“Trialog” – Gazetari Dashamir Biçaku: Atentati ndaj Gilmando Danit ishte planifikuar më herët

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Trialog” në RTSH1, moderuar nga gazetarja Alba Alishani, gazetari Dashamir Biçaku zbuloi detaje të reja në lidhje me atentatin ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljani.
Sipas burimeve të tij, atentati ishte planifikuar të ndodhte më herët, në ditën kur Dani do të udhëtonte drejt Barcelonës, por u shty për shkak të rrethanave të sigurisë.
Ai shtoi se ky informacion është aktualisht në proces verifikimi nga strukturat përkatëse të policisë, të cilat po analizojnë të gjitha pistat e mundshme që lidhen me organizimin e atentatit.
“Një informacion interesant që unë kam arritur të siguroj së paku nga verifikimet që kam bërë, nga komunikimet që kam pasur me ish oficer policie, apo dhe me oficer policie të cilët ruaj marrëdhënie të mira është se atentati ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljani do të duhej të kishte ndodhur ditën kur Gilmando Dani është nisur për të udhëtuar në drejtim të Barcelonës për motive që sigurisht ne nuk i dimë. Por nuk ka ndodhur për arsye se atë ditë sipas informacioneve që unë kam, ka pasur lëvizje të disa delegacioneve të huaja dhe sigurisht ka pasur efektiv të gardës dhe efektiv të shumtë policie ku prania e të cilëve ka bërë që organizatorët e këtij atentati ta shtyjnë realizimin e ngjarjes për një rast tjetër dhe që rezultoi ditën e djeshme. Sigurisht që ky është një informacion që është duke u verifikuar nga strukturat e policisë. Ky informacion por edhe informacione të tjera besoj që janë duke u analizuar dhe duke u verifikuar nga strukturat përkatëse”, u shpreh Biçaku.
/rtsh.al/