E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti, Mjeku dhe Pacienti

ISUF KALO

Ngjarja që po tregoj është e vërtetë. Ajo ndodhi vetëm dy javë më parë në Dehli të Indisë, gjatë një Kongresi mjekësor ndërkombëtar për diabetin, në të cilin isha i ftuar si specialist për të drejtuar një seancë. India ka numrin kampion: 51 milionë persona të diagnostikuar me këtë sëmundje dhe me të drejtë konsiderohet Kryeqyteti Botëror i Diabetit.  Diabeti përbën një nga epidemitë në rritje të pandalshme më kërcënuese të kohëve moderne, si për vendet e industrializuara, ashtu edhe ato në zhvillim e sipër. Por ky shkrim nuk është për të.
Është për diçka më universale, përtej kufijve të tij. Kjo diçka u prek pashmangshmërisht edhe në kongres, por nuk u nxor dot në pah nga ne profesorët e thinjur me bluza të bardha, me atë forcë dhe dramaticitet që meritonte. Për habi, këtë e bëri mrekullisht një personazh jo i zakontë, jo specialist dhe as mjek i ftuar në të.
Një valltare në Kongresin mjekësor
Quhej Sudha Shadron dhe ishte, siç na u tha, një nga artistet më të famshme në Indi dhe në botë. Ajo ishte ftuar posaçërisht nga organizatorët e kongresit, për të na çlodhur në fund të seancave tona profesionale mjekësore, duke kërcyer në solo, valle karakteristike indiane.
Në fakt, në evenimente të tilla shkencore të mëdha kjo nuk përbën surprizë. Është bërë traditë që kudo punimet profesionale e shkencore të kongreseve të tilla të kombinohen edhe me aktivitete artistike-kulturore, ose folklorike të vendit.
Sudha u bë kërcimtarja më e dashur, më e famshme e gjithë Indisë qëkur ishte 17 vjeç, na tha duke na e prezantuar dr. Nigam, sekretar i Përgjithshëm i Kongresit. Nën duartrokitjet tona, gruaja e bukur, tashmë mbi 30 vjeç, me veshje elegante të mëndafshtë plot ngjyra të vendit të saj, u ngjit me shkathtësi në podiumin e Kongresit dhe u përkul ëmbël plot hirësi. Ajo rrezatoi menjëherë siguri, krenari dhe sharme, me të cilat ende pa filluar muzika praktikisht e pushtoi sallën.
Nën tingujt e melodive indiane ajo nisi të kërcente njëra pas tjetrës e vetme, valle, një lloj pantomime muzikore origjinale me motive që reflektonin aspekte universale të jetës. Ajo derdhi valë-valë në sallë dhimbje të thellë, gëzim fëmijëror, zhgënjim, revoltë, forcë, pikëllim dhe lumturi. Brenda saj ndjehej që dallgëzohej një det emocionesh fisnike, të cilat na i dhuroi me gjenerozitet, për të na freskuar e ripërtërirë shpirtërisht. Valltarja me talent, thuajse hyjnore, na foli pa zë për gati një orë rresht me gjuhën e lëvizjeve të hijshme të saj: të trupit, të duarve, me përplasje ritmike të këmbëve, me dinamikën e uljeve, ngritjeve dhe rrotullimeve të papritura. Pati një çast që rrotullimet e saj u bënë dehëse e marramendëse dhe salla e mahnitur shpërtheu në duartrokitje.
Atë çast mu kujtua që një magjepse të tillë të ngjashme kisha përjetuar kur pashë së pari filmin Zorba, sipas romanit të njohur të Nikos Kazantzakis, në të cilin rolin e personazhit kryesor e luante Antoni Kuin. Në një çast, Zorba u mat ti thoshte diçka të ëmbël të dashurës së tij, por nuk arriti dot. Nuk arrij ta them dot me fjalë – i tha ai, por më lër më mirë ta kërcej. Dhe u ngrit e kërceu nën melodinë e famshme të Teodoraqisit. Vetëm me lëvizjet e gjestet e duarve, trupit e këmbëve, me lojën çmendurake të këmbëve, ai arriti ti shprehë asaj mallëngjyeshëm mesazhin magjik të dashurisë.
E pamundura e mundur
Por, sado e bukur dhe e suksesshme performanca e Sudhes, nuk përbën thelbin e çudisë të ngjarjes që po tregoj. Thelbin na e zbuloi në fund të saj përsëri dr. Nigam, duke na lënë të gjithëve pa gojë. Ju nuk arritët të vini re diçka jo të zakontë tek ky yll i valles indiane, tha ai. Sudhia, njërën këmbë nuk e ka të saj. Kur ishte e vogël ajo u aksidentua dhe mjekët, për ti shpëtuar jetën, u detyruan ti prisnin njërën këmbë. Më pas, ata i bënë më shumë kujdes, art e dashuri, një protezë me të cilën ajo kërceu sot për ju. Një hop salla heshti e mpirë. Krejt e ngrirë. Pastaj befas shpërtheu në duartrokitje e ovacione. Disa të mallëngjyer u përlotën. Mes tyre dhe unë.
