ta lexoni ta meditoni në lutje, për ta njohur më thellë historinë e besës së lidhur ndërmjet Zotit e njeriut: Zotit, që flet, e njeriut, që përgjigjet, që lutet”.
Në një katekizëm tejet të thellë e tërheqës, Papa tregoi historinë e forcës së lutjes për ndërmjetësim, nga Abrahami, tek Krishti. Pas dy meditimeve të para, me të cilat filloi ciklin e ri të katekizmit kushtuar lutjes, si fenomen universal, sepse i pranishëm në të gjitha kulturat, Benedikti XVI dje e mori shtytjen nga një episod, në të cilin protagonist është Patriarku i madh hebre, “ati i të gjithë besimtarëve”. Papa i mori për dore besimtarët, për t’u prirë në Kapitullin e 18 të Librit të Zanafillës: “Zemërimi i Zotit ndizet flakë. Është gati t’i zhdukë nga faqja e dheut të gjithë banorët e Sodomës e të Gomorrës, për shkak të mbrapshtive të tyre. Abrahami, përballë Tij, i lutet me guxim ngulmues: vërtet, e pyet, Zoti mund t’i shfarosë edhe të drejtët, së bashku me fajtorët? Vërtet Gjykatësi i drejtë, do të jetë aq i padrejtë, sa ta zhbijë mbarë qytetin, në se në të do të ketë qoftë edhe vetëm 50 të drejtë? Me këto fjalë, pohoi Papa, Abrahami vë para Zotit, nevojën për ta shmangur drejtësinë, që rëndon mbi të gjithë, pa përjashtim. Për më tepër, duke iu drejtuar Zotit, Abrahami nuk kufizohet të ndërmjetësojë vetëm për të pafajshmit, por kërkon mëshirë për të gjithë: “Duke bërë kështu, vë në dukje idenë e një drejtësie të re: drejtësi, që nuk kufizohet në dënimin e fajtorëve, siç bëjnë njerëzit, sepse është e ndryshme, hyjnore, e kërkon të mirën dhe e krijon, përmes faljes. E falja e shndërron mëkatarin, e kthen në rrugën e drejtë, e shpëton. Me lutjen e tij, Abrahami nuk kërkon drejtësi, që pret shpërblim, por ndërhyrje shpëtimtare. Një drejtësi e tillë, duke pasur parasysh të pafajshmit, i çliron nga faji edhe të mbrapshtët, të cilët i fal, pavarësisht nga fajet”.
Mendimi i Abrahamit, nënvizoi Benedikti XVI, që na duket gati-gati paradoksal, mund të përmblidhet me fjalët: nuk kam sesi t’i trajtoj të pafajshmit si fajtorë, sepse kjo do të ishte e padrejtë: “… ndërsa janë fajtorët, që duhen trajtuar si të pafajshëm, duke zbatuar një drejtësi më të lartë e duke u krijuar, kështu, mundësinë e shpëtimit, sepse kur keqbërësit e pranojnë ndjesën e Zotit dhe e rrëfejnë fajin, duke kërkuar shpëtim, nuk do të vijojnë më të bëjnë keq, do të kthehen edhe ata në të drejtë, pa pasur nevojë për ndëshkim”.
Drejtësia e Zotit, shumë më e lartë se ajo e njerëzve, fal, më shumë se ndëshkon, sepse Zoti nuk është ‘dënim’, por ‘mëshirë’. Abrahami e di e prandaj, vërejti Papa, nuk i kërkon Zotit atë, që i kundërvihet drejtësisë së tij, por troket në zemrën e Zotit, a më mirë të themi, rrëmon në thellësitë e mëshirës hyjnore, gati-gati duke ia rrëmbyer mundësinë e shpëtimit për Sodomën e Gomorrën, edhe për dhjetë të drejtë, sepse e di mirë që Zoti, dëshiron gjithnjë të shpëtojë, të japë jetë, ta shndërrojë të keqen në të mirë:
“Me këtë lutje, Abrahami ia jep jo vetëm zërin e tij, por edhe zemrën e tij, vullnetit hyjnor; dëshira e Zotit është mëshira, dashuria, shpëtimi. Me zërin e lutjes së tij, Abrahami i jep zë dëshirës së Hyjit, që nuk do ta shkatërrojë, por ta shpëtojë Sodomën, t’i japë jetë mëkatarit të penduar”.
