E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramiz Alia arrestoi Nexhmije Hoxhën

TIRANË- "Ish-Presidenti i vendit, Ramiz Alia, është njeriu që arrestoi Nexhmije Hoxhën". Kështu ka deklaruar mbrëmë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, teksa është pyetur për raportet e tij me Enver Hoxhën, Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Aline.

Për këtë të fundit, Kryeministri Berisha tha mbrëmë në emisionin "Log", se ishte pikërisht ai, i cili e arrestoi. "Nexhmijen e arrestoi Ramizi. Kurthet e pallateve të kuqe kanë qenë më bizantinet.

E arrestoi Ramizi, sepse shembja e Causheskut u futi frikën deri në palcë dhe mendonte se, duke arrestuar Nexhmijen vetë, do të lehtësohej",- tha mbrëmë Berisha. Në fakt, Nexhmije Hoxha është arrestuar në kohën kur ishte Berisha President, në vitin 1994, ndërsa Ramiz Alia ka dhënë dorëheqjen me 30 prill të vitit 1992.

Kryeministri Berisha nuk ka sqaruar konkretisht se në ç'kuptim ishte deklarata e tij, porse ka vijuar, me qëndrimin e tij, duke theksuar madje, se ishte pikërisht Ramiz Alia, që, sipas tij, donte të rrëzonte edhe Fatos Nanon pas zgjedhjeve të vitit 1992.

Sipas Berishës, Ramiz Alia filloi të mobilizonte kryetar kooperativash, por nuk ia mori dot Nanos partinë. "Bëri gati të kthehej prapë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë",- shtoi Berisha.

Kryeministri tha se kishte pasur kontakte zyrtare me Ramiz Alinë gjatë periudhës dyvjeçare '90-'92, por, pas këtij viti, ai shtoi se nuk kishte pasur më të tilla. Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se, nuk ka qenë mjek personal i Enver Hoxhes. "Po të më kërkonte, do ta jepja, siç kanë bërë kolegët e mi.

Po ata dhe unë që jam këtu, jemi kujdesur për qytetarë të të gjitha kategorive. Mjeku ka një kod, që duhet t'i përmbahet. Kur në vitin '90-të filluan të thonë që ka qenë doktor, nuk u mora fare me to, sepse nuk kisha qenë doktor i tij, sepse nuk ma kishte kërkuar. Unë nuk mund të refuzoja me bluzën e bardhë", -tha ai.


Mediu


Edhe pse tragjedia e Gërdecit solli 26 të vdekur dhe 300 të plagosur, Kryeministri Berisha ka deklaruar mbrëmë gjatë emisionit se, do të dilte në fushatë përkrah Kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, duke u shprehur deri diku se ky i fundit është i pafajshëm, edhe pse gjykata nuk ka dhënë ende verdiktin e saj. "Mos kërkoni ju që unë ta paragjykoj Mediun.

Ai ishte një aksident tragjik, por nëse sot shkojmë në NATO, në të gjithë administratën, njeriu që ka besuar me vendosmërinë më të madhe se kjo do ndodhë, ka qenë Fatmir Mediu. Ka një kontribut shumë të rëndësishëm për kohën që drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes",- tha ai.

Berisha ka adresuar, në të njëjtën kohë, akuza të ashpra ndaj organit të akuzës, duke theksuar sërish se ky organ është shndërruar në parti politike. "Kur Prokuroria merr përsipër të bëhet parti politike, i bën dëmin më të madh vetvetes. Akuza që iu lëshua Mediut ishte e rëndë sa Dajti.

Duke shmangur ata që ishin kryesorë në atë proces çmontimi, ti vendose një raport të caktuar me zotërinë e tij. Unë isha Kryeministër, unë kisha dosjen. Aty ishin 32 dokumente, me secili 3-7 firma. Si mund të pranojë unë që kam vendos firmën, të them që unë nuk jam? Kjo shkatërroi hetimin.

U bë për të mbrojtur përgjegjësit e vërtetë, sepse aty duhet të kishte një hetim të fortë serioz",- vijoi Berisha. Duke i qëndruar besnik kësaj ideje, Berisha mohoi, gjithashtu, që koalicioni me Mediun të ketë kosto tek elektorati i djathtë.


Pasardhësi & prioritetet


Nëse Partia Demokratike do të humbiste zgjedhjet dhe Berisha të tërhiqej, atëherë, sipas Kryetarit të selisë blu, pasardhësit do të ishin të shumtë, por që ashtu si edhe herët e tjera, Kryeministri i vendit nuk i ka bërë publike.

"PD-ja nuk është pronë e imja dhe larg çdo koncepti që unë ta konsideroj si trashëgimi. Sot ka një seri personalitetesh në atë parti, me eksperiencë, me talent. Ia lëmë kongresit", -tha ai.

Motoja e mazhorancës në fushatë, do të jetë sërish lufta kundër korrupsionit, ndërkohë që Berisha deklaroi se prioritetet e programit që ai do të paraqesë gjatë fushatës, do të jenë shëndetësia, infrastruktura, si dhe rritja e mëtejshme e rrogave dhe e pagave.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›