Publiku e pëlqen Kthimin

Filmi kosovar ‘Kthimi’ po vazhdon të triumfojë nëpër festivalet ndërkombëtare. Pak kohë pasi u shpërblye me çmimin Jury Prize in Short Film, International Fiction në Festivalin e Filmit Sundance në SHBA, filmi me skenar të Shefqet Gjocaj dhe regji të Blerta Zeqirit, u shpërblye edhe në Festivalin Evropian të Filmit të Shkurtër, ‘GoShort’, që u mbajt në Nijmegen të Holandës. Kësaj radhe ‘Kthimi’ mori çmimin e publikut.
Lajmi për këtë triumf të filmit kosovar është bërë nga Blerim Gjoci, producent i filmit. Përmes një komunikate për media ai është shprehur: “filmi ‘Kthimi’, prodhim i Prishtina FILM, në bashkëpunim me Nine Eleven Dedication Festival, me skenar të Shefqet Gjocaj dhe regji të Blerta Zeqirit, në Festivalin Evropian të Filmit të Shkurtër, ‘GoShort’, në Nijmegen të Holandës, u nderua me çmimin e publikut”.
Sipas tij, publiku europian me këtë rast e dalloi bindshëm filmin ‘Kthimi’ prej filmave tjerë në konkurrencë, duke i dhënë kështu edhe një sukses filmit të pavarur në Kosovë. Producenti i filmit, Blerim Gjoci, me rastin e pranimit të shpërblimit dhe prononcimit për mediat holandeze, tha: “Në eksperiencën time 20-vjeçare në film, një gjë e di me siguri, publiku kurrë nuk gabon, për mua është me rëndësi të veçantë ky shpërblim sepse jepet në Holandë ku po gjykohen ata që shkaktuan zhdukjen e civilëve, temë që ky film trajton”.
Filmi Kthimi është përzgjedhur në këtë festival nga 2000 konkurrime që ishin për vitin 2012. ‘Kthimi’ momentalisht është duke u shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar në Vilnius të Lituanisë, ndërsa do t’i nënshtrohet edhe një konkurrence europiane në Festivalin e Filmit Europian në Paris që fillon më 28 mars. Nga aty filmi udhëton në New Port Beach International Film Festival dhe më pastaj në Oscar Booster Palm Springs Film Festival.
Nderi më i madh i bëhet këtij filmi në Londër ku do të shfaqet si pjesë e Sundance London, tri ditë më radhë si një nga filmat më të mirë të Sundance, që është pjesë e Sundance Festivalit në Londër për herë të parë në vigjilje të Olimpiadës, ku i pranishëm do të jetë edhe vet aktori Robert Redford, themelues i festivalit Sundance.