Valltarja falënderoi me përulësi, plot sharmë. Atë kohë në sytë tanë ajo ishte shenjtore. Mori mikrofonin dhe tha se kishte ardhur në këtë kongres në radhë të parë që të na tregonte historinë dhe shembullin e përballimit të së keqes, të fatkeqësisë prej saj, që ndoshta do tu vlente për përballimin e sëmundjes pacientëve që ne kuronim.
Qëkur isha fëmijë e kisha ëndërr të bëhesha valltare dhe, kur më ndodhi aksidenti, e përjetova si goditje shpirtërore të përballueshme. Më kujtohet që në dëshpërim e sipër pyeta tim atë: Pse duhet të më ndodhte kjo? Pse tek unë? Pse pikërisht këmba? Pse ky dënim? Babai, u mendua gjatë, pastaj më tha: Sepse Zoti të ka shënuar si të veçantë, tha valltarja. Atëherë nuk e kuptova çdonte të thoshte me këtë, vazhdoi ajo, – por shumë më vonë u ndërgjegjësova se Zoti kishte dashur vërtet që unë të kisha një fat të rrallë. Ai më mori një këmbë, por më dërgoi një mjek të zotin, të pasionuar, që të më ndihmojë. Dhe, mbi të gjitha, më dha aq shumë kurajë, vullnet, këmbëngulje, shpresë, dashuri për jetën, pasion e ndoshta talent që të mundësoja me të gjitha ato ëndrrën time si valltare, që të mundësoja të pamundurën. Tani besoj se Zoti, në njërën mënyrë a tjetrën, na vë të gjithëve në provë: se në çmasë i besojmë vërtet ne vetë ëndrrat tona, se sa shumë e duam dhe e vlerësojmë ne vetë shëndetin dhe jetën që ai na ka dhuruar. Dhe na gjykon për këto, jo me ato që i lutemi, as me ato që i premtojmë, por vetëm me ato që realisht ne bëjmë; me përpjekjet e luftën konkrete tonën për to.
Një kartë që nuk duhet të mbetet në kartë
Për koincidencë, ngjarja e mësipërme ndodhi më 18 prill të këtij viti. Atë ditë, në Europë, duke përfshirë dhe Tiranën, po celebrohej Dita Europiane e të Drejtave të Pacientëve. Ka vetëm 3 vjet që në këtë ditë zhvillohen aktivitete në mbështetje të pacientëve kudo në Europë. Por, një Kartë Europiane e të Drejtave të Pacientëve është formuluar dhe shpallur që në vitin 2002. Një version i adaptuar i saj, Karta për të Drejtat e Pacientëve Shqiptarë, është përpiluar dhe miratuar që vitin e kaluar edhe nga ministri ynë i Shëndetësisë.
Janë 16 të drejta universale të kodifikuara e të shpallura në të. Ato janë: E drejta për informim, për akses, për masa parandaluese, për pëlqim, për zgjedhje të lirë, privatësi dhe konfidencialitet, për respektimin e kohës së pacientit, për shërbim cilësor sipas standardeve, e drejta për të përfituar nga novacionet shkencore mjekësore për evitimin e dhimbjes së panevojshme, e drejta për trajtim sipas veçorive individuale, e drejta për ankimin, e drejta për siguri nga rreziqet e gabimet dhe kompensim në rast dëmtimi, e drejta për tu organizuar në shoqata joqeveritare dhe për të marrë pjesë në politikëbërjen shëndetësore.
Këto të drejta duhet detyrimisht të njihen e të respektohen nga të gjitha institucionet dhe profesionistët e shëndetësisë publike, apo private në marrëdhëniet me pacientët tanë.
Por, realiteti i zbatimit të këtyre të drejtave si te ne, ashtu edhe në shumë vende të tjera të botës, është ende larg asaj që kërkohet. Mes shpalljes e predikimit dhe njohjes e zbatimit real të tyre ka ende një hendek të madh. Në mënyrën se si shëndetësia komunikon dhe u ofron sot shërbimet pacientëve, ajo mbart mjaft borxhe të trashëguara ndaj tyre. Shkalla e zbatimit të të drejtave të të sëmurëve është tregues dhe test për shkallën e demokratizimit të brendshëm të çdo sistemi shëndetësor. Me të provohet nëse pacienti është apo jo i pari në sistem dhe në çfarë shkalle sistemi funksion në shërbim të pacienteve, i ndërgjegjësuar që ai ekziston falë kontributit të tyre financiar si konsumator.
Masa me të cilën pacientët ndihen zot të sistemit shëndetësor, të respektua

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›