Kriza, 48 orë negociata, por ende nuk ka rikthim në tryezë

Grevë, protesta, ultimatume, por edhe negociata. Skena politike dhe faktorët ndërkombëtarë kanë pasur një fundjavë mjaft aktive në atë çka cilësohet negociatë sekrete. I ndikuar nga mungesa në Tiranë e liderit të opozitës, Edi Rama të premten, një ditë më pas kreu i shtetit, Bamir Topi, ka gjetur rastin ta telefonojë liderin e opozitës. Mes dy personazheve mësohet të jetë folur për rikthimin e tryezës së negociatave për gjetjen e një zgjidhjeje mbi situatën politike në vend. “Asnjëherë nuk kemi refuzuar ndonjë ftesë nga cilado anë që ajo ka ardhur, apo që mund të vijë, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me interesin publik, siç është kjo çështje madhore për Shqipërinë dhe për njerëzit”, u shpreh Rama në të njëjtën ditë që realizoi bisedën telefonike me Topin. Sakaq, burimet diplomatike sqaruan për “Shqip” se edhe të dielën ka pasur kontakte të afërta mes njerëzve të Presidentit dhe përfaqësuesve të lartë të mazhorancës dhe opozitës. Jo pak aktivë kanë qenë dhe ambasadorët kryesorë të akredituar në Tiranë, të cilët kanë kërkuar mirëbesim nga Berisha dhe Rama për t’u rikthyer në tryezën e negociatave. Teksa parimisht asnjëra palë nuk e kundërshton rikthimin te tryeza, ajo çka duket se përbën elementin kyç është përmbajtja e saj. Ka pasur shumë punë pas kuintave dhe një progres në gjetjen e disa pikave të përbashkëta mbi të cilat të zhvillohet një negociatë në distancë, progres që gjithsesi konsiderohet ende si i pamjaftueshëm për një marrëveshje përfundimtare. Ndërsa opozita kërkon hapjen e kutive, dhe mazhoranca e refuzon atë me argumentin e gjykatave, duket se pika e përbashkët deri tani ka qenë hapja dhe verifikimi i materialeve zgjedhore pa prekur votat. Dhe përpjekjet e Presidentit, sipas të njëjtave burime diplomatike, janë përqendruar deri tani në këtë drejtim. Materialet zgjedhore për momentin konsiderohen si një hap përpara në arritjen e një marrëveshjeje të negociuar, por ende një pikë e pamjaftueshme për zgjidhjen e krizës, që do të thotë fundin e grevës së urisë së opozitës. Zhvillimet e sotme pritet të jenë të rëndësishme për ecurinë e situatës dhe grevës. Zyrtarisht kreu i shtetit nuk ka deklaruar asnjë takim për këtë qëllim në axhendën ditore të tijën. Sipas asaj çka është bërë publike, Topi do të marrë pjesë në orën 10:00 në aktivitetin përkujtimor dhe ekspozitën e organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, ku do të dekorojë pas vdekjes Havzi Nelën, Vilson Blloshmin dhe Myzafer Pipën. Në orën 11:00, në Presidencë do të dekorojë Sabri Hamitin, ndërsa në orën 13:00 Presidenti do të japë një pritje në Presidencë me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë. Gjithçka në raport me takimet do të varet nga përgjigjet që do të vijnë nga Berisha dhe Rama, në raport me objektin e negociatave. Sakaq, në Ditën e Europës, kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, zbehu shpresat e shqiptarëve për një anëtarësim të afërt të vendit tonë në familjen europiane. Pa dashur të komentojë më tej deklaratën e tij, gjatë një takimi në Durrës, ambasadori Lohan tha se pavarësisht dëshirës dhe ambicies së shqiptarëve, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është në realitet e vështirë. “Ndajmë me ju dëshirën dhe ambicien që shqiptarët kanë, por që të jemi realistë duhet të themi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e vështirë”, deklaroi Lohan në takimin me krerët lokalë në Këshillin e Qarkut Durrës. Ambasadori Lohan shmangu dhënien e deklaratave të tjera lidhur me krizën politike në vend dhe pengesat konkrete që has vendi drejt procesit të anëtarësimit.
#