Publikohen e-mail private të Epstein – Në mesazhe lihet të kuptohet se Trump ishte në dijeni të abuzimeve

Mesazhe të tjera kanë dalë në dritë lidhur me dosjen e Xhefri Epstein, pasi Demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve publikuan e-mail-e të reja në të cilat financieri amerikan përmend disa herë presidentin amerikan.
Emailet e publikuara rishtazi, Epstein ia kishte dërguar të dashurës dhe bashkëpunëtores së tij të asaj kohe, Ghislaine Maxwell. Kjo e fundit është dënuar për trafikim të miturash pas vdekjes së financierit amerikan, që u vetëvra në burg në vitin 2019 në pritje të gjyqit pas akuzave për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim përfitimin seksual.
Në një prej mesazheve, Epstein pretendon se Trump ka kaluar kohë të konsiderueshme me një grua, të cilën demokratët e Komitetit Mbikëqyrës e cilësojnë si viktimë të trafikimit seksual të financierit. Anëtarët republikanë të atij komiteti, të cilët e identifikuan vajzën si Virginia Giuffre, një nga viktimat e Epstein, që u vetëvra në muajin prill, akuzuan demokratët se e fshehën emrin e saj, pasi kjo e fundit në kujtimet e publikuara pas vdekjes, e kishte përshkruar Trumpin si miqësor dhe nuk e kishte akuzuar për ndonjë shkelje.
Akuza ndaj Demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve erdhën edhe nga Shtëpia e Bardhë. “Demokratët kanë publikuar në mënyrë selektive emaile në media për të krijuar një narrativë të rreme dhe për të njollosur Presidentin Trump”- tha zëdhënësja e Karoline Leavitt. Raporti mes Trumpit dhe ish-mikut të tij Epstein ishte i njohur publikisht, po presidenti amerikan ka mohuar çdo shkelje.
Gazetare: Vjollca Zhari
/rtsh.al/