E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punët e shtetit në karikaturë

"Boom! Punëtoria e karikaturës politike" me idetë e studentëve të Akademisë së Arteve për politikën dhe temat akute të ditës. E kujt është përgjegjësia? Ja si paraqitet, Gërdeci, korrupsioni dhe Kosova e pavarur


Atë çka ndodh në jetën reale jemi mësuar ta ndjekim çdo ditë nëpërmjet syrit të mediave. Ka kohë që kemi humbur edhe një mënyrë të të parit të realitetit, një mënyrë unikale, të karikaturës. Një traditë që në Shqipëri u lind dhe jetoi brenda kornizave të shtetit komunist.


Për të sjellë pak nga ky "art" shoqata kulturore gjermano-shqiptare "Robert Schëartz", ka përmbledhur në album disa nga punët më të mira që studentë të Akademisë së Arteve realizuan qershorin e 2008-s, nën kujdesin e karikaturistit gjerman Heiko Sakurai.


"Boom! Punëtoria e karikaturës politike" përmbledh punë të fokusuara kryesisht në katër tema: politika dhe korrupsioni, Gërdeci, Kosova dhe mjedisi. Libri i prezantuar dy ditë më parë në Ambasadën Gjermane është faza përmbyllëse e projektit të kësaj shoqate për karikaturën politike në Shqipëri. Janë punët e tetë të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe disa krijime të vetë gjermanit Sakurai

.
Kryetema është politika dhe korrupsioni. Si vjen ajo?
Marin Meka, student i Akademisë së Arteve në Tiranë, paraqet një "dialog" mes punonjësit të një ambasade dhe një qytetari që shkon për të disatën herë me një mal me dokumente dhe nuk merr dot vizë. Të ndarë nga një shirit ku shkruhet "Ambasadë" ata bëjnë këtë dialog.

Qytetari: Si ka mundësi që me gjithë këto dokumente nuk e marr dot vizën? Punonjësi i ambasadës i përgjigjet: Sepse të mungon zarfi me një kafe.
E nëse flitet për politikë e korrupsion nuk mund të lihen jashtë figurat më të përmendura të shtetit shqiptar.

Jetmir Lubonja, student në AA, politikën e sheh si një garë vrapimi. Në finish ka vendosur presidentin Bamir Topi i cili po pret garuesit e tre palëve të mëdha politike. I pari kryeministri Sali Berisha, i ndjekur nga Edi Rama e në fund Ilir Meta që po tenton ti vërë një dinamit në shpinë kreut të PS-së. Ky i fundit nuk sheh gjë pasi mendjen e ka tek një lëkurë bananeje që është nën këmbët e kryeministrit.


Temën e dytë, Gërdecin pothuajse të gjithë artistët e kanë lidhur me figurat e politikanëve. Renato Aliçkolli e paraqet Gërdecin si një fushë futbolli, ku kryeministri po përgatitet të gjuajë një penallti. Në vend të topit ka para këmbëve një bombë. Porta, ose më mirë ajo që duhej të ishte e tillë përbëhet nga dy predha.

Pas shpinës se Berishës një militant bën si xhongler që vërtit në ajër pesë predha.
Arjeta Kasemi e paraqit kryeministrin ulur në studion e tij, duke vështruar nga dritarja kërpudhat e shpërthimit.

Studenti nga Kosova, Vigan Kada, Gërdecin e sheh si "çështje" kuzhine. Një shef që ka lënë pak mënjanë tenxheren në të cilën po gatuan, për të folur në telefon. Në dorë mban një fletushkë që lexon "receta e Gërdecit". Nga gryka e tenxheres dalin bishtat e disa raketave.


Karikaturat mbi mjedisin i janë referuar më shumë ndërtimit të TEC-it në Vlorë dhe ndotjes se bregdetit. Kështu Ermal Mbrakulli paraqet njerëz që presin pemët në bregdet dhe një tjetër që vendos flamur me mbishkrimin "Petrolifera". Pak metra më tutje, pranë bregdetit ka vendosur disa cisterna me naftë.

Ndërsa Edon Muhanxheri ka sjellë nga Amerika një sozi të Elvis Preslit për të bërë surf, jo mbi një dallgë por mbi një mal me plehra. Aty mund të dallosh lehtësisht mbeturinat e vaktit, goma makinash, të kudondodhurat kanaçet e birrës e deri tek fuçitë e naftës.


Duke qenë se pavarësia e Kosovës ishte në qendër të vëmendjes, në kohën kur u realizuan këto punë edhe ajo do të zinte një vend.

Një valle popullore mes hartës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës të kapura dorë për dore, në sfond një njëri që largohet kokulur e në shpinë mban flamurin e Rusisë. Në këtë mënyrë e ka parë Renato Aliçkolli pavarësinë.


Në album vihet re se të rinjtë nuk janë robëruar nga klishetë e opinioneve mbi këto tema. Ata dinë të reflektojnë, si në punën e Edison Mustafajit.

Një njëri i "vogël", gjysmë i kërrusur nga pesha e rëndë e flamurit të Kosovës, që mban mbi shpinë. Në kohën kur është realizuar kjo karikaturë shteti kosovar kishte vetëm katër muaj që ishte krijuar. I riu ka menduar se mundimi më i madh po vjen pas pavarësisë.


Duke qenë më ekspert se studentët e tij, Heiko Sakurai i ka trajtuar më me finesë disa nga çështjet. Në grupimin e karikaturave për Gërdecin ai paraqet "Përgjegjësinë". Një rreth me burra seriozë që përgjegjësinë për shpërthimin ia ngarkojnë atij që kanë në krah. Ndërsa çështjen e Kosovës e sheh të lidhur me Rusinë.

Fabulën e Princeshës dhe bizeles, e ka përdorur për të treguar se sado që Kosova është një vend i vogël, pavarësia e saj për Rusinë është një çështje e madhe. Ariun rus Sakurai e ka vendosur të flejë në një krevat me pesë dyshekë, në fund të të cilit ka vendosur një bizele, me mbishkrimin Kosova.

Por për analogji në fletën përballë të albumit është vendosur një tjetër çështje e ngjashme me Kosovën por që nuk ka marrë atë zgjidhje, Tibeti. Sakurai paraqet në dialog kancelaren Angela Merkel dhe Dalai Lamën. Ky i fundit i thotë "Po mirë, me Kosovën u bë...", ndërsa Merkel nën hijen e këmbës së madhe, që lexon Kinë i përgjigjët me qetësi "Rasti juaj nuk është kaq i thjeshtë...".

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›