E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osservatore Romano: Kard. Maradiaga, gjurmët e dritës së Papës Françeskut

23-08-2013 / Gazeta 55

“Gjurmët e dritës” së Papës Françeskut, gjurmët e “mirësisë”, të shpirtit ungjillor” që Ati i Shenjtë “lë me gjestet e tij e me fjalët e tij”: kështu me pak fjalë mund të përmblidhet përmbajtja e librit të mons. Michele Giulio Masciarellit “Papa i afërt. Françesku e aroma e deleve, populli e dhembshuria e barinjve”. Këtë pohon kardinali Oscar Andrea Rodriguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Tegucigalpa-s (Honduras) në paraqitje të vëllimit, shkrim të cilin gazeta e Vatikanit ‘L’Osservatore Romano’ e boton gati të plotë.
Nata e 13 marsit 2013, shkruan kardinali Maradiaga “do të mbetët në mënyrë të pashlyeshme e skalitur thellë në zemra të të gjithë atyre që si ne qenë dëshmitarë të mëshirës së pakufishme të Zotit, që na ka premtuar se ‘nuk do të ju lë vetëm’; në personin e Jorge Mario Bergoglio-s, sot Papa Françesku, qe ripohuar kjo bindje e kjo siguri që Kisha e ka përjetuar gjatë njëzetë shekujve të historisë së saj. Atë natë Kisha tregoi para botës një gjallëri të papritur”. “Të gjithë e perceptuam ekzistencën e një ajri të freskët, të ri, frymën e Shpirtit Shenjt që nuk e kishte braktisur Kishën e vet, e që atë natë na bëri ta thithnim në mënyrë të plotë me mushkëri tona, na bëri të nuhatnim madhështinë e atij, që duke u ndjerë i vogël, mbështetej pa rezerva në duar të Zotit për ta nisur shërbimin e madh në Kishë për Mbretërinë Hyjnore”, vijon kardinali duke nënvizuar se si Papa Bergoglio na bënë të gjithëve të ndjehemi më shumë të lidhur me Kishën: “Po të mendonim mirë – shkruan Maradiaga – duhet të pranojmë se Papa nuk na thotë asgjë të re, por di të na thotë në një mënyrë të re aq sa na prek brenda thellë: forca e gjesteve të tij dhe e fjalëve tij na tregojnë se si ajo që besojmë nuk është diçka thjesht celebrale, feja nuk mbyllet brenda kufijve të konceptimit të thjeshtë, po e përshkon jetën në tërësi”.
“Kush, si unë, e ka njohur mirë Jorge Mario Bergoglion para se të zgjidhej nga Provania Hyjnore për zhvillimin e shërbimit të ipeshkvit të Romës, e di se i Zoti nuk gabon kurrë e se na ka dhënë Atin e Shenjtë për të cilin kishim nevojë”. E kardinali Maradiaga në vijim nënvizon: për shumëkënd, Papa Françesku “ishte një person krejtësisht i panjohur e shumë tentuan të shpjegonin misterin që e rrethonte këtë Papë, ardhur ‘nga fundi i botës’”. Për të “është shkruar edhe diçka legjendare” e përshtypja, shton kryeipeshkvi i Tegucigalpas, është se vet Papa është i pari që mbeti i befasuar, se “nuk e priste një emërim nga mëshira e Zotit e, megjithë nderin e madh që mori, vazhdon të jetë po ai që gjithmonë ka qenë. Nuk ka asgjë për t’u deshifruar; duhet vetëm të zbulojmë atë që Papa i ri dëshiron të jetë, do të thotë transparencë e Hirit të Zotit që vepron në të e që përmes gjesteve të tij e fjalëve të tij na shfaqet” të gjithëve. Nga këtu libri zbulon gjurmët e dritës së Papës Françeskut, i cili na dëshmon se si, përfundon Maradiaga, duke ecur “gjurmëve të Koncilit të II të Vatikanit, që është pik themelore e ndritur dhe e sigurt e gjesteve dhe fjalëve të Papës Françeskut, mund të gjejmë një Kishë me atë vetëdije se është hapësirë e ‘vëllazërimit’ njerëzor për të ju përgjigjur nevojave të varfërve më të varfër e të më të pambrojturve”.
“Për një Egjipt të bashkuar e tolerant” - Kjo është thirrje e Patriarkëve dhe të krerëve të Kishave në Jeruzalem/Një thirrje drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për t’iu kundërvu dhunës e terrorizmit dhe për të ndihmuar popullin egjiptian në kapërcimin e kësaj vale të vrazhdë e gjakderdhëse, për të bërë në mënyrë që Vendi të kthehen në rrugën e drejtë, i është drejtuar nga Patriarkët dhe krerët e Kishave e të komuniteteve fetare të Jerusalemit përmes një deklarata përhapur dje. Në planin politik e shoqëror, Egjipti përjetoi sot ditën e lirimit nga burgu të ish-presidentit, Hosni Mubarak, i cili do të vazhdojw ta vuajë dënimin në arrest shtëpiak. Ndër problemet, që po përballon vendi, sot, u gjet koha edhe për manifestime, një pjesë në favor të Mubarakut dhe të tjerë, kundër tij. Ndërkaq, dje, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën të bllokojnë ndihmat ushtarake për Kajron, duke ua lënë anëtarëve mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.Asnjë kufizim për ndihmat financiare, në mënyrë që të shmangen dëme ekonomike për popullsinë. Ndërkaq, vështirësohet gjendja e të krishterëve, për të cilët Evropa nuk e ngriti aspak zërin. Organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” denoncoi sot se kishat e djegura nga përkrahësit e ish-presidenti Morsi, në indiferencën e plotë të qeverisë, janë së paku 42, të cilave u duhen shtuar edhe institucione e shkolla, por edhe dyqane e shtëpi të krishterësh. Shumica e sulmeve, sipas organizatës me bazë në Nju Jork, kanë ndodhur në jug të Egjiptit, ku janë vrarë së paku 3 të krishterë e një mysliman, që përpiqej t’i ndihmonte.
E ndërsa islamistët bëjnë thirrje për manifestime në ditën, që e quajnë “e premtja e martirëve”, pra nesër, Këshilli Ekumenik i Kishave bën thirrje për lutje, që të kthehet pajtimi, drejtësia dhe paqja për të gjithë egjiptianët. “E vetmja rrugë për të ecur përpara – shkruhet në komunikatën e sekretarit të përgjithshëm, rev. Olav Fykse Tvajt, duke iu referuar sulmeve të islamikëve kundër kishave të krishtera – është njohja e ndërsjelltë si qytetarë të barabartë të Egjiptit, ndarja e përgjegjësive dhe e pushtetit, pranimi i ndryshimeve ndërmjet opinioneve politike e ndërmjet besimeve fetare”. Populli egjiptian, vazhdon letra, e ka treguar në shumë raste se beson plotësisht në një shoqëri shumëfetare e shumëkulturore, ku të gjitha palët i japin dorën njëra-tjetrës për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Duke shpresuar që konflikti në Egjipt të mos interpretohet si konflikt ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, rev. Tvajt përfundon me lutje për paqen e drejtësinë në Egjipt, duke ftuar Kishat anëtare të Këshillit Ekumenik të bëjnë të njëjtën gjë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›