E Hënë, 2 Nëntor 2026

Punësimi i lirë në Europë. Ja çfarë premton Grupkapitulli 2

Nga lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit dhe personave te politika e konkurrencës, pronësia intelektuale dhe mbrojtja e konsumatorit, Shqipëria ka hyrë në një nga fazat më përmbajtjesore të negociatave me Bashkimin Europian: Grupkapitulli 2 – Tregu i Brendshëm.

Eksperti Neritan Sejamini thotë se sfida është shumëfishe.

“Ky është një kapitull i cili praktikisht e hap tregun e Bashkimit Europian për gjithë shqiptarët, për qytetarët që duan të punësohen në BE, për bizneset shqiptare që punojnë për të hapur aktivitetin dhe për të shitur lirshëm në BE, por edhe tregun shqiptar për të gjithë qytetarët dhe bizneset evropiane që duan të punësohen apo të veprojnë në Shqipëri. Në njëfarë mënyre ky është kapitulli që e njëson tregun shqiptar, e bën tamam pjesë të Bashkimit Europian,” thotë z. Sejamini.

Në themel të këtij procesi qëndron siguria juridike dhe konkurrenca e ndershme, dy kushte pa të cilat asnjë ekonomi nuk mund të integrohet realisht në tregun europian.

Aspekti më i ndjeshëm për qytetarët është punësimi i lirë në Europë.

“Proceset e tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e ndërmarrjeve, me transparencën dhe menaxhimin financiar të ndërmarrjeve, me mbrojtjen e të drejtave të autorit, me mbrojtjen e konsumatorëve, këto do të hanë kohë jo vetëm për t’u përgatitur nga ana institucionale dhe ligjore, por për t’u zbatuar në praktikë, njësoj siç zbatohen nga operatorët në Bashkimin Europian,” tregon eksperti.

Çelja e Grupkapitullit 2 është më shumë sesa një zhvillim teknik: është një provë për besueshmërinë e Shqipërisë si partner europian.

Sfida e negociatave do të vazhdojë edhe më tej, duke pasur parasysh se legjislacioni është vetëm hapi i parë. Është funksionimi i institucioneve në praktikë ai që do të tregojë se sa po vepron.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›