Por, për fat të keq, as në Sodomë e as në Gomorrë, nuk u gjetën as dhjetë të drejtë e atëherë Zoti i bëri pluhur e hi. Zoti është i mirë, u kujtoi Papa besimtarëve, por ka nevojë për një grimcë mirësie, prej nga mund të niset, për ta larguar të keqen e madhe; ka nevojë për një thërrime pendese, të ndjerë në thellësitë e shpirtit, për ta shndërruar zemërimin në dashuri e hakmarrjen në falje. Ka nevojë të gjejë në realitetin e sëmurë, farëzën e së mirës, që të mund ta shërojë gjithë jetën në lëngim. Prej këndej, Papa uroi… “që në qytetet tona të gjindet fara e së mirës e të bëjmë gjithçka, për të pasur ndërmjet nesh së paku dhjetë të drejtë, që falë tyre, qytetet tona të jetojnë e të mbijetojnë, duke shpëtuar nga hidhërimi më i madh, që mund të provojë zemra njerëzore: mungesa e Zotit”.
Kjo histori ka një fund të jashtëzakonshëm: në se për Sodomën e Gomorrën shpëtimi varej nga dhjetë të drejtë, që nuk u gjetën, më vonë, për Jeruzalemin, siç do të profetizojë Jeremia - do të mjaftonte vetëm një i drejtë, për ta shpëtuar. Numri, vërejti Papa, krejt i vogël, zvogëlohet në kulm, ndërsa mirësia e Zotit rritet, duke u bërë gjithnjë më e madhe. E megjithatë, as kjo nuk mjafton! Njeriu nuk i përgjigjet me të mirë, kësaj mëshire të pambaruar të Zotit, e prandaj Jeruzalemi, i rrethuar, lëshohet në dorë të armikut: “Duhet që Zoti vetë ta bëjë këtë drejtësi. E ky është misteri i mishërimit: për të shpëtuar një të drejtë, Zoti vetë bëhet njeri. I drejti përfundimtar, i pafajshmi i përkryer, që do ta shpëtojë mbarë botën, duke vdekur mbi kryq, duke e falur njerëzimin e duke ndërmjetësuar për ata “që nuk dinë çfarë bëjnë!” Prej këndej, lutja e çdo njeriu do të ketë përgjigje, çdo ndërmjetësim yni, do të gjejë hir”.
Në përfundim të katekizmit, në gjuhë të ndryshme, Papa përshëndeti posaçërisht meshtarët, që kanë kryer studimet në Universitetet e ndryshme Papnore të Romës, duke i nxitur që, sapo të rikthehen në vendet e tyre, ta vënë në jetë me fryt përvojën kulturore e meshtarake, fituar në vitet e përgatitjes. Përshëndetje edhe gjakonëve të Kolegjit Urbanian të Propaganda Fides dhe rregulltarëve të Kongregatave të të Shenjtnueshmit Sakrament dhe të Misionarëve monfortanë, mbledhur në kapitujt e përgjithshëm. Papa i uroi që nga këto takime të rilindë një frymëzim i ri rregulltar, me rrënjë të vjetra, në shërbim të Ungjillit.
