E Hënë, 2 Nëntor 2026

“U bë kryeministër me sarajet e Surrelit mbi shpinë”, Berisha: Kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës

Gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përfshirje në afera të mëdha korruptive, pengim të drejtësisë dhe kontroll të institucioneve shtetërore.

Berisha tha se Rama është i implikuar në skandale që lidhen me pasuri të padeklaruara, tendera të dyshuar, projekte të mëdha infrastrukturore dhe abuzim me fondet publike.

Berisha përmendi raportin e OSBE-së të vitit 2014, duke shprehur se aty përmendej një akuzë për depozitime financiare të Ramës në banka offshore.

Kreu i PD ngriti gjithashtu akuza për ndërtimin e banesës private në Surrel dhe një pallati në Tiranë, duke theksuar mungesë transparence financiare dhe lidhje me kompani që kanë përfituar tendera nga shteti.

Pjesë nga fjala e Berishës:

“Përsëri jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit, i cili rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë, çka përbën një krim të rëndë në vetvete.

Emri i Edi Ramës lidhet me akuzën direkte të raportit të OSBE në vitin 2014, në të cilin njoftohej se Edi Rama mori detyrën e kryeministrit duke pasur të depozituara në bankat offshore 200 milionë euro.

Ndaj kësaj akuze konkrete, Edi Rama nuk ngriti asnjë padie, civile apo penale, për të mos thënë që e kapërdiu në heshtje të plotë.

Edi Rama u bë kryeministër me sarajet e Surrelit mbi shpinë, saraje me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjata se vila e ish-diktatorit Hoxha, të ndërtuara me materiale të superkushtueshme. Me një oborr-park fillimisht 5400, aktualisht 8300 metër katrorë me ullinj shekullorë të shkulur në ullishtet e vendit dhe të implantuara në kopshtin e narkosulltanit të Surrelit.

Erdhi në pushtet me pallatin në pajë, të ndërtuar nga kompania e vëllait të komandantit të Gardës, Gramoz Sako. Pallat i ndërtuar në sheshin e pallateve, me leje të kundërligjshme, totalisht të kundërligjshme, por mbi të gjitha nga 5 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë, për pallatin në pajë nuk ekziston nga familja Rama as edhe një faturë bankare, financiare, tatimore, doganore, ndërtimore apo e çfarëdo llojit. Që të gjitha, përfshi regjistrimin e pronës, janë në emër të kompanisë.

Zonja Rama deklaroi se pallati është ndërtuar me para gjaku, duke implikuar thellë vëllain e vet, njeri korrekt në vlerësimin tim në emigracion. Por midis korrupsionit të burrit dhe të vëllait, ia ngjeshi vëllait. Pallati, tha, është i ndërtuar me para gjaku. Se ç’janë paratë e gjakut, e kanë të qartë shqiptarët.

Nuk është e vërtetë, pallati është vepër e korrupsionit të bashkëshortit të saj, Edi Rama, i cili e ka shpërblyer me dhjetëra tendera kompaninë që ka ndërtuar pallatin në pajë dhe kompaninë që ka ndërtuar sarajet e Surrelit.

Edi Rama kryeministër nuk ndali vrapin por vazhdoi i tërbuar duke plaçkitur pasuritë dhe fondet publike të shqiptarëve.

Monumenti më i zi ishte afera e djegësve. Djegësi i Tiranës me firmën e tij, 130 milionë euro dhe nuk ekziston një tullë.

Djegësat e tjerë që janë llamarinë dhe nuk ekzistojnë më.

Erion Veliaj, në vend që të burgosej për 130 milionë euro të zhdukura bashkë me Edi Ramën, është burgosur për disa milionë që ka transferuar në konton bankare të gruas së tij me një gardërobë po aq të kushtueshme, po aq të larmishme sa Lajla Asadi. Kaq ishte gardëroba e Lajlasë kur ia numëruan në Moskë që e transferoi me një avion të posaçëm. Kështu ishte edhe gardëroba e Ajolës.

Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur të ndërtojë në Durrës, Dubain e vet të 1001 netëve, aferë që shkon të paktën 4 miliardë euro, që do ta ndërtojë me paratë e Franc Çopjes, Amant Josifit, Olsi Ramës dhe trafikantëve të tjerë.

Edi Rama është i implikuar kokë e këmbë në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano nga kompani ruse. Shikoni se çfarë, nga njëra anë shkonte në selinë e NATO-s dhe u kërkonte që të mbështesnin projektin, nga ana tjetër kontrakton rusë për ndërtimin e parkut dhe mund të informoj qytetarët se një hetim serioz do bëhet nga parlamenti për këtë çështje.

Në dosjen Balluku, nga 6500 mesazhe, 3800 janë të Edi Ramës.

Në një aspekt, Balluku është thjesht një shërbëtore e tij. Mirë t’i bëhet.

Por, dosja më e tmerrshme, më e pashembullt, është AKSHI.

Është AKSHI me të cilin, Edi Rama plaçkiti nëpërmjet baxhanakut me qindra tendera sekrete në kundërshtim me ligjin, qindra e qindra milionë euro.

Jo vetëm kaq, por aty me Ergys Agasin, Mirlindën e AKSHI-t, plaçkitën të dhënat personale të të gjithë shqiptarëve.

Vunë në kontroll cilindo shqiptar dhe të huaj që dëshironin.

Urdhëruan marrje peng, u morën peng, u emëruan dhe u shkarkuan ministra, që të gjitha në përputhje me interesat kriminale Rama-Agasi.

Pra, Edi Rama duhet të japë urgjentisht dorëheqjen.

Revolta dhe zemërimi i qytetarëve ndaj Edi Ramës po arrin nivelet e revoltës dhe zemërimit të qytetarëve shqiptarë ndaj kultit të Enver Hoxhës.

Çka do të thotë se do bëhet e papërmbajtshme, çka do të thotë se në mënyrë të pashmangshme do ketë fatin e kultit të tij. Prandaj jep menjëherë dorëheqjen. Përpjekjet e Edi Ramës për të përdorur së pari Lubinë si parzmore, për të mbrojtur Lubinë për të mos i hequr imunitetin, për të mos e shkarkuar, nuk janë gjë tjetër vetëm përpjekje për të mbrojtur veten e tij.

Akoma më skandaloze janë përpjekjet e tij për të ndryshuar ligjet, për të shkelmuar Kushtetutën, për të cilësuar si persona të pa pezullueshëm edhe ata të cilët në seri i pezullon vetë Kushtetuta.

Vetë Kushtetuta ka parashikuar pezullimin e tyre nga Kushtetuta, dhe kur Kushtetuta parashikon pezullimin nga detyra të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të kryetarit të KLSH, të Avokatit të Popullit, parashikon procedurën e shkarkimit të presidentit të Republikës, Edi Rama është i pashpresë, i dështuar.

Asnjë ligj të tillë shqiptarët nuk do e pranojnë.

Tani, nëpërmjet zëdhënësit të tij, Baton Stanishiq, informon publikon se ka ndërmend të amendojë kodin, në të cilin të shkelmojë me dy këmbë Kushtetutën dhe nenet e saj që garantojnë barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë.

Tani, ai thotë, njëlloj si në veprat e Oruellit, se të gjithë jemi të barabartë në fermën e derrave, por disa derra janë më më të barabartë se të tjerët.

Kështu ka përgatitur projektligjin për të mos lejuar arrestimin e zyrtarëve publikë pa një vendim të formës së prerë të gjykatës. Dhe të gjithë të tjerët po. Mjafton ky moment për të nxjerrë në pah shpirtin e tij të zi, të trazuar, përroin e tij psikik, që nuk njeh asnjë kufi, asnjë limit. Harron që për këtë qëllim janë prerë koka mbretërish shekuj më parë. Harron se para ligjit ka shekuj që qytetarët konsiderohen të barabartë. Për të gjitha këto, Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga pushteti”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›