Pullat e reja fiskale, risi apo kthim prapa
Nga Kristal Hykaj*
Qeveria miratoi para disa ditësh dhënien me koncesion të prodhimit dhe kontrollit të pullave fiskale, pavarësisht se kryeministria në detyrë e ktheu për rishikim, i detyruar nga faktorët e tregut. Ministria e Financave ka bërë të ditur se nga procedura konkurruese, fituese u zgjodh një shoqëri që do të marrë me koncesion këtë prodhim dhe koncesioni do të jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe shoqëria fituese pritet të investojë 10 milion euro. Tarifa e koncesionit do të jetë 2 % e totalit të të ardhurave nga shitja e pullave.
Pullat e reja duhet të jenë gati 5 muaj nga marrja e lejeve, autorizimeve apo licencave të nevojshme për fillimin e punimeve. Sipas ministrisë së Financave, e reja e kalimit të këtij shërbimi me koncesion qëndron tek zbatimi i sistemit Secure Track & Trace Solutions, i cili parashikon zbatimin e një sërë masash sigurie për prodhimin e pullave fiskale, regjistrimin e tyre në kohë reale në sistemin qendror si dhe gjurmimin e tyre në treg nëpërmjet pajisjeve portabël të skanimit.
Pullat fiskale do të përmbajnë katër elemente sigurie për të parandaluar falsifikimet e mundshme, duke filluar që nga aplikimi i një boje irideshente e deri tek vendosja e një kodi unik të padukshëm. Në teori besohet se funksionimi i kësaj skeme do të përmirësojë situatën aktuale, duke minimizuar qarkullimin e pullave fallco. Sistemi i ri i pullave fiskale, veç produkteve të alkoolit dhe duhanit, do të përfshijë edhe barnat.
Pulla fiskale, sipas vendimit të qeverisë, duhet të ngjitet mbi konfeksionin e medikamentit në fabrikën ku ata prodhohen. Mirëpo kjo gjë është kundërshtuar nga prodhuesit e barnave, të cilët nuk pranojnë të bëjnë këtë procedurë, pasi iu duhen pajisje shtesë dhe pulla, jo vetëm që vlen vetëm për Shqipërinë, por porositë që iu vijnë nga vendi ynë për medikamente janë aq të vogla, saqë ata kanë deklaruar se më mirë nuk i furnizojnë fare me ilaçe.
Në këto pulla fiskale duhet të qartësohet emri i prodhuesit, origjina, vendi i prodhimit, data e skadencës, elementët e nevojshëm për kontrollin e atij produkti. Në momentin që do të hyjë në Shqipëri të gjithë inspektorët të kenë një skaner që në kohë reale do të thotë që kjo pullë është e prodhuar në filan vend, e importuar në filan vend duke bërë direkt check-imin e të dhënave me data bazën e koncesionarit. Në këtë mënyrë të sigurohemi që kemi jo vetëm cilësinë e produkteve që aktualisht janë objekt i akcizës, por dhe të barnave, që përbën një risi të këtij koncesioni në teori deri më tani.
Por sot, situata është ndryshe, pas një urdhri të ministrit të Shëndetësisë në 12 gusht, që i kërkon Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave të mos regjistrojë asnjë medikament pa deklaratën e aplikuesit, që prodhuesi merr përsipër vendosjen e pullës në vendin e prodhimit. Kështu, kompanitë importuese shqiptare duhet të blejnë pullat fiskale, tua dërgojnë firmave prodhuese në vendin e origjinës dhe këto ta vendosin pullën për atë sasi medikamentesh që shkon në Shqipëri.
Ky urdhër është diskriminues. Amullia në tregun farmaceutik do të vazhdojë, i humbur në këtë proces është vetëm pacienti dhe konsumatori shqiptar, i cili nuk ka mundësi për të siguruar barnat. Fitimtar i këtij procesi është koncesionari i përcaktuar me ligj, por edhe me ‘Maliq’, që në vitin 2009. Ministri i Shëndetësisë Halim Kosova tha se urdhri i firmosur prej tij do të ketë efekte për medikamente të reja që do të kërkojnë të futen në tregun shqiptar, pasi medikamentet bazë janë tashmë të regjistruara. Por edhe sikur të jetë kështu, importuesit ankohen se kompanitë prodhuese nuk ngjisin pulla fiskale për sasitë e vogla që merr tregu shqiptar, dhe shumë ilaçe do tu mungojnë pacientëve. Thënë shkurt, kaq i fuqishëm është ky koncesionar pullash saqë ka bërë lëmsh gjithë sektorin?
*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti Ekonomik i Tiranës