Publikohen pamjet e aksit te sapo përfunduar Elbasan-Rrogozhinë

Ka përfunduar loti 2 i aksit Elbasan-Papër, pjesë e autostradës së re Elbasan-Rrogozhinë dhe e Korridorit VIII. Ky lot është një nga 6 fazat e para të këtij aksi, ku gjatë muajve të fundit punimet ishin përqendruar në realizimin e shtresave asfaltike dhe përfundimin e veprave të artit.
Gjashtë fazat mbulojnë rreth 20 km të autostradës së re, ndërsa objektivi i deklaruar është përfundimi i tyre brenda vitit 2026.
Ndërkaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar synon nënshkrimin edhe të 3 kontratave të reja për ndërtimin e korridorit VIII, në drejtimin nga Elbasani në Lekaj.
Sipas këtij dikasteri, kontratat janë parashikuar në buxhetin e këtij viti, duke mundësuar vijimin e punimeve, me qëllim bashkimin e rrugës së re me autostradën Adriatiko – Joniane.
Paralelisht, mbeten për t’u nënshkruar edhe 3 kontrata të tjera, që do të bëjnë plotësimin tërësor të segmentit dhe sipas parashikimeve të ARRSH, nënshkrimi i tyre pritet në fund të vitit 2027.
Afatet e punimeve do të jenë 24-mujore për secilën kontratë, çka do të thotë se nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, brenda vitit 2029 kjo pjesë e korridorit VIII duhet të jete e plotësuar.
Në tërësi, aksi Elbasan-Rrogozhinë ka një gjatësi prej 40.7 km. Traseja nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan dhe përfundon në Lekaj, ku lidhet me autostradën ekzistuese dhe Korridorin Blu. Rruga e re kalon në territorin e Elbasanit, Peqinit dhe Kavajës dhe, pas përfundimit, do të ketë nga dy korsi në secilin drejtim.
Ndërkohë, ndërtimi i këtij aksi lidhet edhe me një tjetër pjesë tjetër të Korridorit VIII, që është bypass-i i Elbasanit, ku tashmë kanë nisur punimet. Dy fazat e para përfshijnë ndërtimin e rreth 4 km rrugë dhe do të krijojnë lidhjen mes autostradës Tiranë-Elbasan dhe aksit të ri Elbasan-Rrogozhinë.