E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqejnë

Sopranoja kosovare, Besa Llugiqi, ka mbajtur të hënën mbrëma një koncert recital në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë. Llugiqi është përcjellë në piano, nga pianistja e njohur kosovare, Lule Elezi. Dyshja ka shkëlqyer para publikut prishtinas, duke interpretuar vepra të Puccini’t, Mozart’it e Dvorak’ut.

Pavarësisht faktit që ariet dhe këngët e përfshira në programin koncertal përfaqësojnë vepra me kërkesa të mëdha interpretative, ato u interpretuan në mënyrë të përkryer nga Llugiqi.

Nga ana tjetër, para publikut prishtinas Elezi interpretoi mjeshtërisht edhe tri vepra të gjeniut të pianos, Frédéric François Chopin.

Të dy artistet kosovare u duartrokitën gjatë për interpretimet e mrekullueshme dhe për profesionalizimin e shfaqur në skenë.

Ndryshe, ky koncert ishte njëlloj paralajmërimi i edicionit të 7’të të Festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj - DAM 2012. DAM do të fillojë më 30 mars, me interpretimin e ansamblit gjerman SPARK, që është fitues i çmimit ECHO për vitin 2011.

Koncerti i Llugiqit dhe Elezit u mbështet nga Komuna e Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›