Punësimi i Shaljanit/ Debati mes zyrtarëve të AMP: Nuk u paraqit asnjëherë në punë që prej emërimit

Punësimi i viktimes Mustafa Sheqerit alias Muci Shaljani në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore (AMP) ka sjellë një ballafaqim mes zyrtarëve të këtij institucioni brenda Prokurorisë së Tiranës.
Prokurori Bledar Valikaj ka konstatuar disa kundërthënie mes Gëzim Salës, drejtor i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse dhe ish drejtorit të komanduar Artjol Saliasi.
Siç mësohet, gjatë ballafaqimit, ata i kanë qëndruar thënieve se, punësimi i Muçi Shaljanit është kryer për nevoja emergjente.
Gëzim Sala pyet Artjol Saliasin: “A ma ke kërkuar ti?”
Artjol Saliasi i përgjigjet “…motivin e punësimit për nëvoja emergjente nuk ja kam sugjeruar, as kërkuar unë Gëzim Salës”.
Më pas, Sala pyet ish drejtorin Sailiasin:… nëse urdhri emërimit dhe kontrata e punës nuk do të ishin nënshkruar nga ana juaj a do të merrte formë ligjore akti?”
Shtetasi Artjol Saliasi i përgjigjet shtetasit Gëzim Sala: “...nëse nuk do të më kishin ardhur akte të përpiluara për punësimin e Muçi Shaljanit unë nuk do të kisha firmosur asnjë akt”.
Pas punësimit në AMP, Muçi Shaljani ka dalë për qëndrime disa ditore nga territori i Republikës së Shqipërisë disa herë, në datat 22.09.2025, 19.10.2025, 26.10.2025, 07.11.2025.
Në daljen e tij të fundit, në datën 07.11.2025 ku ka udhëtuar drejt Barcelonës, rezulton në të njëjtën datë në të njëjtën orë me të njëjtin fluturim edhe Gilmando Dani.
Ata janë kthyer në datën 11.11.2025 ora 14:25, dhe kanë qenë në një automjet bashkë pranë vendit të quajtur rrethrrotullim i i Rinasit, pranë aeroportit “Nënë Tereza” ku ranë pre e një sulmi me armë zjarri.
Nga sulmi, humbi jetën në vend Dani ndërsa Shaljani ndërroi jetë disa ditë më pas në Spitalin e Traumës.