Lutja e Papës për Kishën kineze (Teksti i plotë)/“Gjatë kohës së Pashkëve, liturgjia këndon Krishtin e ngjallur, ngadhënjyes mbi vdekjen e mbi mëkatin, të gjallë e të pranishëm në jetën e Kishës e në ngjarjet e botës. Lajmi i mirë i Dashurisë së Zotit, dëftuar në Krishtin, Qengjin e flijuar, Bariun e Mirë, që jep jetën për të vetët, përhapet pambarimisht deri në skajet më të largëta të tokës e, njëkohësisht, has kundërshtime e pengesa në të katër anët e botës. Si atëherë, akoma sot: nga Kryqi, tek Ngjallja! Të martën, më 24 maj, është dita kushtuar kujtimit liturgjik të Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të madh në Shenjtëroren e Sheshanit në Shangai: mbarë Kisha mblidhet në një lutje korale me Kishën në Kinë. Atje ku, ashtu si në disa vende të tjera të botës, Krishti vijon të pësojë mundimet e Kalvarit. Ndërsa shtohet numri i atyre, që e pranojnë si Zotin e tyre, shumë të tjerë akoma nuk duan ta njohin, e mohojnë, e persekutojnë: “Saul, Saul, pse po më salvon?” (At 9,4). Kisha në Kinë, posaçërisht në këtë çast, ka nevojë për lutjen e Kishës universale. I ftoj, në radhë të parë, të gjithë katolikët kinezë, ta vijojnë e ta thellojnë lutjen, duke ia drejtuar posaçërisht Marisë, Virgjërës së fortë. Por edhe të gjithë katolikët e botës duhet ta shikojnë si impenjim të rëndësishëm, sepse këta besimtarë kanë të drejtë për lutjen tonë, kanë nevojë për lutjen tonë. E dimë, nga Veprat e Apostujve, se kur Pjetri ishte në burg, të gjithë u lutën me forcë e nxorën nga Zoti hirin që një engjëll ta lironte. Edhe ne bëjmë të njëjtën gjë: lutemi me gjithë shpirt, të gjithë së bashku, për këtë Kishë, me besim se me lutje, mund të bëjmë diçka reale për të.
Katolikët kinezë, siç e kanë pohuar shumë herë, duan të jenë të bashkuar me Kishën Universale, me Kryebariun, me Pasardhësin e Pjetrit. Me lutje mund të nxjerrim hirin që Kisha në Kinë të jetën një, e shenjtë e katolike, besnike dhe e vendosur në doktrinën edhe në disiplinën kishtare. Ajo e meriton gjithë dashurinë tonë. E dimë se, ndërmjet vëllezërve tanë ipeshkvij, disa vuajnë dhe e ushtrojnë shërbimin ipeshkvnor nën presion. Atyre, meshtarëve dhe të gjithë katolikëve, që kapërcejnë vështirësi të panumërta në përpjekjen për praktikimin e lirë të fesë, u shprehim afërsinë tonë. Me lutjen tonë mund t’i ndihmojmë të gjejnë rrugën për ta mbajtur të gjallë fenë, të fortë shpresën, të zjarrtë dashurinë e krishterë për të gjithë e të pacënuar, besën dhënë Kishës, që e trashëguam nga Zoti e nga Apostujt e që na u transmetua besnikërisht deri në ditët tona. Me lutje mund të nxjerrim hirin, që dëshira e tyre për t’i përkitur një Kishe të vetme e universale, ta kapërcejë tundimin për të ecur në një rrugë të pavarur nga Pjetri. Lutja mund të nxjerrë, për ta e për ne, hirin e gëzimit e të forcës për ta kumtuar e për ta dëshmuar, me guxim e pa pengesa, Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, Njeriun e ri, ngadhënjimtar mbi mëkatin e mbi vdekjen. Me të gjithë ju i lutem Marisë të ndërmjetësojë që secili prej tyre të lidhet gjithnjë më ngushtë me Krishtin e t’i dhurojë gjithnjë më bujarisht vetveten vëllezërve. Marisë i lutem t’ua ndriçojë mendjen atyre, që dyshojnë; t’i thërrasë përsëri, ata që dredhuan rrugë; t’i ngushëllojë të munduarit; t’i përforcojë të gjithë ata, që tundohen të bien në grackën e joshjeve të oportunizmit. Virgjër Mari, Ndihma e të krishterëve, Zoja jonë e Sheshanit, lutu për ne!
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›