Pulla sigurie për klinikat dentare
Njësoj si ilaçet, edhe qendrat dentare do të kenë të “ngjitur” një pullë sigurie. Kështu të gjithë pacientët që shkojnë në klinikat stomatologjike, për të trajtuar dhëmbët, sëmundjet e gojës apo edhe thjesht për konsultë, do ta kenë më të thjeshtë për të kuptuar, nëse mjedisi ku ndodhen është vërtet i pastër dhe i kontrolluar. Deri tani, sipas kërkesave dhe urdhrave të lëshuara nga Drejtoria e Sektorit të Stomatologjisë, kërkohet që në çdo klinikë dentare të jetë e afishuar qartë dhe në vend të dukshëm, diploma e mjekut, apo mjekëve që punojnë atje, si dhe licenca e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Deri tani këto kanë qenë edhe kriteret e kualifikimit, se merrej shërbim i sigurt, për të gjithë pacientët. Kohët e fundit po diskutohet me prioritet një projekt i Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm për sektorin e stomatologjisë.
Pulla e sigurisëSipas sektorit të stomatologjisë, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kanë nisur kontrollet në të gjithë vendin për zbatimin e standardeve dhe rregullave që kërkohen për të mbajtur një klinikë private stomatologjike. Pas përfundimit të një pjese të mirë të kontrolleve dhe referimeve të problematikave të vëzhguara nga inspektorët, do të shihet me prioritet nisja e shpërndarjes së pullave të sigurisë në të gjitha ato klinika të kontrolluara, të licencuara dhe të rregullta në zbatimin e standardeve të kërkuara, si për higjienë ashtu edhe për profesionalizëm. Sakaq, edhe në sektorin shtetëror do ketë kontrolle në poliklinikat dhe shkollat ku ofrohet shërbim stomatologjik falas për një pjesë të caktuar të popullsisë. “Jemi në dijeni se në sektorin shtetëror ekzistojnë probleme me ata stomatologë që ofrojnë shërbim me pagesë, për ato kategori që në fakt shërbimin duhet ta kenë falas. Toleranca do jetë zero për të gjitha rastet flagrante”, theksoi shefi i sektorit të stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Enea Nuredini.
Lista e çmimeveJo vetëm sektori spitalor, por dhe ai dentar, tashmë e ka të detyruar publikimin e listës të të gjitha çmimeve për shërbimet që ato afrojnë. Lista e çmimeve duhet të publikohet së bashku me diplomën dhe licencën për ushtrimin e aktivitetit.
Dokumentacioni, licenca, kualifikimi i plotë i stomatologut si dhe higjiena janë kushtet kryesore që duhet të përmbushin klinikat stomatologjike për të vazhduar aktivitetin.
Ndërkohë që rregullat e reja kërkojnë domosdoshmërinë e afishimit të çmimeve, për çdo shërbim të ofruar. Nga kontrollet e para që janë kryer në Tiranë, Lushnjë dhe Pogradec, rezulton të ketë klinika të cilat ofrojnë kujdes shëndetësor, edhe pse nuk i plotësojnë standardet.
#